Prodhimi vendas ulet me 3 për qind në tremujorin e tretë të vitit

Dita

Prodhimi vendas ka shënuar rënie në tre muajt e fundit. Janë të dhënat e Institutit të Statistikave që e sjellin një konfirmim të tillë. Sipas këtyre të dhënave indeksi i çmimeve të prodhimit pësoi ulje vjetore 3 për qind në tremujorin e tretë të këtij viti. Uljen më të lartë e kanë shënuar çmimet e prodhimit në seksionin “Industri nxjerrëse” me 13,9%.

Brenda kësaj industrie vihet re ulja e çmimeve të prodhimit të produkteve në aktivitetin “Nxjerrja e naftës bruto dhe gazit natyror” me 19,4%. Referuar të njëjtës periudhë krahasimi, indeksi i çmimeve të prodhimit në aktivitetet e industrisë përpunuese kanë shënuar rritje me 0,2%. Sipas raportit, vihet re rritja e çmimeve të prodhimit të produkteve kimike me 6,5% dhe konfeksionet e veshjeve me 3,6%. Ndërsa çmimet e prodhimit të rafinerisë dhe nënprodukteve të naftës kanë shënuar ulje me 4,1%. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2014, çmimet e prodhimit të produkteve vendase shënuan ulje me 4,0%. Vihet re ulja e çmimeve të prodhimit të produkteve të seksionit “Industri nxjerrëse” me 19,1%.

Çmimet e prodhimit të produkteve për eksport kanë shënuar ulje me 0,9% krahasuar më të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Në tremujorin e tretë 2015 ndryshimi tremujor i indeksit është -1,8 %. Çmimet e prodhimit në seksionin ”Industri Nxjerrëse” shënuan ulje me 7,4% krahasuar me tremujorin e dytë 2015. Uljen më të lartë e shënuan çmimet e prodhimit në aktivitetin “Nxjerrja e naftës bruto dhe gazit natyror” me 10,9%. Indeksi i çmimeve të prodhimit të produkteve të seksionit “Industria përpunuese” shënoi rritje me 0,2 %. Brenda kësaj industrie mund të përmendet rritja e çmimeve të produkteve në aktivitetet: “Prodhimi i pijeve” me 1,9% dhe “Prodhimi i makinerive dhe pajisjeve” me 2,5%.

Ndërsa çmimet e prodhimit të produkteve në aktivitetet: “Metalurgjia” shënoi ulje me 2,0% dhe “Shtypshkrimi, rigrupimi i mediave të regjistruara” shënoi ulje me 1,3%. Çmimet e prodhimit në seksionin “Furnizimi me ujë, aktivitete të trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave” shënuan rritje me 0,2% krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Në këtë seksion vlen të përmendet rritja e çmimeve të produkteve në aktivitetin e “Grumbullimit, trajtimit dhe asgjësimit të mbetjeve” me 0,2%. Indeksi i çmimeve të prodhimit për produktet vendase arriti 98,2% duke shënuar një ulje me 1,7 % krahasuar me tremujorin e dytë 2015. Vlen të përmendet ulja e çmimeve të prodhimit të produkteve në seksionin ”Industri Nxjerrëse” me 11,6%. Çmimet e prodhimit për produktet vendase në seksionin “Industri përpunuese” shënuan rritje me 0,7%.

Indeksi i çmimeve të eksportit arriti 103,2% duke shënuar një ulje me 1,9% krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Çmimet e prodhimit të produkteve në seksionin e “Industrisë nxjerrëse” kanë shënuar ulje me 4,5%, ndërkaq në seksionin e “Industrisë përpunuese” ulja ishte 0,6%.

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *