Të ardhurat në buxhetin e shtetit nga taksat janë pozitive për muajin maj. Ndryshe nga viti i kaluar të ardhurat nga taksa e akcizës janë rritur në këtë perioudhë.
Po t’iu referohemi statistikave të Ministrisë së Financave, vërehet se muaji maj ka shënuar një rritje të sasisë së importit të mallrave që taksohen më akcizë.
Sipas të dhënave më të fundit nga administrata doganore gjatë këtij muaji të ardhurat nga akciza janë realizuar në vlerën 15.3 miliardë lekë, 10.65% më shumë se një vit më parë dhe 7.1% më shumë se plani, si rezultat i rritjes së sasisë së cigares së importuar me 236 ton ose +28% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2015.
Tregues pozitivë janë shënuar edhe në të ardhurat e mallrave të tjerë të akcizës. Duke parë këto shifra analiza bëhet në dy rrafshe. E para, është ajo që po theksohet fort nga qeveritarët që është lufta ndaj kontrabandës dhe informalitetit që mund të ketë dhënë këtë efekt pozitiv. Por, të paktën për importin e karburanteve mund të ketë ndikuar ulja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare.
Kjo mundësi mund të jetë shfrytëzuar nga importuesit për të rritur depozitat në vend për të përfituar nga çmimi i ulët në blerje. Megjithatë kjo është një shenjë e mirë për ekonominë vendase, pasi kjo tregon për rritje të konsumit, por edhe për buxhetin e shtetit pasi të ardhurat nga zhdoganimi i mallrave me akcizë zënë një vend të rëndësishëm në të ardhurat e përgjithshme të administratës doganore.
Të ardhurat e tjera
Të ardhurat në total sipas financave, rezultuan 163.8 miliardë lekë, me një realizim 100% të planit të periudhës. Të ardhurat nga “Tatime dhe Dogana” (përfshirë kontributet e mbledhura nga DPT) për 5 mujorin e vitit 2016 u realizuan në vlerën 141.5 miliardë lekë, duke u rritur me 15.8 miliardë lekë krahasuar me 5 mujorin e vitit të kaluar ose 12.6% dhe 2.8 miliardë lekë më shumë se plani. Të ardhurat nga taksa doganore janë realizuar në vlerën 2.3 miliardë lekë, 5% më shumë se 5 mujori i vitit 2015 dhe 2.7% mbi planin e periudhës.
Të ardhurat nga akciza janë realizuar në vlerën 15.3 miliard lekë, 10.65% më shumë se një vit më parë dhe 7.1% më shumë se plani, si rezultat i rritjes së sasisë së cigares së importuar me 236 ton ose +28% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2015. Të ardhurat nga renta minerare janë realizuar në vlerën 902 milion lekë ose -36.48% krahasuar me 5 mujorin e vitit 2015 duke reflektuar drejtpërdrejt rënien drastike të çmimit të naftës bruto në tregun ndërkombëtar.
Megjithëse sasia e eksportit të naftës bruto, sipas financave u rrit me 72 mijë ton ose +23.4%, të ardhurat nga renta u ulën me 403 milionë lekë. Në 5 mujorin e vitit 2015 arkëtohej 3.51 lekë/kg, ndërsa në 5 mujorin e vitit 2016 arkëtohet 1.79 lekë/kg. Të ardhurat nga TVSH-ja në import janë realizuar në vlerën 37.1 miliardë lekë. Kontributi në të ardhura nga ky zë është 5.07% më shumë se 5 mujori i vitit 2015 dhe një realizim i planit në masën 99.4%.
Edhe zëri “Taksat Kombëtare” paraqitet me një performancë pozitive duke realizuar 12.4 miliardë lekë, 18.63% më shumë se 5 mujori i vitit 2015, dhe një realizim i planit në masën 93%. Të ardhurat nga kontributet e DPT janë realizuar në vlerën 31.1 miliard lekë, 13.76% më shumë se 5 mujori i vitit 2015 dhe 2.63% më shumë se plani i periudhës.
