Programi atomik i Iranit, fëmijë i Uashingtonit

redaktor

Fillimi i programit atomik të Iranit mund të thuhet se daton prej 8 dhjetorit 1953, kur presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara, Dwight D. Eisenhower, mbajti një fjalim, i cili më vonë është emëruar si fjalimi “Atomet për Paqe”, në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Eisenhower e shfrytëzoi këtë fjalim për të prezantuar para botës pozitivitetin e energjisë bërthamore dhe për përdorimin e saj për prodhimin e energjisë së bollshme elektrike në vendet që kanë probleme me energjinë. Sipas planit të tij, presidenti i atëhershëm amerikan tha se Shtetet e Bashkuara do t’i ndihmonin me teknologjinë e domosdoshme dhe me ekspertizë, vendet që janë të etshme të krijojnë programe civile bërthamore.

Për të qenë i sigurt se materialet atomike nuk do të shfrytëzoheshin për prodhim të armatimit bërthamor, Eisenhower propozoi krijimin e organit mbikëqyrës brenda Kombeve të Bashkuara. Më vonë ky mbikëqyrës u bë Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB). Për të ndjekur vizionin e presidentit Eisenhower, Uashingtoni krijoi programin Atomet për Paqe, nëpërmjet të cilit Shtetet e Bashkuara do të dërgonin reaktorë kërkimorë, karburant dhe ushtrime shkencore për vendet në zhvillim, që ishin të gatshme për ta shfrytëzuar fuqinë e atomit.

Kjo sipërmarrje, pjesërisht, ishte e motivuar në rivalitetin e Luftës së Ftohtë ndërmjet Moskës dhe Uashingtonit, ndërkohë që dy kryeqytetet përpiqeshin të fitonin aleatët duke i joshur me fuqitë bërthamore”, shpjegon Mark Fiztzpatrick, drejtor në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike me seli në Londër. “U shndërrua në pikë kryesore të shfrytëzimit gjatë Luftës së Ftohtë; secila nga superfuqitë, e ndante teknologjinë atomike me aleatët, për t’i forcuar lidhjet”, thotë Mark. Ndër vendet e para që kanë mbështetur Shtetet e Bashkuara ishte Irani.

Në vitin 1957, Teherani dhe Uashingtoni nënshkruan marrëveshjen për bashkëpunim bërthamor, me titullin formal “Bashkëpunimi Lidhur me Përdorimin Civil të Atomit”. “Prapa kësaj marrëveshjeje qëndronte domosdoshmëria politike dhe komerciale. Politike, për shkak të forcimit të rolit të Iranit në atë kohë në rrethin e marrëdhënieve amerikane dhe komerciale, pasi Irani e vështronte për së afërti programin e madh të energjisë bërthamore, dhe me sa duket, kompanitë amerikane e kanë furnizuar Iranin me pjesën më të madhe të pajisjeve për këtë program atomik”, shprehet Mark Fitzpatrick.

Dy vite më vonë, më 1959, Shahu i Iranit, Mohamed Reza Pahlavi, krijoi Qendrën Kërkimore Bërthamore në Universitetin e Teheranit. Në vitin 1967 Shtetet e Bashkuara e dërguan në Teheran reaktorin atomik kërkimor prej 5 megavatësh, dhe uraniumin e pasuruar në nivel të lartë. Por, për t’i dëshmuar botës se planet ishin paqësore, Irani në korrik të vitit 1968 nënshkroi Marrëveshjen për Moszgjerim Atomik, që në ditën e parë kur ajo u hap për firmosje. Duke parë nevojën për ekspertë bërthamorë, Organizata për Energji Atomike e Iranit, që ishte formuar për mbikëqyrjen e programit bërthamor, kërkoi nga Instituti i Teknologjisë në Masaçusets, që është njëri nga universitetet inxhinierike më të forta në Shtetet e Bashkuara, të krijojë një program special për aftësimin e ekspertëve iranianë për fushën e energjisë atomike.

Megjithatë bashkëpunimi bërthamor ndërmjet Uashingtonit dhe Teheranit kishte filluar të jepte rezultate, nisën të paraqiten edhe mosbesimet e para.

“Pa dyshim, kishte shqetësime lidhur me qëllimet atomike të Shahut. Dëshmitë historike tregonin se ai qartas kishte në mendje programin e armatimit atomik. Ai nuk ishte shumë korrekt, pjesërisht për shkak se Shtetet e Bashkuara e kishin ndryshuar politikën e vet lidhur me teknologjitë e ndjeshme atomike”, tha Mark Fitzpatrick.

Ashtu si sot, Uashingtoni ishte i shqetësuar për planet e Iranit për riprocesimin e karburantit atomik. Plutoniumi i ndarë nga ky karburant i “përdorur” mund të përdoret si lëndë djegëse e reaktorëve, por edhe për të prodhuar armatim atomik.

“Shtetet e Bashkuara e kishin përdorur politikën e promovimit të riprocesimit sepse ishte mënyrë e riciklimit të atomeve të përdorura. Por, kjo politikë ndryshoi në fund të administratës së presidentit amerikan, Gerard Ford, dhe u përforcua nga administrata e presidentit, Jimmy Carter, që të mos mbështetet dhe të kundërshtohet riprocesimi dhe dhënia e teknologjive për Shahun e Iranit dhe për ta parandaluar atë që ta marrë nga ndonjë vend tjetër”, tha Mark Fitzpatrick.

Akbar Etemad, babai i programit atomik iranian, tha se negociatat me Shtetet e Bashkuara dhe me ish-Bashkimin Sovjetik, ishin ballafaquar me sfida që prej fillimit. “Shahu tha së pari se e gjithë ajo që dua është që të kemi energji atomike pasi ne na duhet ajo. Ai shtoi se tashmë ne nuk kemi nevojë për armatim atomik pasi Irani është fuqi kryesore rajonale. Por, në 15 apo 20 vitet e ardhshme balanca rajonale ushtarake ndryshon dhe ne duhet të shohim se çfarë duhet të bëjmë”, tha Akbar Etemad.

Për shkak të dyshimeve dhe mosbesimit, bashkëpunimi atomik i Shteteve të Bashkuara me Iranin u shkatërrua në vitin 1979, jo për shkak të mospajtimeve teknike, por për shkak të rrëmujës politike.

Revolucioni iranian e përfundoi sundimin e Shaut Reza Pahlavi në Iran dhe me këtë edhe lidhjet formale ndërmjet Uashingtonit dhe Teheranit, përfshirë, natyrisht, edhe bashkëpunimin atomik.

FOTO: Presidenti Dwight Eisenhower dhe Shahu i Iranit, Mohamed Reza Pahlavi

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *