Projekti i qeverisë, karburantet do taksohen më shumë

anazapta

Projekti i qeverisë së re pritet të sjellë një sërë rritje taksash, sidomos në ato fusha ku deri tani sistemi i taksimit ka qenë i shmangur në një farë mënyre. Burime nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se tregu i karburanteve do të jetë ai që do të taksohet më shumë  për të gjitha nivelet. Nëse deri tani është folur vetëm për nivelin e taksimit të ndotjes së karburantit nga 7 lekë për litër që është deri tani në 14 lekë për litër, ky treg do të taksohet dhe në nivele të tjera, theksojnë burime të Ministrisë së Financave, por që ende mbeten të padefinuara nga grupi i punës që po punon për paketën fiskale. Kur i pyetëm se këto ndryshime taksash ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë tek konsumatori, për më tepër që nuk diskutohet për ndryshim të nivelit të pagave apo të pensioneve, përgjigja ishte fare e qartë nga drejtues të këtij dikasteri “janë kosto të asaj që kemi kaluar nga qeveria e shkuar”. Megjithatë theksohet se ky nuk është vendimi përfundimtar i grupit të punës, pasi pritet fillimi i javës tjetër që të qartësohen në detaje ndryshimet e taksave që do të paguajnë qytetarët në vitin 2014. Por e përkthyer në fjalë të thjeshta, taksimi për karburantin do të çojë direkt në një rritje çmimi të tij, duke patur parasysh dhe faktin që prej kohësh çmimi i tij ka qenë mjaft i lartë krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Kjo do të thotë rritje çmimesh në të gjithë sektorët jetikë, duke u reflektuar në mallra me kosto më të lartë për vitin 2014

 

Zbardhet funksionimi i taksës progresive

Tashmë është e qartë nga qeveria e re se sistemi i pagave do të jetë i taksuar progresivisht. Edhe pse analistët ekonomikë e kanë parë me skepticizën e disa të tjerë kanë qenë pro kësaj mënyre taksimi, në program është e qartë tashmë se taksa progresive nuk do të mbetet thjesht një opsion, por do të aplikohet në të gjithë nivelin e pagave. Grupi i punës që po punon për këtë projekt deri tani ka zbardhur një opsion të mënyrës së aplikimit të kësaj takse. Kështu deri tani përcaktohet që individët që kanë të ardhura 300 mijë lekë, ose më shumë në muaj do të paguajnë tatim mbi të ardhurat 25%. Në ndryshimet e parashikuara taksa progresive për tatimin mbi të ardhurat po diskutohet që të ketë tre deri në katër shkallë, 0-10, 10-15, 15-20, 20-25%. Nga të dhënat pararake, janë rreth 7000-8000 individë që deklarojnë të ardhura 300 mijë lekë, apo më shumë në muaj. Ndërkohë që dhe rreth 95% e individëve, sipas projektit pritet që të kenë një rritje të lehtë të tatimit mbi të ardhurat. Më të prekur do të jenë individët që kanë të ardhura mbi 150 mijë lekë. Megjithatë burime pranë Ministrisë saktësojnë se do të jetë fillimi i javës ai që do të përcaktojë mënyrën e taksimit, duke pranuar vetëm faktin se taksa progresive është opsion i pashmangshëm dhe nuk do të ketë më taksë të sheshtë.

 

Tatim fitimi, 15 për qind për biznesin e madh

Një nga zërat e taksave që pritet të ketë ndryshim, është dhe tatimi mbi fitimin për të ardhurat e biznesit. Në të vërtetë sipërmarrësit e kanë kundërshtuar këtë opsion, gjatë gjithë periudhës që është folur për ndryshimin e tij që deri tani ishte 10 për qind për të gjithë biznesin dhe nga qeveria e re u premtua se çdo ndryshim taske do të merret duke u konsultuar me biznesin. Por grupi i punës që po punon për paketën e re fiskale, pranon që tatimi mbi fitimin do të jetë në dy nivele,  15 për qind për biznesin që ka më shumë se 5 milionë lekë xhiro në vit dhe 7.5 për qind për biznesin e vogël me xhiro nga 2-5 milionë lekë. Ndërkohë që po punohet në dy variante për taksën e automjeteve, që në thelb kanë supertaksimin e makinave të vjetra. Por vendimet përfundimtare pritet të merren ditën e hënë, pasi të jetë definuar dhe raporti i kompanisë “Deloitte” që gjatë muajit nëntor ka kaluar në “skaner” financat shqiptare.

Share This Article
2 Comments
  • Ulje taksash vetëm për biznesin e vogël dhe zbrazje xhepash të konsumatorëve të varfër. Rritja e çmimit të karburantit (me një konsum mesatar mujor prej 100 lit/muaj x 7 lekë/lit = 700 lekë/muaj për përdorimin e një mjeti), si dhe rritjet zinxhir që shtimi i kësaj takse do të krijojë në treg, do të bëjë që biznesit të vogël realisht të mos i jetë ulur asgjë, pasi do t’i bjerë puna përmes së cilës ata detyroheshin të derdhnin në arkën e shtetit. Me një fjalë, vetëm varfërim të individëve në përgjithësi dhe të pronarëve të mjeteve në veçanti. Kjo po që është një mënyrë për të rilindur edhe më të varfër!

  • Qeveria ne rradhe te pare duhet te gjeje mekanizmat per te thyer monopolin e karburanteve dhe per te ulur normat e fitimit qe ne Shqiperi jane shume me te larta se ne vendet fqinje dhe ato te BE.Ne sot blejme nafte dhe benzine me cilesi shume te dobet me nje cmim te njejte me Greqine(1.3-1.4 €/liter)dhe me te shtrenjte se Serbia,Maqedonia dhe Mali i Zi(1.2 €/liter) edhe pse taksat mbi karburantet tek ne jane me te vogla se ne Greqi.
    Perse shteti nuk vendos monopol shteteror mbi importet dhe cmimet e naftes ashtu sic ben Maqedonia? Po te behej keshtu nuk do te na rripnin me keto cmime qe mbajne sot monopolet e Kastratit dhe Tacit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *