Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP), konsiderohet si një nga projektet më të rëndësishme për vendin tonë. Sa herë është shkruar mbi çfarë parashikon projekti, si do të aplikohet dhe kur nis faza e punimeve, ka patur me të drejtë skeptikë për nisjen e tij.
Por dje duket se është hedhur një hap konkret duke qenë se kompanitë ndërtuese të këtij projekti janë mbledhur në Tiranë për të hartuar masterplanin e tij. Paralelisht me këtë projekt interes të madh paraqet gazifikimi i vendit tonë në mënyrë që të bëhet përfituese e drejtpërdrejtë e këtij projekti të rëndësishëm.
“Që Shqipëria të përfitojë patjetër duhet të zhvillojë një treg gazi, por për këtë duhet përfshirja e investitorëve në këtë drejtim dhe përfshirja e tyre do të vijë kur ata do të kenë të qartë që ka një treg të mundshëm, një konsum të mundshëm dhe ka një plan”.
Kjo ishte deklarata e djeshme e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri në takimin me krerët e kompanive, duke lënë qartë të kuptohet se ky është një projekt i rëndësishëm për vendin tonë, po kërkon një plan të detajuar dhe një investim serioz nga kompanitë.
Nga ana tij Murat Heydarov këshilltar i Presidentit të ‘SOCAR’ shprehet se “nëse e sheh situatën energjetike të Europës Juglindore apo Ballkanit, roli i Shqipërisë është i një ure lidhëse që do të ndihmojë gazin alternativ të arrijë në vendndodhje të ndryshme në Europë, veçanërisht në Europën Juglindore dhe Ballkan”. Por e gjitha kjo kërkon një plan pune të detajuar.
“Sa i përket rrjetit, është jashtë funksionit dhe ka nevojë të rikonstruktohet. Pjesë të tij mund të duhet të zëvendësohen totalisht. E gjithë kjo është një sfidë e madhe por dhe një mundësi e madhe për të bërë një hap përpara në drejtim të diversifikimit të energjisë dhe sigurisë energjetike.
Dua t’ju siguroj se Bashkimi Europian është gati të ndihmojë Shqipërinë të arrijë këtë objektiv”, tha Clive Rumbold, i ngarkuari me Punë i delegacionit të BE në Shqipëri.
Këto deklarata u shprehën dje në seminarin që kishte organizuar Ministria e Energjisë dhe Industrisë në bashkëpunim me kompaninë shtetërore azere të naftës SOCAR. Në tryezë morën pjesë përfaqësues të Shell, British Petroleum, WBIF, TAP AG, KESH, Albpetrol, ECS, DG Energy, EBRD.
Aktualisht, Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka ndërmarrë hapa konkrete në drejtim të realizimit të objektivit për gazifikimin e Shqipërisë.
Me qeverinë e Azerbajxhanit është nënshkruar në dhjetor të vitit 2014 “Memorandumi i Mirëkuptimit” për bashkëpunimin për zhvillimin e Master Planit të Gazit të Shqipërisë. Sipas këtij memorandumi, kompania SOCAR, në bashkëpunim me qeverinë shqiptare dhe Gazsjellësin TAP, si dhe aktorët e tjerë të interesuar nga Azerbajxhani, do të menaxhojë dhe financojë Studimin e Fizibilitetit të Master Planit të Gazit.
Nga ana tjetër, Western Balkans Investment Frameëork (WBIF) ka miratuar financimin prej 1.1 milionë euro për hartimin e Master Planit të Gazit (GMP) dhe të Project Identification Project (PIP), sipas aplikimit të MEI-t në shkurt të vitit 2014.
Çfarë parashikon projekti?
Projekti TAP përfshin planifikimin, zhvillimin, ndërtimin dhe aktivizimin e gazsjellësit dhe të impianteve të lidhura me të (përfshirë stacionet e kompresorëve, stacionet e matjes, terminalin e pritjes së gazsjellësit, stacionet e valvulave të bllokimit dhe dy stacione të daljes në det) për transportin e gazit natyror të thatë nga pika e lidhjes pranë Kipoit në kufirin grek/ turk për në juglindje të Italisë.
Gazsjellësi do të kalojë përmes Greqisë dhe Shqipërisë, përmes detit Adriatik dhe do të mbërrijë në zonën e daljes në det në provincën italiane të Leçes. Nga zona e daljes në det gazsjellësi do të vijojë rrugën për tek TPG, ku do të bashkohet me rrjetin italian të gazit (rrjetin Snam Rete Gas).
Projekti do të realizohet në dy faza. Faza e 1-rë parashikon një kapacitet të gazsjellësit prej 10 MMKV. Në fazën e 2-të kapaciteti do të rritet në 20 MMKV. Kjo rritje e kapacitetit nuk është planifikuar aktualisht deri dhjetë vjet pas vënies fillestare në punë të gazsjellësit. Pika fundore është lidhja me rrjetin SRG, që ndodhet në murin rrethues të TPGI01.
Rrjedha normale e gazit do të jetë nga lindja drejt perëndimit. Gazsjellësi TAP do të projektohet për rrjedhën në drejtim të kundërt si një masë emergjence. Tre SVB janë planifikuar me linja marrëse në Greqi dhe dy në Shqipëri (në Korçë dhe Fier).
