Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Blendi Klosi, prezantoi në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë projektligjin e ri për ndihmën ekonomike.
Klosi tha se projektligji ka për qëllim të rregullojë mënyrën e dhënies së ndihmës ekonomike, nëpërmjet përdorimit të një formule të pikëzuar, për familjet dhe individët në nevojë, të cilët nuk mund të sigurojnë plotësimin e nevojave bazë jetike për shkak të aftësive dhe mundësive të kufizuara social-ekonomike.
Po ashtu, ministri vuri në dukje se në këtë projektligj parashikohet që ndihma ekonomike të jetë vetëm në masë të plotë, pra nuk do të kemi me masë të pjesshme për familjet në zonat rurale, të cilat kryesisht janë trajtuar me ndihmë të pjesshme.
“Ne vitin 2015 pagesa mesatare e ndihmës ekonomike për familjet në qarqet jopilot ka qenë 3929 lekë, ndërsa ne qarqet pilot ka qenë 5121 lekë (me të njëjtën përbërje familjare)”, tha Klosi.
Më tej, ai sqaroi se do të dyfishohet fondi i kushtëzuar për bllok-ndihmën ekonomike nga 3% në 6% , të cilin Këshilli i Bashkisë do të mund ta përdorë për dhënien e ndihmës ekonomike për familjet aplikuese, të cilat nuk janë shpallur përfituese nga sistemi i pikëzimit, bazuar në vlerësimin social-ekonomik të kryer nga administratori shoqëror.
“Projektligji parashikon funksionet e të gjitha strukturave të përfshira në dhënien e ndihmës ekonomike në nivel qendror dhe vendor, në kuadër edhe të ndryshimeve që ka sjellë reforma territoriale për strukturat e pushtetit vendor”, nënvizoi ai.
Paralelisht me shtrirjen e skemës së ndihmës ekonomike, ministri tha se parashikohet edhe nisja e pilotimit të skemës së re të vlerësimit të aftësisë së kufizuar bazuar në modelin social dhe vlerësimit nga një komisioni multidisiplinor. Ky sistem do të shoqërohet me hedhjen e të dhënave në regjistrin kombëtar elektronik për personat me aftësi të kufizuar. Në zbatim të këtij projektligji do të dalin edhe tre Vendime të Këshillit të Ministrave dhe Udhëzimet përkatëse.
