Projekt-buxheti 2016, shpenzimet më pak se këtë vit

Saimir Lleshi

Shpenzimet e llogaritura të buxhetit të vitit 2015 nuk janë realizuar sipas parashikimit.

Referuar treguesve fiskalë për 10 mujorin niveli i realizimit të shpenzimeve buxhetore arrin në 72%, ndërkohë që sipas relacionit që shoqëron buxhetin e vitit të ardhshëm, totali i shpenzimeve publike për vitin 2016 është planifikuar të arrijë 452.1 miliardë lekë me një reduktim 1% në raport me aktin normativ të vitit që po lëmë pas.

Ndërsa të ndarë sipas zërave ato janë, shpenzimet e personelit, ku pritet që reforma e administratës publike të fokusohet në rritjen e vazhdueshme të eficencës së administratës qendrore, e cila do të arrihet nëpërmjet ristrukturimeve të institucioneve ekzistuese. Numri i punonjësve për vitin 2016 arrin në 81.350 punonjës, duke reflektuar transferimin e disa funksioneve nga qeverisja qendrore në atë vendore, sipas relacionit të projekt buxhetit.

Gjithashtu shpenzimet për interesa janë bazuar në fluksin e huamarrjes së brendshme dhe të huaj, si dhe në nivelin e parashikuar të normës së interesit. Për pasojë, shpenzimet për këtë zë parashikohen në nivelin 43 miliardë lekë ose 2.8 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), duke mbajtur të njëjtin nivel si përqindje ndaj PBB me aktin normativ 2015.

Ndërsa shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes për qeverisjen qendrore për vitin 2016 (pa përfshirë shpenzimet që realizohen nga institucione publike, që kanë si burim financimi të ardhurat jashtë limitit), janë parashikuar në masën 38.7 miliardë lekë ose rreth 2.5% për qind të PBB-së. /DITA/

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *