Projekti: Jetimët 16-25 vjeç do të strehohen në qendra kalimtare

anazapta

Dikasteret qeveritare duhet të kthejnë sytë drejt mbrojtjes së të drejtave të jetimëve, të cilët po përballen me kushte të vështira jetese. Vështirësitë në sigurimin e alternativave të punësimit, arsimimit si dhe strehimit janë problemet që po rëndojnë gjithnjë e më shumë jetën e mijëra jetimëve në vend. Kjo barrë e rëndë po godet më së shumti jetimët që mbushin moshën 16 vjeç, të cilët janë të detyruar që të largohen nga shtëpitë e përkujdesit ku janë strehuar për vite me radhë, pasi ligji nuk e lejon më tej qëndrimin e tyre në këto ambiente.

Dita Kombëtare e Jetimëve edhe këtë vit e ka gjetur këtë shtresë me probleme të shumta, ndaj të cilave sërish janë bërë premtime të shumta për ndihmë dhe mbështetje. Kundrejt kësaj gjendje drejtuesit e Shërbimit Social Shtetëror kanë konfirmuar se për këtë kategori jetimësh që me mbushjen e moshës 16 vjeç duhet të lënë shtëpitë e fëmijës, po mendohet ngritja e një qendre të specializuar.

Konkretisht, drejtoresha e Shërbimit Social Shtetëror, Kozeta Mesiti, ka bërë të ditur se shumë shpejt do të bëhet e mundur ngritja e një qendre sociale kalimtare për jetimët nga mosha 16- 25 vjeç, të cilëve do t’u ofrohet ndihmë në arsimin, strehim e punësim.

Ndërkohë që ligji  aktual këto të drejta i rezervon vetëm për jetimët deri në moshën 16 vjeç. “Ne po mendojmë që të krijojmë një qendër rezidenciale kalimtare, nga mosha 16-25 vjeç. Ne duam që në këtë qendër t’i ofrohen dhe shërbime, mundësi kualifikimi dhe ata të dalin me një formim të caktuar në jetë. Projekti është bërë dhe presim një financim nga donatorë të ndryshëm dhe qeveria shqiptare”, ka bërë të ditur drejtoresha e SHSSH-së, Kozeta Mesiti, gjatë vizitës së zhvilluar dje në shtëpinë e foshnjës në Tiranë.

Shifrat e raportuara nga autoritetet e SHSSH-së bëjnë me dije se pranë qendrave rezidenciale akomodohen rreth 595 fëmijë të moshave të ndryshme, ndërsa 1609 të tjerë kanë marrë shërbime ditore në qendrat komunitare.

Sa u takon procedurave të birësimit, Mesiti vë në dukje se është shtuar numri i kërkesave, teksa po veprohet edhe me forcimin e kritereve dhe procedurave për kalimin e kujdestarisë, me qëllim gjetjen  ambienteve sa më të ngrohta e familjare për fëmijët jetimë.

“Janë 66 kërkesa për kujdestari, jo të gjitha mund ta fitojnë sepse ne bëjmë një kujdes shumë të madh për respektimin, plotësimin e kritereve, të cilat duhet të përmbushen sipas akteve ligjore. Jemi në proces duke diskutuar, një pjesë e kanë fituar po ende janë në shqyrtim shumë familje”, shton Mesiti.  Gjatë vitit 2012 janë rikthyer nga institucionet publike dhe jopublike në familjet biologjike 34 fëmijë, janë realizuar 53 birësime të fëmijëve nga institucionet Publike të Përkujdesit. Ndërkohë që në bashkëpunim me pushtetin vendor po punohet për aplikimin e projektit pilot për vendosjen e fëmijëve në familje kujdestare të përkohshme. Nga Shërbimi i Kujdestarisë familjet kujdestare u sigurojnë fëmijëve strehim, veshmbathje, shkollim dhe shërbime të tjera indirekte dhe për këtë familjeve kujdestare u jepet një pagesë mujore bazuar në vendimin: “Strategjia e Shërbimit të Kujdestarisë Familjare”.

 

Ekspozita për 95-vjetorin e hapjes së parë vorfënore në Shqipëri

Rreth 95 vjet më parë, me iniciativën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës së asaj kohe, Zyber Hallulli, u hap streha e parë vorfnore, e cila u shoqërua me çeljen e shumë të tjerave në rrethe të ndryshme të vendit. Përkujtimi i këtij rrugëtimi, me momentet më të veçanta të jetës së tyre në institucionet e shtëpisë së fëmijës në tiranë dhe rrethe, është rrëfyer  dje në një  ekspozitë të ngritur përgjatë rrugës “Murat Toptani”. Nëpërmjet një marshimi paqësor, në të cilin morën pjesë qindra fëmijë jetimë është apeluar për ndihmë dhe ndryshime në bazën ligjore me qëllim që mbështetja për këtë shtresë të mos mbarojë pas nxjerrjes së tyre nga qendrat e përkujdesit social. Numri i fëmijëve të mbetur jetimë nga viti në vit ka ardhur në rritje. Braktisja, gjakmarrja apo dhe shtimi i numrit të aksidenteve dhe sëmundshmërisë ka bërë që shumë fëmijë të humbin të dy prindërit.  Drejtori I institutit kombëtar të integrimit të jetimëve, Ilir Çumani, ka apeluar për integrimin e jetimëve në shoqërinë shqiptare.

 

Kriteret për përfitimin e statusit të jetimit

-Përfitojnë statusin e jetimit personat me moshë nga 0-25 vjeç, që kanë kaluar ose jo nëpër institucione shtetërore a private të përkujdesit shoqëror dhe që plotësojnë këto kritere:

-Që lindin jashtë martese

-Që nuk kanë gjallë asnjërin nga prindërit

-Personat  të cilëve me vendim të formës së prerë të gjykatës u është hequr e drejta prindërore e të dy prindërve ose u është hequr e drejta prindërore e njërit prind dhe prindi tjetër nuk jeton.

-Personat që braktisen nga të dy prindërit dhe nuk u njihet identiteti i tyre.

 

Dokumentet që duhen dorëzuar për të përfituar nga statusi :

-Certifikatën e lindjes së personit;

-Dokumentin që vërteton trajtimin e tyre nga institucionet publike a private të përkujdesit shoqëror (shtëpitë e foshnjës dhe fëmijës), nëse janë të sistemuar në këto institucione.

-Certifikatën e vdekjes së dy prindërve nëse asnjëri prej tyre nuk është gjallë.

-Vendimin e gjykatës së formës së prerë për rastin e heqjes së të drejtës prindërore  të të dy prindërve ose për njërin prind,  kur prindi tjetër nuk jeton, si dhe certifikata e vdekjes së prindit që nuk jeton.

-Vendimin e gjykatës që e deklaron të braktisur fëmijën nga të dy prindërit ose nga njëri prind kur prindi tjetër nuk jeton për rastin kur fëmija është nën moshën 18 vjeç.

-Ndërsa  jetimët që plotësojnë kushtet e përcaktuara në ligjin  “Për Statusin  e Jetimit” dhe kanë kaluar moshën 25 vjeç,  përveç dokumenteve të përcaktuara më sipër, për të përfituar statusin e jetimit duhet të paraqesin dhe këto dy dokumente shtesë: “ vërtetim qe personi është ose jo në skemën e ndihmës ekonomike, vërtetim qe personi është i pastrehë, i marrë në Zyrën e Strehimin në Bashki ose Komunë, si dhe vërtetim nga konvikti i shkollës së mesme që personi është trajtuar gjatë viteve të shkollës si jetim.

-Kur vërtetohet ndryshimi i situatës ekonomike dhe të strehimit të personit jetim, ai nuk përfiton më nga statusi i jetimit.

 

 

Arsimi profesional, bie interesi për profilet e ndërtimit

Bie interesi për ndjekjen e studimeve profesionale në degët e ndërtimit. Ndonëse ky profil për vite me radhë ka regjistruar fluks të lartë kërkesash për studime profesionale, së fundmi është vënë re që të rinjtë po e përzgjedhin gjithnjë e më pak. Shkak për këtë bëhet vështirësia në gjetjen e një alternative punësimi e cila bie ndesh me nevojat e theksuara që tregu i punës në Shqipëri kërkon për këtë profil. Autoritetet e arsimit bëjnë me dije se faktorët që po ndikojnë në zbehjen e interesit të rinjve për të ndjekur arsimin profesional në këtë degë, (edhe pse ndërtimi tani kryeson në tregun e punës), ka të bëjë me faktin se firmat private që veprojnë në këtë fushë, së fundmi po punësojnë njerëz me paga minimale dhe të pashkolluar.

“Shoqatat e biznesit dhe industritë e ndërtimit që janë, siç duket, gjejnë punëtorë të paarsimuar, që e kanë më kollaj t’i fusin në tregun e tyre me një pagë minimale. Kemi biseduar dhe me shoqatën e ndërtuesve, që patjetër në këtë degë duhet të integrohen studentë që përfundojnë shkollat profesionale, sidomos atë të ndërtimit”, detajon drejtori i shkollës së mesme profesionale “Karl Gega”,  Agim Jakupi.

Sipas tij, aktualisht të rinjtë po orientohen më shumë drejt degëve të tjera, e veçanërisht drejt profileve që lidhen me mekanikën. “Nuk e di pse pak nga pak njerëzit po u drejtohen interesave të tyre dhe po shohim që në industrinë e automjeteve, meqë kanë hyrë me mijëra automjete në Shqipëri, të gjithë i drejtohen degës së shërbimeve të automjeteve, apo automekanikës”, shton Jakupi.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *