PROFIL / Burrnesha që ia ka kushtuar jetën partisë del sërish para mediave

redaktor

TIRANË, BRRYL e Rrethina – Burrnesha shqiptare Ervis Alianji, njëherësh eksponent i Partisë Demokratike, doli sërish në një konferencë për shtyp për të denoncuar qeverinë shqiptare që po vijon inkurajimin e kultivimit të fshehtë të hashashit, mësojnë Gojët e Liga.

Alianji, një nga burrneshat më të spikatura në PD, po ndjek strategjinë e njohur të ekspozimit sa më të shpeshtë mediatik në mënyrë që partia t’ja falë çorbën “Babale” të cilën e gatoi pikërisht nga dëshira për të dalë sa më shpesh para mediave, pohojnë burime vajzërore nga PD.

Personazhi i spikatur që ka tërhequr edhe vëmendjen e mediave të huaja, siç tashmë është bërë e ditur, vishet si mashkull që kur ka filluar karrierën politike. Në traditën e famshme të burrneshave, ai është betuar të mbajë gjithmonë pantallona, kostum dhe kollaro, një zgjedhje e vështirë kjo, por e domosdoshme për të çuar përpara interesat e partisë.

“Gjithnjë më pëlqente të rrija me djemtë,” pat deklaruar kohë më parë Alianji në një reportazh për Rai 3, me titull “Burrneshat e politikës shqiptare”, duke shtuar, “ndjeja tërheqje për aktivitetet dhe lojrat mashkullore: Bënim çentro, qëndisnim dantella, ngarkonim bucela me ujë dhe shanim nga robt”.

Fakti është që edhe përgjatë aktivitetit politik, Alianjit i janë ngarkuar misionet më mashkullore, që kërkonin qëndrime të egra, zë të trashë bariton dhe ngritje peshash.

Kështu, ka mbetur në histori transaksioni i tij delikat me një skafist vlonjat, për çka burrneshës iu desh edhe në stërvitej në dialektin e rëndë të lundërtarëve klandestinë. Për ditë të tëra para këtij operacioni, për të hyrë në rol ai është parë duke përsëritur me vete fraza të tëra të tipit, “uoreee lamash”, “ku je a i vrarëëë”, “po ça bën ore, ça bën” etj.

Ndërsa fotografia ikonike e Alianjit duke ngritur para kamerave një peshk plot 11 kile, bëri me turp edhe ata politikanë e deputetë që vijnë nga sporte tipike luftëtarësh siç janë ngritja e peshave, ngritja e ikonave të vjedhura apo flakja e topave në tentativën e pamundur për t’i futur brenda një koshi.

Si mund të jetoj një trupin e një femre? E pranoj që është e vështirë,” thotë burrnesha e PD-së, “por kjo është zgjedhja ime. Megjithatë, edhe pse unë jam kapur duke këmbyer mesazhe anti-statutore me krye-bukuranen e partisë, unë jam zotuar të mbetem beqar për t’iu kushtuar misionit të jetës: Daljes para mediave me peshq në duar”.

 

SHËNIM / Gojët e Liga është një rubrikë satirike tipike apolitike  

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *