Projektligji i ri, pagat që përfiton nëse humbet vendin e punës

anazapta

Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese për të rrëzuar aktin për Nëpunësin Civil, ka bërë qeverinë që të ndjek një rrugë tjetër, e cila duket më e ashpër për të larguarit nga puna. Burime nga Kuvendi bënë me dije se Këshilli i Ministrave i ka dërguar Komisionit Parlamentar të Ligjeve projektligjin “për disa ndryshime në ligjin për Nëpunësin Civil”. Ky projektligj është konsultuar edhe me ndërkombëtarët, ndërsa opozita nuk ka pranuar të jetë pjesë e konsultimit. Projektligji pritet të futet me procedurë të përshpejtuar në komisione, pasi një vit më parë është miratuar me shumicë një ligj për Nëpunësin Civil, por që sipas mazhorancës është i pazbatueshëm.

 

Dëmshpërblimi pas largimit nga puna

Dy prej neneve më të rëndësishme të projektligjit lidhen me suprimimin e vendit të punës dhe dëmshpërblimin që në këtë projektligj parashikohet të jetë 1 deri ne 3 paga mujore. Ja çfarë parashikon Neni 50 i ligjit me ndryshimet e propozuara në projektligj: “Njësia përgjegjëse, një muaj përpara, njofton Nëpunësin Civil për fillimin e procedurës së mbylljes të institucionit. Në këtë rast, nëse nuk ka mundësi transferimi sipas pikës 2, të këtij neni, nëpunësi lirohet nga shërbimi civil, duke i dhënë si dëmshpërblim pagën e një muaji nëpunësve civilë, që kanë deri në një vit eksperiencë pune si nëpunës civilë, pagën e dy muajve nëpunësve civilë, që kanë nga një, deri në pesë vjet eksperiencë pune si nëpunës civilë dhe pagën e tre muajve nëpunësve civilë, që kanë më shumë se pesë vjet eksperiencë pune si nëpunës civilë”. “E njëjta procedurë parashikohet në projektligj edhe në rastet kur kemi të bëjmë me fillimin e procedurës së ristrukturimit të institucionit. Procedura e hollësishme për risistemimin e nëpunësve civilë, për shkak të mbylljes apo ristrukturimit, si dhe përbërja e hollësishme e komisionit, miratohen nga Këshilli i Ministrave”, thuhet në projektligj.  Ajo që mund të thuhet pas këtij projektligji, është fakti se PD me ankimimin që i bëri aktit në Kushtetuese, jo vetëm që nuk i mbrojti dot të punësuarit e saj në administratë, por ua vështirësoi më shumë situatën, duke u hequr edhe të drejtën e dëmshpërblimit, që këtë herë është fare i vogël.

 

Harito: Projektligji, në përputhje me Kushtetutën

Qeveria i konsideron ndryshimet e propozuara në ligjin për Nëpunësin Civil, si në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe në konsultim të plotë me partnerët ndërkombëtarë. Sipas Qeverisë, ndryshimet e propozuara kanë vetëm një qëllim: garantimin e mbrojtjes edhe në rastin e daljes nga shërbimi civil. “Qeveria  gjen edhe njëherë rastin për të shprehur qëndrimin e saj të palëkundur, për të respektuar dhe zbatuar Kushtetutën dhe ligjshmërinë në vend. Projektligji i propozuar është krejtësisht në respektim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili saktëson që ndërhyrjet në Ligjin për Nëpunësin Civil, nuk duheshin bërë me Akt Normativ, por vetëm me procedurën parlamentare”, theksoi Harito. “Ndryshimet që Qeveria ka propozuar në ligjin për Nëpunësin Civil, janë konsultuar edhe me partnerët ndërkombëtarë, edhe është tentuar të diskutohen me opozitën në Shqipëri. Por, opozita e PD tenton të bllokojë e të mos dëgjojë, me shpresën se gjërat në Shqipëri do të ngecin. Kur i ftojmë në takim në Kuvend për të diskutuar, nuk vijnë, kur i shkruajmë për t’i informuar dhe kërkuar mendim, nuk përgjigjen. Në parlament nuk e kanë mendjen tek rendi i ditës, e në fund ankohen pse nuk u pyetën”, u shpreh ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito.

 

PD: Qeveria shkeli Kushtetutën

Partia Demokratike, nëpërmjet deputetit Eduart Halimi, reagoi për projektligjin e miratuar nga Qeveria për Nëpunësin Civil. Nga selia blu, Halimi e quajti këtë veprim të Qeverisë si jo transparent, i cili sipas tij shkel Kushtetutën. “Partia Demokratike e denoncon këtë rast, si një akt të paprecedentë. Në historinë legjislative shqiptare dhe mbarë botërore, kur një ligj zhbëhet tërësisht, duke u ndryshuar thelbësisht, në pjesën më të madhe të neneve, pa u zbatuar as edhe një ditë nga Qeveria. Një ligj për të cilën u organizuan tryeza më ekspertët publikë dhe me mediat për dy vite dhe ndryshohet brenda natës me 16 nene. Edi Rama ka bërë të qartë gjithashtu se është kundër konsensusit politik dhe ka zgjedhur të hedhë në erë çdo mundësi për të dialoguar me opozitën”, tha Halimi. Deputeti renditi 3 aspekte se çfarë Qeveria synon të arrijë me të tilla ndryshime. “Ky projekt i ri i Ramës përkeqëson situatën, në të cilën ndodhet administrata publike, përkeqëson garancitë për qëndrimin në detyrë, jo vetëm në raport me ligjin ekzistues për Nëpunësin Civil, por edhe krahasuar me ligjin e mëparshëm, ligjëron të gjitha shkarkimet dhe ata që janë të nxjerrë në listë pritjeje, të kryera në kundërshtim të hapur me ligjin, të kryera bazuar në një akt kryekëput kushtetues, siç tha edhe Gjykata Kushtetuese”, theksoi Halimi. Sipas opozitës, projektligji i Qeverisë po minon konsensusin më të cilin është miratuar ligji i Nëpunësit Civil.

 

 

 

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *