Valentina Leskaj: Buxheti më i keq për arsimin
Ardhja e vitit të ri pritet të sjellë probleme të shumta në arsimin shqiptar pasi fondet e përcaktuara në buxhetin e 2013-s janë shumë të ulëta krahasuar me nevojat e këtij sektori. Komisioni parlamentar i edukimit është ndezur nga debatet pasi ministri Myqerem Tafaj ka detajuar projektbuxhetin e planifikuar për arsimin gjatë 2013-s. Pavarësisht pretendimeve të ngritura nga ministri Tafaj, përfaqësuesit e komisionit kanë deklaruar se buxheti për këtë sektor, që nga qeveria cilësohet ende përparësi, ka ulje të ndjeshme.
Kryetarja e komisionit Valentina Leskaj deklaroi se ky është buxheti më i keq dhe më i ulët në 15 vitet e fundit. Sipas saj, arsimi rrezikohet nga rrënimi, ku përjashtim nuk bëjnë as godinat e shkollave që këtë vit do të kenë investimet më të ulëta në dekadën e fundit. “Si është e mundur të quhet ende prioritet, kur problemi më i madh është kur fëmijët e fshatit nuk shikojnë dot në shkollë, sepse ka nisur bora për shkak të kuotës së transportit që e keni ulur. Nuk përballohet me atë kuotë”, ka pohuar Leskaj.
Deputetet e opozitës argumentuan problemet në shkolla, kopshte dhe në gjithë sistemin arsimor, duke vënë theksin edhe tek ulja e zërit të investimeve të parashikuara në këtë projektbuxhet, me rreth 7 milionë dollarë. Gjatë prezantimit në komisionin e edukimit, ministri Tafaj ka pranuar se ky nuk është buxheti më i mirë, duke përdorur ndaj tij termin realist. Për kreun e arsimit, edhe për 2013-n do të jenë përparësi investimet në shkolla dhe arsimi profesional. Buxheti i vitit 2013 parashikon që për arsimin të financohet 2.7 për qind e GDP-së.
Fondet e punësimit në nivele të ulëta
Opozita e konsideron si aspak real buxhetin prej 59.67 miliardë lekësh,që i akordohet Ministrisë së Punës e Çështjeve Sociale për 2013. Sipas deputetes së PS-së, Eglantina Gjermenit, ky buxhet nuk ka për të garantuar rritje të punësimit, sektori ky që gjendet në vështirësi të shumta pasi numri i të papunëve ka pësuar rritje gjatë viteve të fundit. Këtij shqetësimi të ngritur Ministri i Punës, Spiro Ksera, iu përgjigj duke thënë se buxheti ka pësuar rritje me 6.2 miliardë më shumë lekë se ai i vitit 2012, rritje e cila do të reflektohet edhe në programet e nxitjes së punësimit për të gjitha kategoritë në nevojë, si dhe të rinjtë.
Sipas Kserës, fondi që i shkon nxitjes së punësimit duhet të ishte më i madh, por gjithsesi ai siguron të paktën punësimin e rreth 16 mijë personave. Ministri sqaroi se pjesa më e madhe e parave i shkon ndihmës ekonomike, pagesës për paaftësinë, kompensimit të ish-të përndjekurve politikë, ndërsa pjesa tjetër për restaurimin e institucioneve të përkujdesit social.