Projekti ‘JuST’, i financuar nga USAID, përmbylli sot misionin e saj 5-vjeçar, me një ceremoni madhështore ku ishin të ftuar amabasadori amerikan, ministri i Drejtësisë, krerët e gjykatave në vend, avokatë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Gjatë fjalës përshëndetëse, ambasadori amerikan Donald Lu, deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të vijojnë mbështetjen për të ndërtuar një drejtësi siç e meriton populli shqiptar.
Lu, tha: “USAID ka shpenzuar rreth dhjetë milionë dollarë gjatë pesë viteve të fundit, në mbështetje të Projektit për Forcimin e Sistemit të Drejtësisë (JuST). Qëllimi i këtij projekti ka qenë forcimi i aktivistëve shqiptarë të OJQ-ve, gazetarëve të pavarur, zyrtarëve të gjykatave dhe profesorëve që të punojnë për ndryshimin”.
Ambasadori amerikan u ndal edhe tek arritjet në sistemin e drejtësisë, ku projektit ‘JuST’ përgjatë këtyre viteve u përqendrua në rritjen e transparencës, paanshmërisë dhe efikasitetit në gjykatat shqiptare.
Lu, theksoi: “Pesë vite më parë, një çështje penale në Korçë ose në Krujë kërkonte zhvillimin e nëntë seancave gjyqësore për marrjen e një vendimi. Sot, nevojiten vetëm tri seanca gjyqësore, falë teknikave të prezantuara të menaxhimit aktiv të çëshjeve gjyqësore.
Kjo u jep njerëzve drejtësi pak më shpejt. Gjatë pesë viteve të fundit, ‘JuST’ ka mbështetur Shoqatën e Gazetarëve për Drejtësi, për krijimin e një faqeje interneti të pavarur, për botimin pa censurë ose ndërhyrje të artikujve dhe të kryeartikujve” – u shpreh Lu.
‘JuST’ ndihmoi për krijimin e Shoqatës së Gazetarëve për Drejtësi (SHGD), organizatë kushtuar gazetarisë investigative dhe trajtimit të një sërë problemeve, që hasen në mjaft institucione shtetërore shqiptare.
Projekti mbështeti SHGD-në për të krijuar partneritet me qendra serioze të gazetarisë investigative në rajon. ‘JuST’ ndihmoi për krijimin e nje faqeje të medias së pavarur, www.investigim.al, për të publikuar, me shkrim dhe me vidio, raportime investigative që zbulojnë raste korrupsioni.
Deri tani, janë publikuar 63 raste që lidhen me korrupsion. 38 studentë të gazetarisë janë tashmë të trajnuar me teknikat e investigimit dhe po luajnë rol aktiv në përgatitjen e artikujvë investigativë.
Regjistrimi në audio i seancave gjyqësore, krijimi i Unionit të Gjyqtarëve, si dhe ngritja e Klinikës së Ligjit, ishin disa nga risitë e tjera që mundësoi projekti ‘JuST’.







