Ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian kanë zhvilluar sot një takim me dy krerët e grupit të punës për hartimin e programit të Qeverisë së majtë për 300 ditët e para,Ilir Beqja për Partinë Socialiste dhe Edmond Haxhinasto për Lëvizjen Socialiste për Integrim. Në përfundim të takimit, dy përfaqësuesit e maxhorancës së majtë kanë dhënë detaje rreth asaj çka është biseduar me diplomatët e huaj.
“Ambasadorët ishin shumë të interesuar për shtetin e së drejtës, për luftën kundër korrupsionit, për një sistem drejtësie të pavarur, pra për vlerat themelore të Bashkimit Europian. Ambasadorët ishin të interesuar për të shtyrë përpara bashkëpunimin ekonomik të vendeve respektive me Shqipërinë dhe ishin shumë të interesuar për klimën e biznesit, për domosdoshmërinë e një sistemi të qëndrueshëm fiskal”, tha Beqja.
“U vlerësua fakti që në programin tonë kemi një referencë të vazhdueshme përsa u takon detyrimeve për procesin e integrimit të vendit, për paketën e detyrimeve që duhet të ndërmarrim sa i takon këtij procesi, gjithashtu u vlerësua shumë edhe përqasja që ne kemi, sa i takon angazhimit të opozitës në proceset politike që kanë të bëjnë me zhvillimin e vendit dhe me integrimin e vendit dhe sigurisht gatishmëria jonë për të angazhuar sa më shumë opozitën në të gjithë proceset e ardhshme, që do të kërkojë ky proces integrimi”, tha Haxhinasto.
Dy përfaqësuesit bënë të ditur se një draft paraprak i programit të përbashkët PS-LSI do të jetë i gatshëm brenda 10 ditësh.

e ku meti sala . ah sa merak i ka met me taku ambasador tash i shef vetem ne tv