Projekti TAP, Gjiknuri në Azerbaxhan, memorandum bashkëpunimi për gazifikimin

redaktor

Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri po zhvillon një vizitë në Azerbaxhan. Ai mori pjesë në punimet e një konferencë të rëndësishme për gazin ku pati rastin të takohet me aktorë shumë të rëndësishëm politikë e të biznesit në fushën e naftës dhe gazit. Gjiknuri ishte gjithashtu i pranishëm edhe në Ekspo Caspian Gas and Oil 2014.

Zyra e shtypit praën kësaj ministrie bëri me dije se në ditën e parë të qëndrimit në Baku, Ministri Gjiknuri u prit në një takim nga Ministri i Energjisë dhe Industrisë së Republikës së Azerbaxhanit,.Natig Aliyev.

Në fokus të takimit ishte finalizimi i Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Republikës
së Shqipërisë dhe asaj të Azerbaxhanit për bashkëpunimin në zhvillimin e Master Planit të Gazifikimit të Shqipërisë.

Ministri Gjiknuri bëri një ekspoze të angazhimit të plotë të qeverisë shqiptare për lehtësimin e zbatimit të Projektit TAP në territorin e Shqipërisë, duke theksuar miratimin e Lejes Zhvillimore Komplekse, si dhe procesimin me Komisionin e Ndihmës Shtetërore, për marrjen e Autorizimit të TAP.

Nga ana e Qeverise së Azerbaxhanit dhe SOCAR u ndërmor angazhimi për bashkëpunim në përgatitjen dhe vlerësimin e kushteve dhe nevojave teknike dhe komerciale, lidhur me kapacitet absorbuese; përdorimin për nevojat për energji; infrastrukturen e shpërndarjes për Gazifikimin e Shqipërisë.

Memorandumi do të zyrtarizohet nga qeveria Azere dhe grupet e përbashkëta të ekspertëve do të nisin procedurat e përgatitjes së Master Planit.

Ministri Gjiknuri u shpreh për nevojën e bashkëpunimit edhe për vënien në punë të Termo Centralit të Vlorës duke shfrytëzuar infrastrukturen potenciale lidhëse të projektit TAP.

Ministri azer Aliyev u deklarua optimist për bashkëpunimin e ngushtë me Shqipërinë, në sektorin e gazit.

Në kuadër të Ekspo Caspian Gas and Oil, Ministri Gjiknuri realizoi takime me përfaqësues të Bodit Drejtues të Projekti TAP, si dhe me personalitetet politike të Azerbaxhanit dhe Rajonit.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *