Prof. Rami Memushaj
Është bërë zakon në televizionet tona që në emisione debatesh për çështje shkencore, krahas specialistëve të fushës, të ftohen edhe profanë. E kemi parë këtë në rastin e debateve për kovidin, ku, përballë mjekëve e specialistëve të mjekësisë, ishin edhe ca sharlatanë, që u bënin thirrje qytetarëve të mos vaksinoheshin, se do t’u “futnin çipin”. E pamë së fundi këtë edhe në televizionin “Top Channel”, në emisionin “Shqipëria live” të kësaj së hëne, kushtuar shkrimit të revistës angleze “The Guardian” për bukuritë e Shqipërisë, në të cilin thuhet se në “Apolloni dhe Butrint ka gjithashtu edhe rrënoja greke e romake”. Në të vërtetë, nuk është hera e parë që në këtë revistë përmendet Butrinti. Kështu, në një shkrim të vitit 2015 të kësaj reviste flitet për “rrënoja mahnitëse greke, romake, franke dhe otomane”, por nuk përmenden rrënoja epirote.
Ajo që të çudit është se Ministria jonë e Kulturës, me mosnjohjen prej saj të kulturës e të historisë sonë, ua ka lënë shtegun hapur këtyre mëtimeve. Jo shumë kohë më parë, vetë ministrja Margariti fliste për periudhë helenike në qytezën e Bylisit. Ndërsa në faqen 27 të “Planit të menaxhimit të integruar të Parkut Kombëtar të Butrintit (2020-2030) të kësaj Ministrie, thuhet se “duke filluar nga viti 800 para Krishtit deri në mbërritjen e romakëve, Butrinti qe nën ndikimin e kulturës greke” dhe se “monumenti antik grek më interesant është teatri…”, por asnjë fjalë se kujt i përkiste ky qytet a ç’etnie i përkitnin të ndikuarit nga kultura greke. Duke pohuar se Butrinti qe “nën ndikimin e kulturës greke” dhe ca rreshta më poshtë se teatri i tij është “monument antik grek”, dashur pa dashur, u lihet shteg atyre që e quajnë këtë vendbanim të lashtë koloni greke.
Emisioni “Shqipëria live” i së hënës bëri objekt pikërisht pohimet e revistës angleze, duke ftuar për të diskutuar rreth kësaj teme arkeologun Neritan Ceka e historianin Arben Llalla dhe, përballë tyre, Ligoraq Karamelon dhe një djalosh që nuk ia mësova emrin, i cili u paraqit si menaxhues i Projektit për Butrintin. Prof. Ceka, i revoltuar me të drejtë për këto lajthitje të Ministrisë në fjalë, argumentoi se Butriniti nuk ishte koloni greke, po qendra e nënfisit kaon të prasaibëve. Për këtë ai iu referua autorëve të lashtë grekë, si Tuqididit, Strabonit etj.; studiuesve si Katiçiçi, Pjer Kabani, Faik Drini etj. dhe gjetjeve të arkeologëve, duke filluar nga Ugolini e duke vijuar me arkeologët shqiptarë. Edhe historiani Llalla mbështeti argumentet e profesor Cekës. Rolin e kundërshtarit e luajti Karameloja, që i kundërshtoi pa asnjë argument të vetin. Ndërsa menaxhuesi i Projektit, një djalë i sjellshëm, mbrojti pozicionin e Ministrisë së tij, duke iu shmangur pyetjeve të drejtpërdrejta të profesorit.
Në këtë histori Karameloja nuk ka faj, nuk kanë faj as drejtuesit e emisionit, që nuk mund të gjenin një historian grek që të paraqiste argumentet e veta në mbrojtje të tezës për origjinën greke të Butrintit. Por a nuk mund të mënjanohej thirrja si oponent e Karamelos (që s’besoj të ketë lexuar asgjë nga autorët e lashtë grekë të përkthyer shqip), sepse prejardhja kaone e Butrintit është një gjë e provuar katërçipërisht dhe nuk mund të vihet në diskutim nga një profan. Vërejtja jonë këtu është për formatin e emisionit. Thirrja për debat e profanëve dhe e sharlatanëve i bën bajate emisionet televizive. Sikur prof. Ceka ta kishte ditur se kë do të kishte përballë, ka të ngjarë të mos pranonte fare të dilte në këtë emision.
Për të justifikuar qëllimin e emisionit, mendoj se debati duhej përqendruar, së pari, te gafat e Ministrisë së Kulturës dhe i ftuar duhet të ishte ndonjë specialist i fushës pranë kësaj Ministrie, nëse ka të tillë. Së dyti, mund të shtrohej nevoja që, për thyerjen e miteve të rreme greke për Shqipërinë, Akademia e Shkencave dhe Ministria e Kulturës duhet të nxitin e të mbështetin finaciarisht përkthimin në anglishte dhe në gjuhë të tjera të veprave të autorëve shqiptarë dhe të huaj për Shqipërinë. Sepse ka shumë pak botime të autorëve tanë në gjuhë të huaja, ndërkohë që grekët janë shumë përpara nesh dhe vetëm për Epirin, që duan ta paraqesin si grek, kanë botuar në anglishte mijëra faqe.
Sa për Ministrinë e Kulturës dhe të gjitha ministritë tona, mendojmë se duhet të jenë institucione ku të grumbullohen jo militantët, po specialistët më të mirë të fushave përkatëse, në mënyrë që të jenë të suksesshme në mbrojtën e pasurive tona kulturore, historike, ekonomike etj. Që në këtë ministri mungojnë specialistët, kjo mund të shihet edhe në faqen 27 të cituar më sipër, ku duket që materiali nuk është parë me kujdes nga ndonjë historian a arkeolog dhe nuk është redaktuar. Përndryshe si mund të quhen Angjevinë ata që historia shqiptare i njeh si Anzhuinë? Ose si mund të quhen dhespotë despotët e Epirit, kur edhe një nxënës i tetëvjeçares e di dallimin midis “dhespot” dhe “despot”? Vetëm një injorant në fushën e historisë mund të bëjë gafa të tilla. Dhe ka të ngjarë që në këtë dokument prej 287 faqesh të ketë edhe lajthitje të tjera.
