Heqja e sanksioneve ndaj Iranit dhe uraniumi i pasuruar janë dy nga çështjet që po frenojnë një marrëveshje nukleare mes republikës islamike dhe gjashtë fuqive të mëdha. Çështja e sanksioneve është përmendur në mënyrë të përsëritur gjatë ditëve të fundit si një pengesë e madhe për nënshkrimin e një marrëveshjeje në qytetin zviceran të Lozanës.
Nga ana e tyre, iranianët duan që heqja e masave ndëshkuese të jetë e menjëhershme ndërsa 6 fuqitë kundërshtojnë këtë opsion dhe jo vetëm që shprehen se heqja e tyre duhet të jetë graduale, por që duhet të jetë e lidhur me përmbushjen nga ana e Iranit të pikave të tjera të marrëveshjes.
Përveç kësaj, fuqitë perëndimore (SHBA, Franca, Britania e Madhe dhe Gjermania) kërkojnë një mekanizëm për të rivendosur sanksionet e Kombeve të Bashkuara në mënyrë të menjëhershme në rast të një shkeljeje të mundshme të marrëveshjes nga pala iraniane.
Kohëzgjatja e marrëveshjes është një tjetër çështje që pengon negociatat, megjithëse është e kuptueshme se bëhet fjalë për një minimum prej dhjetë vjetësh për kapacitetin për hulumtim dhe zhvillim bërthamor që do të ketë Teherani, ndërkohë që aspekte të tjera do të kenë një tjetër kohëzgjatje.
Gjithashtu, subjekt i debatit të ashpër është edhe numri i centrifugave të gazit (për pasurimin e uraniumit) që Irani mund të bëjë pas nënshkrimit të marrëveshjes. Aktualisht bën rreth 20 mijë, nga të cilat gjysma janë operacionale, një numër që do të bjerë në rreth 6000 njësi edhe pse është gjithmonë në varësi të modelit dhe kapacitetit të prodhimit.
Uraniumi i pasuruar është lëndë e parë për karburantin nuklear që përdoret në centralet bërthamore, por gjithashtu ka përdorime të mundshme ushtarake, në varësi të pastërtisë së tij. Për më tepër, një pyetje që ende nuk ka përgjigje ka të bëjë me atë çfarë duhet të bëhet me uraniumin e pasuruar që Irani ka aktualisht, rreth 7000 kg, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike. Një negociator iranian duket se e përjashtonte mbrëmë mundësinë që ky material të dërgohej jashtë vendit, ndoshta Rusisë, një version që është mohuar sot nga fuqitë perëndimore.
Burimet shpjeguan se ende në tavolinë janë dy opsione , pra, ose ky material do të eksportohet, ose do të hollohet në Iran, dhe se asnjë prej tyre nuk është përjashtuar tani për tani. Negociatat në Lozanë udhëhiqen nga norma “asgjë nuk është arritur derisa gjithçka të arrihet”,diçka që e bën situatën shumë të vështirë për t’u ekuilibruar./DITA
