Përmes një ndryshimi në vendimin e qeverisë së vitit 2007, është përcaktuar se për koncesionet në rrugë me vlerë investimi apo shërbimi mbi 50 milion euro, garancia që duhet të paguajnë kompanitë konkurente do të jetë në masën 2 për qind. Para miratimit të këtij ndryshimi, ligji për koncesionet përcaktonte si detyrim që garancia e kompanive garuese të ishte në masën 2 për qind, por nuk detajonte vlerën e investimit apo shërbimit dhe as nuk përcaktonte mënyrat sesi rrugët kombëtare do të jepeshin me koncesion.
Ky ndryshim ligjor vjen në një kohë që qeveria po kryen dy procese të rëndësishme të dhënies së rrugëve kombëtare me koncesion. Tentativa e parë për dhënien e shërbimit të një autostrade me koncesion është ajo e ndërmarrë që vitin e kaluar, ku 5 kompani të huaja shfaqën interes për segmentin Milot-Morinë të autostradës Durrës-Kukës. Për këtë aks rrugor të rëndësishëm, sipas ministrisë së Transporteve, kompania fituese do të mirëmbajë këtë aks rrugor duke realizuar edhe rregulimet përkatëse që tejkalojnë vlerën 80 milion euro. Po ashtu, një proces tjetër i ndërmarrë nga qeveria është ai ndërtimit me koncesion të autostradës Fushë Krujë-Rrogozhinë, që ka si vlerë investimi në total rreth 600 milion euro.
Kompania që do të shpallet fituese, do të ndërtojë këtë aks rrugor 64 kilometra të gjatë ndërsa për 25 vite do të kujdeset edhe për mirëmbajtjen e saj. Përveç këtyre dy proceseve, qeveria shqiptare ka planifikuar që në përfundim të punimeve, të kalojë në menaxhim privat edhe rrugën e re që lidh Tiranën me Elbasanin përmes tunelit të Kërrabës. Në të gjitha rastet, kompanitë fituese në garat për dhënien e rrugëve me koncesion, do të duhet të kujdesen për mirëmbajtjen e tyre përmes të ardhurave që krijohen nga vendosja e tarifave të veçanta për kalimin e automjeteve. E.Shehu