Zylyftar Hoxha
Jacques Bourcart-Paul, një nga shkencëtarët më të përmendur francezë të shekullit të 20-të, u lind më 5 korrik 1891 në Guewiller (Haut-Rhin) dhe vdiq në Paris, 24 qershor 1965. Studioi për mjekësi, por pasioni i tij ishin shkencat natyrore. Ishte oficer i Legjionit të Nderit, përgjegjës i Katedrës së Gjeologjisë në Universitetin e Parisit (Sorbonë), ku dha mësim mbi 35 vjet, anëtar i Akademisë së Shkencave, president i Shoqatës Gjeologjike të Francës, këshilltar shkencor i Marinës Luftarake Franceze.
Fillimet e tij shkencore janë në kohën kur ai ka kryer shërbimin ushtarak në Marok (1913) dhe në Shqipëri gjatë Luftës së Parë Botërore. Kësaj periudhe i përket edhe studimi i plotë “Shqipëria dhe shqiptarët”, që bashkë me studimet për Marokun, e bënë atë të njohur si gjeolog e gjeograf. Përveç specialistëve të fushës së tij, duhet të jenë të paktë shqiptarët, që e kanë njohur Zhak Burkarin.
Gjeologu, duket se e ka njohur si pakkush tjetër Shqipërinë. Gjate viteve që ishte në Shqipëri ka udhëtuar në çdo cep të Shqipërisë, ndërsa profesori Asti Papa i atribuon atij dhe qenien e themeluesit të gjeologjisë alpine të Shqipërisë dhe njeriut që hodhi bazat e Gjeografisë Fizike të Shqiptarëve. E gjitha kjo veprimtari e tij u krye kur ai ishte vetëm 25 vjeç, dhe do të vazhdonte deri në fund të jetës. Dashuria e tij do të vazhdonte gjatë në Shqipëri dhe nga dora e tij do të dilnin një sërë punimesh deri në vitin 1926. Janë rreth 40 kumtesa përveç shumë e shumë artikujve dhe librave të botës shqiptare.
“Sido që të ndodhë, atdheu i Skënderbeut nuk do të zhduket kurrë, sepse ai ka njohur ditë më të errëta dhe më të vështira, sepse e ardhmja është me ata që nuk dëshpërohen, që nuk e humbin shpresën kurrë”, thotë ai, në fund të librit të tij kushtuar Shqipërisë.
Zhak Burkar (Jacques Bourcart) gjatë gjithë jetës së tij aktive pati një karrierë të gjatë shkencore me mbi 300 punime, si kumtesa, artikuj, tekste mësimore dhe libra të ndryshëm. Në fund ai iu kushtua një fushe të re kërkimesh e studimesh, asaj të gjeologjisë së thellësive detare.

Burkar në Shqipëri
Ashtu si dhe kolegët e tij të mëparshëm natyralistë francez, edhe Zhak Burkar ndoqi të njëjtën rrugë për të vazhduar studimet për Shqipërinë. Madje ai u thellua edhe në lëmin e albanologjisë. “Shqipëria dhe shqiptarët” është vepra më e plotë e tij që bën fjalë për vendin tonë dhe që është botuar para pak kohësh nga shtëpia botuese “Dituria”.
Nuk mund të mos kesh respekt e nderim të veçantë për këtë dijetar të shquar, kur ai me fjalën e tij të ngrohtë i ndodhet këtij vendi pranë në momentet më të vështira të vitit 1920, duke thënë: “Sido që të ndodhë, atdheu i Skënderbeut nuk do të zhduket kurrë, sepse ai ka njohur ditë më të errëta dhe më të vështira, sepse e ardhmja është me ata që nuk dëshpërohen, që nuk e humbin shpresën kurrë”.
Burkar, gjatë viteve që ishte në Shqipëri, i ka rënë asaj cep më cep dhe jo vetëm një herë. Me të drejtë mund të quhet pionieri i gjeologjisë shqiptare dhe njeriu që hodhi bazat e Gjeografisë Fizike të trojeve shqiptare. Me pasionin e një të riu dhe dashurinë e sinqertë për shqiptarët mes të cilëve jetoi disa vjet ai nxori një sërë punimesh me vlera të spikatura shkencore për një terren të virgjër, siç ishte Shqipëria. Shkroi dhe publikoi me dhjetëra kumtesa dhe artikuj, madje edhe libra për botën shqiptare, me një vëmendje të veçantë për sa i pëket botës materiale e shpirtërore. E gjithë kjo punë e tij, është kryer në të njëjtën kohë kur ai plotësonte detyrën ushtarake për të cilën ishte në ushtrinë franceze në Korçë.
Studimet e Zhak Burkarit luajtën një rol mjaft të madh, sepse jo vetëm që ishin një thesar njohurish tepër interesante, veçanërisht për natyrën e Shqipërisë, që përfundonin në një sintezë shkencore për kohën, por nxitnin dhe studimet e mëtejshme për këtë trevë. Ai kishte një adhurim të veçantë për shqiptarët që e ruajti gjithë jetën, edhe atëhere kur për shkak të regjimit komunist humbi kontaktet me këtë vend për të të dashur. Ai e përmendte shpesh Shqipërinë gjatë leksioneve në Katedrën e Gjeografisë Fizike dhe Gjeologjisë Dinamike të Sorbonës, dhe u jepte studentëve tema diplome për Shqipërinë në mënyrë që puna e madhe studimore të vazhdonte.
Zhak Burkari, si dhe të tjerë që kanë ardhur në vendin tonë, krahas punës shkencore natyraliste, është marrë edhe me kulturën shpirtërore të popullit, me anën “albanalogjike” të jetës shqiptare. Gjatë gjithë qëndrimit në Shqipëri, ai nuk mundi të shkëputej nga vokacioni i tij prej gjeologu dhe natyralisti, si edhe nga shpirti i tij kureshtar për të njohur njerëzit dhe natyrën e këtij vendi, ku e kishin përplasur të papriturat e luftës. Dhe, kështu ai pati mundësi të grumbullojë të dhëna e vrojtime dhe të shkruajë veprat e tij të njohura, ku bie në sy menjëherë, se atë e kishin bërë për vete Shqipëria dhe shqiptarët.
Ai ishte joshur nga visaret e mrekullueshme shqiptare, nga pyjet e mëdhenj, “ku me zor depërtonte drita e diellit”, si edhe nga kodrinat e fushat e viseve perëndimore, ku ndihej flladi dhe dielli i Adriatikut. Ai gëzohet si fëmijë dhe përshkruan me notat më të gjalla dhe më optimiste, tamam si një vendali, krijimin e “Republikës Autonome të Korçës” nga francezët për ta shkëputur nga thonjtë e grekëve në vitin 1916.
Ja si e përshkruan ai këtë rast: “Ne qershor 1916, një grup i vogël i Kalorësisë së Afrikës hyri për herë të parë në Shqipëri. Në tetor të të njëjtit vit gjenerali Saraj ngarkoi kolonelin Dekua që të shpëtonte qytetin e Korçës. Ky veprim kishte si qëllim që ta veçonte Greqinë e Mbretit Konstandin nga austriakët dhe gjermanët, si dhe të vendoste lidhjet midis frontit italian në Shqipëri dhe frontit francez në Maqedoni.
Më 10 dhjetor 1916 në Korçë u krijua administrata vendore shqiptare dhe u ngrit flamuri i Skënderbeut, në heshtën e të cilit u lidh një kravatë me tringjyreshin francez. Kësisoj, në këtë krahinë, e cila, qysh në fillimin e luftërave për pavarësi në Gadishullin Ballkanik kishte vuajtur nga trazira të pandërprera, u ngrit për herë të parë dhe me pëlqimin e të gjithëve një administratë e rregullt…
Veprimet e mëtejshme luftarake e rritën së tepërmi trevën, që i ishte besuar administratës franko-shqiptare, që u shtri në tërësinë e kazave të mëparshme turke të Korçës dhe të Starovës, si edhe në një pjesë të kazave të Beratit, Skraparit, Manastirit e të Elbasanit, duke krijuar atë trevë, që u quajt me emrin “kufijtë ushtarakë shqiptarë”. Dhe, ky reagim vazhdoi deri më 21 qershor 1920.
Veprimtaria e saj në kufijtë ushtarakë shqiptarë i dhanë mundësi qeverisë së re shqiptare, të sapokrijuar, të merrte punët në dorë dhe i siguruan asaj burimet e para financiare, si edhe kuadrot e parë, për të cilat kishte aq shumë nevojë. Dhe, kjo vepër franceze, që nuk njihej nga metropoli, do të mbetet e gjallë edhe për një kohë të gjatë në Shqipëri”.
