Qeveria ka dërguar në Kuvend projektligjin për procedurat tatimore, në të cilën paraqiten një sërë ndryshimesh. Në nenin 2 të këtij drafti parashikohet që Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve do t’i lihen deri në 2% të të ardhurave tatimore të mbledhura, për t`u përdorur për shpërblime stimuluese të personelit të administratës tatimore dhe për investime për përmirësimin dhe modernizimin e infrastrukturës së mbledhjes të të ardhurave.
“Nuk janë ndryshuar kriteret që duhet të plotësojë punonjësi i administratës tatimore për të përfituar shpërblimin stimulues sipas këtij neni, por është përcaktuar se rregullat për dhënien e shpërblimeve dhe miratimin e investimeve do të miratohen jo më me udhëzim të ministrit të Financave, por me vendim të Këshillit të Ministrave.
Masa që do t’i akordohet Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve në dispozicion për shpërblime stimuluese të personelit dhe për investimet, do të përcaktohet çdo vit nga ministri i Financave me urdhër”, sqarohet në projektligj. Një tjetër ndryshim është edhe ulja e gjobave administrative në kuadër të parimit të frytshmërisë së aplikimit të gjobës.
“Propozohet ulje e masës së gjobës në rastet e mospagimit në afat të detyrimit tatimor, apo kontributeve si dhe të dorëzimit të një deklarate të pasaktë, nga 5% e shumës së detyrimit të papaguar, çdo muaj, në 0,06% e shumës së detyrimit të papaguar çdo ditë dhe nga “jo më shumë se 25% e detyrimit të papaguar” në “llogaritjen e gjobës prej 0.06% vetëm për 365 ditë kalendarike”.
Në total, ulja e gjobës bëhet nga 25% në rreth 21.9%.
Ndryshim tjetër është dhe ai i parashkrimit të deklaratës tatimore. Parashikohet një afat parashkrimi prej 5 vitesh nga data e dorëzimit të deklaratës tatimore në të cilën TVSH-ja është regjistruar si e zbritshme, ose tatimi përkatës rezulton i mbingarkuar për detyrimin e administratës tatimore, për të kthyer detyrime tatimore të çdo lloji të paguara tepër ose për të rimbursuar TVSH-në apo çdolloj tatimi tjetër.
Në këtë nen propozohet gjithashtu ulja e masës së gjobës për rastet kur tatimpaguesi nuk mban dhe mirëmban në kushte pune pajisjet fiskle nga 80000 lekë, në 40000 lekë. Ulje e masës së gjobës parashikohet edhe për shkeljen kur tatimpaguesi nuk njofton menjëherë për defektin e ndodhur në pajisjen fiskale dhe nuk plotëson në rregull librezën fiskale të defekteve, nga 50000 lekë, në 25000 lekë.

Skandal i radhes!