Programi Kombëtar për Kujdesin Shëndetësor në komunitet nis me vaksinimin e 150 fëmijëve rom

Pranvera Kola

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka nisur zbatimin e një programi kombëtar për ofrimin e kujdesit shëndetësor parësor në komunitet, duke filluar me procesin e vaksinimit për kategoritë vulnerabël pranë vendbanimeve të tyre. Ministrja Ogerta Manastirliu ishte sot pranë 60 familjeve të komunitetit rom, të vendosur në banesat sociale në zonën e Lanabregasit, ku filloi programi i vaksinimit për 150 fëmijë të këtij komuniteti.

“Nisim sot, me fëmijët e komunitetit rom këtu në Lanabregas një program konkret të shërbimit shëndetësor në territor, për të ofruar shërbimin shëndetësor aty ku janë nevojat, kryesisht për grupet vulnerabël. Fillojmë me programin e vaksinimit, sipas kalendarit të vaksinave të detyrueshme, sepse për ne fëmijët janë të parët. Ky është një program që do të shtrihet kudo ku ka komunitete në nevojë, jo vetëm në Tiranë por në të gjithë Shqipërinë”, tha Ministrja Manastirliu.

Në këtë komunitet, në periferi të Tiranës u vaksinuan 25 fëmijë që nuk ishin vaksinuar asnjëherë më parë, si dhe rreth 130 fëmijë që ishin pjesërisht të vaksinuar. Ndërsa mjekët e Qendrës Shëndetësore të Shkozës kryen vizita për fëmijët që paraqisnin probleme shëndetësore me gripin stinor si dhe hapën kartela shëndetësore për fëmijët, të cilët më pas do të ndiqen nga qendra shëndetësore e kësaj zone.

Sipas të dhënave në nivel kombëtar, Shqipëria ka një nivel shumë të lartë vaksinimi për 11 vaksinat e detyrueshme të kalendarit të vaksinimit, por kjo nismë e dikasterit të Shëndetësisë synon të zgjerojë mbulesën vaksinale, duke sjellë shërbimin sa më afër komunitetit.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *