Me zbardhjen e programeve orientuese, maturantët mund të nisin tashmë përgatitjet për provimet finale që i çojnë drejt universitetit të preferuar. Ministria e Arsimit ka detajuar gjatë mbrëmjes së djeshme programet orientuese me temat dhe shpjegimet rreth të cilave do të hartohen testet finale të maturës. Në total janë 39 programe, 9 programe për tre provimet e detyruara, si dhe 30 të tjera për provimet me zgjedhje. Sa i takon lëndëve të thelluara, dhe atyre bërthamë, udhëzimi vendos kushtin që : “Maturanti kur zgjedh një lëndë të thelluar, nuk mund të zgjedhë njëkohësisht si provim të dytë, të njëjtën lëndë por të nivelit bërthamë. Përjashtim në këtë rast bëjnë lëndët e gjuhës shqipe dhe letërsisë, matematikës dhe gjuhës së huaj”. Bashkangjitur shkrimit gjeni të detajuar temat për secilin provim të maturës 2015.
Programi për matematikën, pyetjet e testit të grupuara në 7 linja
Shtatë janë linjat e temave nga ku do të përzgjidhen pyetjet për testin final të matematikës që do të jepet si provim i detyruar. Në programin orientues për nxënësit e shkollave të mesme të përgjithshme dhe ato të drejtimit gjuhësor testi i matematikës bërthamë do të ketë në përmbajtje pyetje të diferencuara sipas 7 linjave bazë. Numri dhe veprimet me numrat, matja, algjebra, funksioni, gjeometria, njehsimi diferencial e integral, statistika, si dhe probabiliteti e kombinatorika, janë 7 linjat e temave që duhet të marrin vëmendjen kryesore gjatë fazës përgatitore. Maturantët duhet të ndalen veçanërisht në tre linjat e temave që kanë peshën më të madhe të testit, e që janë funksioni, gjeometria dhe njehsimi diferencial. Sipas përcaktimeve të bëra në programin orientues, rreth 60 për qind e pyetjeve që do të ketë në përmbajtje testi do përzgjidhen nga këto tema. Shkalla e vështirësisë, si dhe temat e testimit do të jenë të ndryshme për nxënësit që kanë mbaruar arsimin e mesëm profesional, apo gjimnazeve artistike. Programi orientues për këtë kategori maturantësh, të cilët do testohen në 7 linjat e përmendura më lart, por shpërndarja e pyetjeve sipas linjave do jetë e baraspeshuar. Shkalla e vështirësisë shtohet për maturantët që duan të japin si provim me zgjedhje matematikën e thelluar. “Përgatitja për provimin me zgjedhje për lëndën e matematikës së thelluar bazohet në tekstet e avancuara të gjimnazit, domethënë në njohuritë e reja (krahasuar me programet e tekstit bërthamë), dhe në thellimin e mëtejshëm të njohurive të fituara nga zhvillimi i programeve bërthamë.
Programet për gjuhën shqipe dhe letërsinë
Lënda e gjuhës shqipe dhe e letërsisë është një ndër provimet e detyruara të Maturës Shtetërore për të gjithë nxënësit që mbarojnë shkollën e mesme. Për këtë, ata i nënshtrohen një testi, në përbërje të cilit janë njohuritë dhe aftësitë e fituara në këtë lëndë gjatë viteve të studimit. Përmbajtja e testit do të jetë e diferencuar sipas llojit të gjimnazit që maturanti ka kryer. Për gjimnazet e përgjithshme, si dhe profilet e drejtimit gjuhësor programi orientues nuk paraqitet me të njëjtat tema mësimore, por me objektiva të cilat e vënë theksin në rezultatet e të nxënit. Objektivat e programit të lëndës së gjuhës shqipe dhe letërsisë realizohen nëpërmjet teksteve të ndryshme (tekst tregimtar, tekst poetik, tekst dramatik, tekst bindës, argumentues, përshkrues, tekst shpjegues, tekst informativ, tekst eseistik, tekst kulturologjik). “Fakti që nxënësi përballet dhe ushtrohet në tekste të ndryshme, e bën më të lehtë “transferimin” dhe përdorimin e koncepteve, njohurive e aftësive edhe në tekste të tjera. Kësisoj, testi i Maturës Shtetërore do të ketë në përbërje 2 fragmente të shkëputura nga tekste të ndryshme, jo domosdoshmërisht të punuara në klasë”, thonë ekspertët e maturës. Struktura e testit do të jetë e ndarë në dy pjesë. Pjesa e parë do ketë në përmbajtje një tekst letrar. Rreth 45 për qind e pyetjeve totale të provimit të gjuhës do të jenë të orientuara rreth këtij fragmenti. Ndërsa pjesa e dytë e do ketë në përmbajtje një tekst joletrar, rreth të cilit maturanti duhet të plotësojë rreth 55 për qind të pyetjeve. “Kjo do të thotë që në përgatitjen e maturantëve për provimin e Maturës Shtetërore duhet të punohet për përvetësimin e aftësive dhe teknikave zbuluese, shpjeguese, zbatuese, analizuese, sintetizuese dhe vlerësuese. Këto aftësi dhe teknika, nxënësit do t’i demonstrojnë dhe do t’i zbatojnë në fragmentet e përzgjedhura”, citohet në program.
lidhur me shkallën. Lidhur me shkallën e vështirësisë së testit shpjegohet se pyetjet do strukturohen për të tria nivelet e vështirësisë, 40 për qind e pyetjeve për nivelin e ulët, 40 për nivelin mesatar, si dhe pjesa e mbetur për nxënësit e shkëlqyer. Në të njëjtin format do të jetë i hartuar edhe testi i gjuhës për nxënësit e shkollave profesionale dhe atyre artistike. Dallimi i vetëm është se ndryshojnë veprat nga ku do të përzgjidhen fragmentet e teksteve.
Letërsia e thelluar si provim me zgjedhje
Edhe për këtë provim me zgjedhje testi do të jetë i strukturuar në dy pjesë, secila do të ketë në përmbajtje një fragment të shkëputur nga një tekst letrar. Dy tekstet letrare në test do t’u takojnë dy gjinive (prozë, poezi ose dramë). Fragmentet për të dy tekstet do të merren nga veprat e detyruara për t’u lexuar, lista e të cilave ndodhet në vijim. Për përgatitjen për provim, mësuesit dhe nxënësit të kenë parasysh veprën në tërësi. Lista e veprave letrare të detyrueshme për t’u lexuar nga nxënësit janë romani “Skënderbeu”, Sabri Godo, Tragjedia “Jul Çezari” Shekspir, nga Gjergj Fishta duhen lexuar poema “Lahuta e Malcis”, Ismail Kadare romani “Kronikë në gur”, “Darka e gabuar”, si dhe “E penguara”. Ndërsa nga Fatos Kongoli maturantët duhet të lexojnë romanin “Ne të tre”, “Lëkura e qenit”, “Jeta në një kuti shkrepësesh”, si dhe “Bolero në vilën e pleqve”.
Grupimi i shkencave shoqërore në 6 provime me zgjedhje
Në grupin e shkencave shoqërore përfshihen 6 lëndë që do të jepen si provime me zgjedhje. Konkretisht bëhet fjalë për lëndët Filozofi, Psikologji, Sociologji, Ekonomi bërthamë, Ekonomi e thelluar, si dhe Qytetari. Për provimin e filozofisë, në programin orientues specifikohet se banka e pyetjeve do të përmbajë njohuri dhe koncepte të trajtuara në tekstet e vendosura për këtë provim. Programi specifikon se mësuesit janë përgjegjës për sigurimin e informacionit tek maturantët, në rast se këta të fundit gjatë vitit mësimor kanë përdorur tekste të tjera alternative. “Kur njëri prej teksteve alternative nuk trajton një objektiv të caktuar të programit, atëherë mësuesi i lëndës, që ka përzgjedhur këtë tekst, ka detyrën të plotësojë informacionin e domosdoshëm që u duhet maturantëve në përgatitjet për provimin final të maturës. Edhe për këtë provim 7 janë linjat që duhen përvetësuar. Konkretisht bëhet fjalë për temat që kanë të bëjnë me periudhën helenike rreth të cilave konceptohen 15 për qind e pyetjeve, periudha romake me 10 për qind të pyetjeve, drejtimet filozofike në shekujt e parë të erës sonë me 5 për qind të pyetjeve, mesjeta dhe rilindja me 15 për qind, shekulli XVII me 15 për qind të pyetjeve, si dhe pjesa e mbetur prej 40 për qind të pyetjeve u përkasin temave rreth ndryshimeve të ndodhura në tre shekujt e fundit. Në lëndën e Psikologjisë, temat që duhet të marrin vëmendjen kryesore janë : “Studimi i psikologjisë që do ketë 10 për qind të pyetjeve, biopsikologjia me 31 për qind të pyetjeve, zhvillimi 21 për qind, njohja 21 për qind, si dhe variacionet mes individëve e grupeve 17 për qind të pyetjeve. Kur jepet si provim me zgjedhje lënda e Qytetarisë, nxënësit duhet të jenë të kujdesshëm ndaj temave që kanë të bëjnë me fusha të tilla si : “Ligji dhe ne, Kushtetuta e Shqipërisë dhe të drejtat e njeriut, familja, shkolla, fëmijëria, rritja e fëmijës, ndryshimet, puna, mjedisi, shëndeti, ushqimi, konsumatori, siguria rrugore dhe informimi”. Në sociologji temat që janë listuar në programin orientues kanë të bëjnë me metodat e kërkimit sociologjik, kultura, individi, shoqëria, shoqërizimi, devianca, shtresimi gjinor dhe familja, raca dhe etniciteti, analiza sociologjike e besimeve fetare, urbanizimi dhe karakteristikat e punës në shoqëritë më të urbanizuara, shtresimi i shoqërisë dhe lëvizjet shoqërore, shoqëria tradicionale, moderne, pasmoderne. Bashkangjitur shkrimit gjeni të detajuara temat për dy lëndët ekonomi bërthamë dhe ekonomi e thelluar. Në dy tabelat bashkangjitur shkrimit gjenden të detajuara edhe temat për dy lëndët e ekonomisë.
Programet për shkencat natyrore
Ky grupim përfshin 6 lëndë që do jepen si provime me zgjedhje duke filluar me biologjinë bërthamë dhe të thelluar, kiminë bërthamë dhe të thelluar, fizikën bërthamë dhe atë të thelluar. Tre linjat e programit të biologjisë bërthamë janë: studimi i së gjallës me 30 për qind të pyetjeve, trashëgimia e tipareve dhe evolucioni me 24 për qind të pyetjeve, si dhe studimi i organizmit (anatomia dhe fiziologjia e njeriut) me 46 për qind të pyetjeve. Kur jepet si provim me zgjedhje lënda e thelluar, studimi i së gjallës do ketë 34 për qind të rëndësisë, trashëgimia e tipareve dhe evolucioni 15 për qind, ndërtimi dhe funksionet jetësore të bimëve15 për qind të pyetjeve, fiziologjia shtazore krahasuese 36 për qind të totalit të pyetjeve. Linjat e përfshira në programin orientues të kimisë bërthamë përbëhen nga temat e tekstit të përdorur kryesisht në dy vitet e para të gjimnazit. Kimia bërthamë e vitit të parë dhe të dytë zënë rreth 86 për qind të pyetje të testit, ndërkohë që 14 për qind e pyetjeve i takojnë temave të tekstit mësimor të zhvilluar në vitin e fundit të shkollës së mesme. Në rastet kur jepet si lëndë e thelluar, 33 për qind e pyetjeve do merren nga temat e kimisë së zhvilluar në vitin e fundit, ndërsa pjesa tjetër nga kimia bërthamë. Në këtë formë veprohet edhe për provimet me zgjedhje në lëndën e fizikës. Pyetjet për provimin me zgjedhje të fizikës bërthamë do jenë rreth këtyre dy linjave, lëvizja dhe bashkëveprimet, si dhe energjia e transformimet e saj. Kur jepet si provim me zgjedhje fizika e thelluar, linja e lëvizjes dhe bashkëveprimeve do të ketë më shumë pyetje se sa pjesa
Pyetjet për provimet me zgjedhje të historisë dhe gjeografisë
Kur jepet si provim me zgjedhje historia bërthamë 10 për qind e pyetjeve të testit do të jenë rreth historisë së qytetërimeve në antikitet dhe në mesjetë, 40 për qind rreth historisë së qytetërimeve moderne dhe bashkëkohore, dhe pjesa e mbetur rreth historisë së shqiptarëve. Provimi i gjeografisë bërthamë përbëhet nga këto linja, shkenca e Tokës me 25 për qind të pyetjeve, gjeografia rajonale e botës me 15 për qind të pyetjeve, gjeografia e Shqipërisë dhe trevave të tjera shqiptare me 30 për qind të pyetjeve, gjeografia e problemeve globale do ketë rreth 30 për qind të pyetjeve në testin final. Përqindja e pyetjeve që do të merren nga secila temë do të jenë të ndryshme në rastet kur maturanti jep si provim me zgjedhje lëndën e thelluar.
Programet për historinë e baletit, artit dhe muzikës
Arti figurativ në antikitet, arti në mesjetë, rilindja Evropiane, arti Barok, arti i Kohës së Re, arti në shekullin XX, arti figurativ shqiptar janë temat rreth të cilave do të përzgjidhen pyetjet për lëndën e historisë së artit. Gjithashtu në lëndën e historisë së baletit dhe muzikës, nxënësit do të testohen në lidhje me zhvillimin e secilit profil që nga antikiteti deri në ditët e sotme.
Teknologjia bërthamë dhe e thelluar, temat e provimit
Linjat rreth të cilave duhet të përgatiten maturantët për këtë provim kanë të bëjnë me : “Teknologjia dhe sistemet teknologjike, komunikimi grafik, materialet teknologjike, strukturat dhe mekanizmat, teknologjia e prodhimit, teknologjia e shërbimeve”.
Provimet e detyruara dhe me zgjedhje të gjuhëve të huaja
Sipas përcaktimeve të detajuara edhe në udhëzimin e maturës të miratuar në javën e shkuar, testi i gjuhës së huaj kur jepet si provim i detyruar do të jetë i një shkalle më të lehtë se sa kur jepet si provim me zgjedhje. Në programet orientuese thuhet se do të zhvillohen provimet e detyruara të gjuhës së huaj vetëm në katër lëndë, anglisht, italisht, gjermanisht dhe frëngjisht. Në rastet kur gjuha e huaj jepet si provim me zgjedhje do të jenë edhe tre lëndë të tjera plus, si gjuha turke, ajo spanjolle, dhe gjuha greke. Testi i provimeve me zgjedhje do të jetë i nivelit B2.
Pesha e linjave për Ekonominë Bërthamë
Linja 1 56%
Çfarë studion ekonomia? 10%
Kërkesa oferta dhe çmimi i tregut 19%
Konsumatori në ekonominë e tregut 3 %
Fillimi i një biznesi dhe financimi i tij 11%
Prodhimi, kostoja dhe të ardhurat e firmës 7%
Struktura e tregut 6%
Linja 2 39%
Qeveria dhe ekonomia 11%
Paraja dhe institucionet financiare 6%
Treguesit kryesorë makroekonomik 16%
Stabiliteti ekonomik dhe politikat makroekonomike 6%
Linja 3 5%
Tregtia ndërkombëtare 5%
Pesha e Linjave për Ekonominë e Thelluar
Linja 1 51%
Qëllimet sociale të një ekonomie 3%
Kërkesa dhe oferta: si funksionojnë tregjet 17%
Sjellja konsumatore dhe maksimizimi i dobishmërisë 8%
Sipërmarrës i suksesshëm. Si të bëhesh i tillë 3%
Prodhimi, produktiviteti dhe tregu i punës 13%
Analizë krahasuese e strukturave të tregut dhe rregullimi i monopolit 7%
Linja 2 40%
Roli i qeverisë në ekonomi, një vështrim i gjerë 6%
Politika monetare dhe mekanizmi i transmisionit 17%
Njohuri të thelluara makroekonomike 17%
Linja 3 9%
Bashkëpunimi ekonomik dhe proceset integruese 3%
Zhvillimi ekonomik dhe varfëria 6%
