Ekskluzive / Dokumentet arkivore të procesit gjyqësor ndaj “puçistëve në ushtri”. Dëshmitë e ushtarakëve Vaskë Gjino, Ilo Furxhi e Hamza Malaj dhe akuzat e të pandehurve për njëri-tjetrin
“Sabotuan qëllimisht stërvitjen e trupave, fortifikimin e vendit dhe forcat rezerviste, me qëllim uljen e fuqive mbrojtëse të Shqipërisë”
(Vijon nga numri i kaluar)
Prokurori Murat Kamani, në vazhdimin e pretencës vazhdon për gjeneralët Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako e Rrahman Parllaku, të akuzuar për krimin ‘Tradhti e lartë ndaj Atdheut’, në bashkëpunim,
sjell prova të reja që lidhen me sabotimin në fushën e stërvitjes, fortifikimit dhe përkthimin, shtypjen dhe përhapjen në ushtri të literaturës e rregulloreve ushtarake revizioniste sovjetike, pa miratimin e lejen e Byrosë Politike dhe Komandantit të Përgjithshëm Enver Hoxha.
Prokurori Murat Kamani: -Shokë gjyqtarë! Të pandehurit Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako e Rrahman Parllaku sabotuan sistematikisht stërvitjen ushtarake të trupës, ata zëvendësuan normat e konceptet e drejta të Artit tonë Ushtarak popullor me koncepte e norma borgjezo-revizioniste. Ata, qëllimisht e me synim sabotimi, lanë ushtrinë dhe popullin pa stërvitje ushtarake… Në këtë drejtim, të pandehurit, në vend që të planifikonin dhe zbatonin stërvitje të drejtë, racionale dhe me efekt, kanë organizuar stërvitje të kundërt, që sipas ekspertëve, nuk ja kanë arritur qëllimit… Ja çfarë thonë në gjyq dëshmitarët për këtë:
Vaskë Gjino(Ushtarak madhor, dëshmitar): -Në mënyrë të veçantë ka sabotuar Petrit Dume i cili rendte pas stërvitjeve të mëdha duke sabotuar haptazi stërvitjet e vogla e kompaktësimin e nënreparteve…
Hito Çako(I pandehur): -Ne, pra unë, Beqiri, Petriti dhe Rrahmani, edhe për çështjet e stërvitjeve lamë ato programe, forma stërvitjesh dhe rregullore që në të vërtetë ishin sovjetike. Si rezultat i këtyre veprimeve anti-parti, ushtarët dhe nënoficerët aktivë të shpërndarë në grupe të vogla nuk bënin asnjë lloj stërvitje taktike dhe të llojit të thjeshtë. Si rezultat i sabotimeve tona, ushtarët e vitit të dytë dhe të tretë nuk stërviteshin, po çoheshin në punime xheniere apo në ndërtime të ndryshme që kishte ushtria.
Shokë gjyqtarë!
Në kundërshtim me Tezat e Këshillit të Mbrojtjes në të cilat thuhet se fati i luftës vendoset në tokë dhe nga ana e këmbësorisë, të pandehurit Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako e Rrahman Parllaku i kanë shkaktuar dëme kolosale ushtrisë, sidomos në organizimin struktural të saj, duke ndërtuar një raport të zhdrejtë midis llojeve të ndryshme të armëve e shërbimeve. Ja çfarë thuhet në pohimet e dëshmitarëve për këtë aspekt:
Vaskë Gjino(dëshmitar): -Duke bërë të tyren pikëpamjen armiqësore se arma vendos mbi gjithçka dhe duke i qëndruar besnik mbrojtjes së lëvizshme, Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako e Rrahman Parllaku sabotuan me ndërgjegje të plotë ndërtimin e strukturave të Forcave të Armatosura. Duke filluar nga njësia më e madhe deri tek njësia më e vogël, këmbësoria është llogaritur në një përqindje më të vogël se llojet e tjera duke i dhënë prioritet armës.
Shokë gjyqtarë!
Si në çdo drejtim tjetër, grupi i puçistëve që kryesohej nga Beqir Balluku, ka sabotuar prej kohësh dhe vazhdimisht, shumë rëndë dhe në mënyrë të pallogaritshme si fortifikimin e vendit ashtu dhe përgatitjen xheniere të trupave. Ja provat në këtë drejtim, nëpërmjet dëshmive e atribuimeve të mëposhtme:
Beqir Balluku: -Është dëmtuar rëndë sistemi i mbrojtjes së vendit tonë nga ana ime, Petrit Dume, Rrahman Parllaku, etj… Nuk janë bërë në radhë të parë punimet mbrojtëse në vijën e parë si qendra zjarri, transhe dhe pikëmbështetje. Nuk kemi zbatuar Tezat e Këshillit të Mbrojtjes dhe këto veprime që kemi kryer, kanë dëmtuar rëndë mbrojtjen e vendit dhe në rast agresioni, do të kishte pasoja të rënda. Petrit Dume, sipas kokës së tij, në mënyrë të shfrenuar dhe pa plan ka ndryshuar punimet operative në mënyrë anarshiste. Këto janë veprime sabotuese të rënda.
Petrit Dume(Në ballafaqim me H. Çakon): -Si unë, Beqiri dhe Hito, kemi dëmtuar rëndë sistemin e mbrojtjes duke mos u dhënë prioritet qendrave të zjarrit ose kompletimit të zërave për secilin objekt fortifikues. Kemi bërë shumë ndryshime në planet e sistemit mbrojtës duke dëmtuar rëndë mbrojtjen tonë.
Shokë gjyqtarë!
Sipas llogarive të bëra nga personat kompetentë, rezulton se si pasojë e veprimtarisë armiqësore të të pandehurve, për vitet nga 1967 deri në 1974, vetëm 17% e forcave, mjeteve dhe çimentos të planifikuara, janë harxhuar për qendrat e zjarrit, transhetë dhe hendeklidhjet që janë elementë kryesorë të fortifikimit. Ja dëshmitë:
Petrit Dume: -Teknika xheniere e shpimit, si rregull, duhet të punojë 10 muaj në vit. Por Beqir Balluku dhe Rrahman Parllaku e planëzonin këtë 3 muaj në vit. Kështu, punimet frenoheshin.
Rrahman Parllaku: -Sabotimi në fortifikim, është bërë në dy drejtime. a) Në objektet luftarake si pikëmbështetje ku nuk janë vënë të gjithë elementët përbërës të tij në Fier, Shkodër, Korçë etj…
b) Në drejtim të cilësisë së objekteve të betonimit, izolimi nga lagështia dhe sidomos depot e municionit.
Në këtë vlerësim, natyrisht, nuk mund të injorojmë një qëndrim tjetër prej përbindëshi dhe armiqësor të të pandehurve që ka të bëjë me kujdesin e madh të Partisë për të ruajtur jetën dhe shëndetin e njerëzve, të ushtarëve të popullit, e cila lidhet me masat e sigurimit teknik gjatë kryerjes së këtyre punimeve. Ata shmangnin masat e sigurimit teknik, duke sjellë tragjedi me pasoja të rënda. Ja dëshmitë e të pandehurve për këtë provë:
Beqir Balluku: -Petrit Dume kishte e zbatonte konceptin se me hapjen e tuneleve do të kishte dhe viktima…
Hito Çako: -Qëndrimi ynë i papërgjegjshëm ndaj masave të sigurimit teknik në punimet operative, ku kanë gjetur vdekjen 12-17 persona në vit dhe janë gjymtuar me dhjetëra të tjerë, formon një nga krimet më të rënda…
Shoku kryetar(Aranit Çela) e shokë gjyqtarë!
Të pandehurit Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako e Rrahman Parllaku u kundërvunë me të gjithë qëndrimin borgjezo-revizionist të tyre, ndërtimit dhe funksionimit të Shkollave të lira Ushtarake(SHLU), duke sabotuar me çdo mënyrë orientimet e Partisë në këtë drejtim… Kështu, në Korçë nga 10 SHLU funksiononin 1 apo 2, ndërsa të tjerat ishin pika hapje… Mjafton të përmendim se gjatë 4 viteve të fundit, përkatësisht në vitet 1971-1974, nga Ministria e Mbrojtjes kanë dalë 200-250 mijë udhëzime e shkresa dhe vetëm dy prej tyre (një më 29.3.1970) dhe tjetra më 6.5.1972 flitet shkarazi dhe sa për të qenë brenda për Shkollat e Lira Ushtarake… Ja si pranohet fajësia nga të pandehurit në gjyq:
Petrit Dume: -Me veprimet tona kemi sabotuar direktivën e Partisë për Shkollën e Lirë. Beqir Balluku ka qenë sabotatori kryesor. Kjo duket edhe nga fakti që idetë e Komandantit Suprem (Enver Hoxhës) për Shkollën e Lirë Ushtarake, u mbyllën në kasafortën e tij për një kohë të gjatë. Edhe unë e Hito Çako kemi influencuar në sabotimin e Shkollës së Lirë Ushtarake duke u pajtuar me Beqir Ballukun”.
Hito Çako: -Ne, me ndërgjegje dhe në mënyrë të organizuar nuk vumë në jetë Tezat për Shkollën e Lirë Ushtarake duke ju kundërvënë parimeve të Partisë për çështjen e mbrojtjes. Ky qëndrim i yni ka penguar edhe vështirësuar përgatitjen e vendit mbi bazën e gjithë strukturave, ka kultivuar konceptin e ushtrisë së kazermës, të kastës ushtarake, konceptin bonopartist që çon në degjenerimin e ushtrisë si armë e diktaturës së proletariatit që e shkëput atë nga lidhjet me popullin dhe nga kontrolli i Partisë”.
Rrahman Parllaku: -Forcat vullnetare, ne i nënvleftësonim, sidomos në koordinimin e ndërveprimet e tyre me strukturat e tjera të Forcave të Armatosura, ato nuk i përllogaritnin fare si forca kryesore. Ky ishte një qëndrim armiqësor që çon në nënvleftësimin e luftës popullore për mbrojtjen e vendit…
Vaskë Gjino(Dëshmitar): -Nga Beqir Balluku e Petrit Dume është sabotuar përgatitja luftarake e forcave vullnetare, sepse nuk kanë përgatitje të përbashkët me repartet e ushtrisë. Forcat vullnetare u lanë të shkëputura dhe nuk u konsideruan asnjëherë si struktura organike të rëndësishme të ushtrisë sonë.
Shokë gjyqtarë!
Të pandehurit Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako e Rrahman Parllaku, me qëllime të përcaktuara kanë zhvilluar një veprimtari të gjithanshme minuese e të egër në frontin ideologjik. Duke ju vënë ideologjisë Marksiste-Leniniste të Partisë tonë, këta kanë futur e përhapur me sa kanë mundur ideologjinë borgjezo-revizioniste në ushtri, kanë kryer kështu një diversion ideologjik e politik kundër rendit socialist në Shqipëri. Të pandehurit i hapën të gjitha rrugët për futjen sistematike të ideologjisë borgjeze e sidomos revizioniste nëpërmjet marrjes, përkthimit, botimit dhe shpërndarjes së literaturës së huaj. Kjo literaturë vërshonte si lumë në tërë ushtrinë, në çdo qelizë të saj, ajo u fut deri në programet e përgatitjes politiko-luftarake… Deri në vitin 1974, u gjetën në përdorim të shpërndara në radhët e ushtrisë 40300 libra me përmbajtje krejtësisht revizioniste, të përgatitura nga ish-Drejtoria Politike e Ushtrisë. Ja si e pranojnë fajësinë për këtë veprim të akuzuarit në gjyq:
Hito Çako:- Kam punuar që literatura e huaj ideologjike të futet në ushtri e në çdo shkallë, të shkoj deri tek ushtari e rezervisti… Përhapja e literaturës së huaj në ushtri ka çuar në minimin e mbrojtjes së vendit, në sabotimin e vijës së Partisë, . Kemi përhapur helmin borgjezo-revizionist, kemi krijuar çoroditje në efektivin e ushtrisë. Kemi mbajtur në fuqi rregulloret revizioniste sovjetike të cilat përhapnin kërkesat e vijës ushtarake sovjetike. Me këto veprime tonat, u krijua një e çarë e madhe midis strukturës së ushtrisë , vijës ushtarake të Partisë e rregulloreve’(Burimi: Faqe 130, dosja 12)
Rrahman Parllaku:-Petrit Dume, në procesin e tij hetimor nuk pranonte asnjë centralizëm dhe kontroll për sjelljen, përkthimin, botimin dhe dhe shpërndarjen e kësaj literature.
Dëshmitarët Ilo Furxhi, Hamza Malaj e Etem Halili, të pyetur në hetuesi e para gjykatës për këtë çështje theksuan zellin e madh që tregonin të pandehurit për futjen sistematike të literaturës së huaj në radhët e ushtrisë, ashtu edhe nxitjen që ata u bënin kuadrove të ushtrisë për të lexuar e studiuar sa më shumë literatura, e çuarjen e kësaj literature deri tek ushtari revizionist. Këta dëshmitarë, vunë pohuan se të pandehurit, veçmas, por edhe së bashku, u tregonin kuadrove të ushtrisë revista të huaja me përmbajtje politiko-ushtarake, u komentonin pjesë prej tyre e në të njëjtën kohë, u jepnin porosi të vazhdueshme për futjen në masë të kësaj literature në ushtrinë tonë. (Vijon nesër)
Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi
NESËR DO TË LEXONI:
-Pretenca e prokurorit Murat Kamani lidhur me veprimtarinë armiqësore të të pandehurve Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako e Rrahman Parllaku. Si u përkthyen rregulloret sovjetike dhe u futën ën ushtrinë shqiptare.
-Bashkëpunimi i ‘Grupit puçist’ në ushtri me grupin armiqësor në fushën e kulturës që kryesohej nga Fadil Paçrami e Todi Lubonja.
-Veprimtaria armiqësore e Ballukut, Dumes, Çakos e Parllakut nëpërmjet sabotimit ekonomik.
Nuk e kuptoj pse gazeta me serioze qe kemi sot,DITA,i mundeson Kujtim Boricit te na paraqese pas 40-vjetesh kete tragjedi qe na poshtron te gjitheve.?Qe Enveri kishte marre fund nga trute?!Po te mos qe keshtu nuk do kishim Kaqe gjate ne krye Sali zagarin me zagaret rrotull tij….
Njerezit kane nevoje te njihen me ate qe ka ndodhur dhe gazeta mire ben.
Secili ka te drejte te beje komentin e tij, por mire eshte qe kur vleresojme ate qe ka ndodhur te mbeshtetemi ne Kushtetuten dhe ligjet e asaj kohe. Ne te kunderte nuk gjykojme me objektivitet.
Denimet e ushtarakeve te lartë jane një goditje qe ju dha Shqiperise,nga Banda e Veriut,agjenture e UDB,perfaqesuar me projekt të qarte nga R.Alia!Duket me qarte tani edhe kapja qe Alia i beri diktatorit duke e bllokuar me politiken e sabotimeve ne mbrojtje…Te mos kuptohet perse Alia pruri djathtas Berishen eshte njell
Vijon…
njellojë,sikur sot te mos kuptohet ende kush eshtë Berisha!Duhet kuptuar se politika,ideologjia ,partite e sotme dhe ajo ne monizëm,jane e njejta gje,therrmuar sot majtas dhe djathtas,për të vazhduar mbijetesen,vazhdimesinë e porosise se Gorbacovit,në Katovice,qe pushteti te mbahet nga komunistet(drejtimi sllav)dhe Alia e zbatoi me Berishën persosur!Kjo duhet nderprere me 23 qershor me votim masiv të Sovranit,pasi e ardhmja po projekton zhdukjen e partive politike te ideologjizuara,majtas a djathtas apo ne qender,si ndodhi ne Itali me Levizjen 5 Yjet(M5S)e qe duhet implementuar fuqishëm edhe ne Shqiperine tonë të mjere!Eleminimet kriminale te kuadrove te larte te Ushtrise shqiptare,nje tragjedi qe duhet te na beje te mendojme mbi te ardhmen tone,larguar perfundimisht nga ideologjite dhe perqendruar tek e drejta e individit,mirqenia e Sovranit dhe jo e nje grushti njerzish;pa moral e dinjitet shqiptari!Duhet larguar nxenesi i Ramizit,njeriu qe dhe ne te ashtuquajturen”Demokraci”vrau njerez te pafajshem,poshteroi ish të persekutuaret dhe varferoi shumicen e shqiptareve!Koha punon për Levizje!Afrohu,bashkpuno,propogando!…