Kriza ekonomike, e cila filloi depërtimin gradual nga skajet periferike evropiane drejt qendrës së zonës euro, gjeneroi edhe formulimin e një sërë projektesh politike, për të mundësuar përballjen me këtë fenomen. BE e gjendur historikisht në një terren institucional dhe politik aspak të favorshëm për gjetjen e një konsensusi në zgjedhje skenarësh, ripërballet sërish me propozime ofruese në sferën ekonomike, të cilat hasin rezistencë në fushën politike. Në këtë kompleksitet gjetje konsensusi, ndërhyjnë dhe faktorë të tjerë specifikë të përfaqësuar nga interesat e 28 shteteve të ndryshme, si edhe prononcimi i mundshëm popullor nëpërmjet referendumeve, që mund të ndikojnë në frenimin e projekteve, si edhe ka ndodhur në Irlandë, Francë apo Holandë.
Drejt një “Unioni Politik”: Europa e “klasit” të parë
Opsioni me inspirim federal i Berlinit, ripozicionues i aksit franko-gjerman, synon formësimin e një “Unioni Politik”, mundësisht të ndarë në dy kategori, nëse has në rezistencë miratimi. Ndarja presupozohet të projektohet mbi vendet e Eurogrupit (18 shtete anëtare), të cilat do të avancojnë drejt një integrimi më të thellë politik dhe ekonomik, duke e vendosur këtë me një marrëveshje vetëm mes tyre. Një marrëveshje, e cila mund të inkuadrohet në traktate në një kohë të mëvonshme, ndërsa 10 vendet e tjera, nuk do të jenë pjesë e këtij projekti politik. Realizmi i këtij projekti midis 18 vendeve anëtare të zonës euro, synon konkretisht një integrim të thellë të Unionit politik dhe monetar, thellim të politikave fiskale dhe buxhetore, duke nënkuptuar gjithashtu lëshime të tjera në fushën e sovranitetit kombëtar, drejt Unionit të ri politik, për t’i dhënë atij mundësinë për një rol më të madh kontrollues.
Kjo shkëputje politike do të konturohet dhe nga institucionet mbështetëse, të cilat do të formësohen mundësisht, duke shmangur dublimin e mundshëm të tyre. Pra, nëse “Unioni Politik” do të ketë nevojë për një Parlament, projektimi do të mundësohet mbi skemën e një dhomë të dytë të parlamentit aktual, i cili mund të funksionojë si Senat ose si Nën/Komision, etj. Projekti parashikon gjithashtu edhe krijimin e postit të një Komisioneri të Euros, i cili do të ketë të drejtën e vetos ndaj buxheteve kombëtare.
Europa e “klasit” të dytë
Ky projektim i mundshëm federal, ka sjellë dhe reagimin e vendeve të tjera, të cilat nuk bëjnë pjesë në zonën euro. Ndër të cilat, Britania shfaqet si kundërshtuesi kryesor i kësaj skeme. Argumentet britanike, vlerësojnë se nëpërmjet këtij kategorizimi të mëtejshëm federal, rrezikohet ndarja de facto e BE-së në dy grupe, ku grupi i dytë, do të jetë viktimë e vendimmarrjeve të grupit të parë, pasi është i përjashtuar nga procesi i vendimmarrjes. Logjika britanike specifikon në këtë mënyrë, rrezikshmërinë e funksionimit demokratik të BE-së. Kundërshtimi i Britanisë është kategorik edhe ndaj mundësisë së krijimit të një Parlamenti të zonës euro. Kamerun konsideron se, roli i eurodeputetëve britanikë do të zhvlerësohej ndjeshëm dhe se për Britaninë kjo është një skemë tërësisht e papranueshme.
Por, Britania nuk është e vetme në këtë kundërshtim për avancim federal. Vendet e ish-kampit lindor, duket se janë mbështetëse të idesë refuzuese, ndër to edhe Polonia e Donald Tusk. Këto vende së bashku me Danimarkën, Suedinë edhe Britaninë janë shprehur pro krijimit të një grupi kundër-balancues të këtij grupimi federal, në të cilën mund të marrin pjesë të gjithë vendet, që nuk janë pjesë e zonës euro. Synimi i krijimit do të jetë balancimi i pushteteve dhe i presionit mbi politikat vendimmarrëse të grupimit të parë.
Problematikat dhe avantazhet
Projekti mbi skemën ndarëse në dy kategori, sigurisht që ka shkaktuar reagime të forta nga vendet e grupit të dytë. Por, logjika ekonomike e monedhës së përbashkët, vlerësohet se nuk mund të funksionojë, pa një fuqizim politik të BE-së. Analistët ekonomikë vlerësojnë se, që tregjet të binden që euro do të jetë aty dhe për shumë kohë, duhet avancuar domosdoshmërish drejt një “Unioni Politik”. Sipas tyre fuqia e Euros nuk mund të jetë e tillë, për sa kohë si Dollari edhe Jeni kanë përfaqësime politike të strukturuara mjaft qartë: qeveri, buxhet qendror, kapacitet për të marrë hua dhe për të rritur taksat.
Nga ana tjetër realiteti funksionues i BE-së, është pasqyrues i këtij fragmentarizimi dhe kategorizimi. Vetë logjika e Eurogrupit (vetëm 18 vende) e dëshmon këtë situatë, ku disa vende refuzojnë pjesëmarrjen dhe ndjehen tërësisht komode në këtë distancim dhe vende të tjera të anëtarësuara në 2004, nuk e kanë shprehur ende synimin për të qenë pjesë e eurozonës dhe nuk janë shprehur në parim, pro miratimit të monedhës së përbashkët. Politika e Shengenit, është po ashtu e tillë. Pra nëse, pretendohet se kjo përqasje federale dhe ky avancim i Eurogrupit, do të shkaktojë kategorizim, ky pretendim shfaqet si irreal për sa kohë, opsionet për aderim në Eurogrup do të ngelen të hapura. Fakti që një shtet nuk dëshiron të marrë pjesë në një strukturë avancuese, nuk mund të përligj idenë për avancim të mëtejshëm, kur vullneti politik i shteteve të tjera e kërkon këtë.
Një aspekt pozitiv, që vlerësohet se mund të kontribuojë realisht në avancimin e kësaj përqasje federale të kategorizuar, është edhe mundësia për një frymëmarrje ekonomike, e cila sipas ekspertëve ekonomikë mund të reflektohet edhe më gjerë. Shumë iniciativa, që vlerësohen si tejet të dobishme për t’u ndërmarrë, por që paralizohen nga kompleksiteti i konsensusit në një BE me 28 vende, mund të gjenerojnë mundësi reale për progres. Ndonëse është realitet se Greqia, Spanja apo Portugalia nuk mund të përparojnë ekonomikisht me të njëjtin ritëm si Gjermania, kjo nuk mund të parashtrohet si defavorizim, pasi e kundërta mund të jetë e vërtetë.
Një nga problematikat që mund të vlerësohet, se do të ketë influencë të konsiderueshme është përqendrimi i aksit franko-gjerman në drejtimin e Unionit. Por, në rast se kjo strukturë me përqasje federale do të ketë dhe zërin e saj përfaqësues në politikën e jashtme, a do të ketë të njëjtën peshë në sferën ndërkombëtare ky fraksion, që nuk përmban në vetvete faktorin britanik ?!
Arsye të tjera, që përmblidhen kundër këtij projekti, prekin sferën e solidaritetit, të diskriminimit, të pabarazisë dhe të një thellimi të mëtejshëm fragmentarizues në kufijtë politikë dhe ekonomikë. Ndërsa në kuadrin e arkitekturës institucionale, kjo mund të komplikojë më tej skemën aktuale institucionale të funksionimit të BE-së.
Zgjerimi në Europën e dy klasave
Por, ky thellim i mëtejshëm me përqasje federale, si mund të ndikojë në politikat e zgjerimit ? Nëse Europa e “klasit” të parë do të krijojë mundësitë reale për ‘shkëputje’, duke lënë të hapura mundësitë për aderim të vendeve, që mund të aspirojnë pjesëmarrjen në këtë grupim federal, a mund të ndryshojë skema aktuale e zgjerimit në Europën e “klasit” të dytë? Asgjë konkrete nuk përflitet në këtë drejtim, por idetë hipotetike shkojnë drejt një logjike që politikat e zgjerimit mund të thjeshtëzohen, duke bërë të mundur tejkalimin e hapësirës së Ballkanit Perëndimor, në drejtim të vendeve të skajit të kundërt, që aktualisht BE i trajton në kuadrin e një partneriteti lindor.
Megjithëse kriza ekonomike dhe domosdoshmëria për të shkuar drejt një “Unioni Politik” ka bërë të mundur hedhjen e ideve dhe hapjen e debatit, ky proces shfaq kompleksitetin e tij për aktualizim. Ndonëse Berlini ka ekspozuar vazhdimisht vullnetin për përqasje federale në nivel europian, Parisi shfaqet i luhatur në reagimin e tij. Edhe pse elita politike e Parisit e ka mbështetur publikisht idenë e një “Unioni Politik”, preferencat e tij shkojnë drejt një përforcimi ekonomik, ku sfera e avancimit politik të jetë mundësisht mjeti i fundit i aktualizimit. Vullneti federal i Berlinit, sigurisht që nuk mund të krahasohet me hezitimin francez, pasi faktori ekonomik dhe eksperienca federale i japin një pozicion komod në këtë iniciativë. Nga ana tjetër, frenimi francez, kalon nëpërmjet një eksperience aspak pozitive, atë të refuzimit tashmë nëpërmjet referendumit të Projektit Kushtetues evropian në vitin 2005. Por, pavarësisht mos akordimit të qartë në nivel politik dhe teknik, të aksit Paris-Berlin, mbi formën dhe hapat konkrete, që mund të ndërmerren, si edhe përtej kundërshtimit britanik dhe të vendeve të tjera anëtare, këshillat e vlefshme ekonomike se për rezistimin e euros tregjet duhen bindur se, BE do të jetë aty për një kohë të gjatë, duke u thelluar më tej politikisht, duket se mbart një përqasje funksionuese./im.ta/DITA/