Kur flasim për sportin e arritjet e tij shpesh përmendim sportistët dhe trajnerët, por lemë pa vlerësuar e kujtuar dhe gjyqtarët, sidomos në sportet kolektive. Gjyqtari me qëndrimin e tij, influencon për mirë apo për keq në nivelin dhe cilësinë e sportit. Në këtë shkrim do të flasim për gjyqtarin e volejbollit nga Vlora, një ndër më të mirët në vend, z.Panajot Meksi (Bebi). Në qarqet sportive, sidomos në volejboll, në Vlorë atë e njohin më shumë me emrin Bebi. Ai u lind në vitin 1939 në fshatin Labovë të Gjirokastrës dhe 3-4 vjeç erdhi familjarisht në Vlorë. Aty ai u rrit, punoi dhe u bë arbitër i volejbollit. Tani Bebi është pensionist. Ai ka arbitruar në volejboll për 50 vjet rresht, që nga viti 1958 deri ne vitin 2008. Një jetë të tërë plotë sakrifica e përpjekje për të, teksa e filloi karrierën e tij që në moshën 19 vjeç. Krahas punës së përditshme jashtë orarit, në mbas dite ai do të merrej edhe me arbitrime në ndeshjet e volejbollit në veprimtaritë sportive që organizoheshin midis shkollave të mesme, qendrave të punës dhe kooperativave bujqësore. Vazhdimisht i palodhur e i papërtuar ishte Bebi. Po thuaj çdo të shtunë apo të diel ai do të arbitronte ndeshjet e volejbollit. “Më pëlqente shumë volejbolli si sport kështu që ju futa këtij sporti si gjyqtar” – thotë Bebi.
Në Spartakiadën e parë kombëtare 1963-1964 në Vlorë dhe më vonë në Shkodër, Bebi arbitroi ndeshjet midis ekipeve të shkollave të mesme. Aty, thotë ai: “Mund të them se filloi karriera e ime si gjyqtar. Kjo më dha një shtysë të madhe dhe m’u fut pasioni për volejbollin që nuk mu nda kurrë”. Në vitet 1972-1973 dhe deri në vitet 1984, 1985, 1986 volejbolli shqiptar mori një zhvillim shumë të madh. Ekipi i djemve të Dinamos me trajnerin e madh V. Koja arriti të kualifikohet në 8-she dhe në 4-she të skuadrave më të mira të Evropës. Po ashtu volejbolli për femra me trajnerin e talentuar z. K.Tartari hyri në 4 skuadrat më të mira të Evropës. Padyshim që edhe roli i arbitrave tanë për ecurinë e këtij sporti ishte mjaft i madh. Edhe Bebi në ato vite ka arbitruar në vend ndeshje shumë të mira dhe të rëndësishme. Arbitrit në volejboll si D. Cara, A. Zhori, R. Ngjala, B. Beqiri, P. Meksi do të mbahen në mend si ndër arbitrit më të mirë të vendit. Ndeshje të tilla si Partizani-Dinamo, Dinami-17 Nëndori, Vllaznia-Partizani, Tirana-Partizani, Dinamo-Skënderbeu, Vllaznia-Partizani etj. kanë lënë mbresa tek sportdashësit. Roli dhe qëndrimi i arbitrit ishte shumë deçiziv sepse kërkohej korrektësi dhe ndershmëri e tyre por mbi të gjitha profesionalizëm. Thotë mjeshtri i merituar i sportit në volejboll, qytetari i nderit të Vlorës, ish volejbollisti i ekipit kombëtar dhe më vonë trajner në ekipin e Flamurtarit tëVlorës, T.Driza: “Bebi është një nga arbitrat më të mirë të vendit. Mbaj mend që ka gjykuar finalet më të mëdha në volejboll. Ai ishte në gjyqtar i drejtë dhe i ndershëm që ka kurorëzuar me sukses mjaft ndeshje të rëndësishme”.
Por që të bëheshe një gjyqtar i mirë në atë kohë nuk ishte aq e thjeshtë, kërkoheshin sakrifica dhe përpjekje të vazhdueshme. Kishte raste që arbitrit udhëtonin dhe me makina të hapura për orë të tëra sepse biletat e linjave të autobusëve ishin shitur. Por gjyqtari duhet të ishte në destinacionin e caktuar sepse të nesërmen zhvillohej ndeshja dhe kishte përgjegjësi për te në rast se nuk do të zhvillohej. Por një rol të rëndësishëm në atë kohë ka luajtur dhe kolegjiumi i arbitrave në Vlorë e që Bebi ishte kryetar i tij. Ai kishte mjaft gjyqtarë të mirë si B. Beqiri që ishte cilësuar dy herë arbitri më i mirë i vendit dhe L.Lloci që edhe ky ishte gjyqtar ndërkombëtar. Disa herë shokët e Bebit u caktuan për arbitrime në veprimtaritë ndërkombëtare në kampionatet Ballkanike, si Turqi, Bullgari, Rumani etj. Por Bebi nuk e kishte atë fat. Bebi nuk kishte ndonjë ‘’kleçkë’’ politike, por një defekt të vogël fizik që ia kishte “dhuruar” natyra. Ai duhet ta vuante këtë në heshtje, ishte dhënë porosi nga një anëtar i Byrosë Politike në ato vite që mbulonte sportin në qeveri që ai të mos dilte jashtë, por këtu në Shqipëri le të arbitronte. Këto Bebi i kujton duke buzëqeshur, por pezmatimi ndihet në sy dhe mimikën e tij. Megjithatë Bebi flet me respekt e admirim për drejtuesit e Federatës së Volejbollit në ato vite që ishin njerëz të përkushtuar dhe e donin Volejbollin shqiptar. Prandaj dhe ai si sport arriti majat më të larta në vend. Bebi në 7 gjyqtarët më të mirë të vendit nga Federata e Volejbollit ka marrë titullin Gjyqtar Republikan. Vitet ikin dhe mjaft prej gjyqtarëve largohen për shkak të moshës por federatës dhe bashkive të qyteteve nuk u kushton asgjë që të thonë 5 fjalë dhe të bëjnë një vlerësim për punën e tyre në fund të karrierës. Të vlerësohen dhe nderohen edhe këto figura si mjaft të tjerë në sektorin e sportit.
*Trajneri i Merituar në NOT, Vlorë
