Ekskluzive / Dokumentet arkivore të procesit gjyqësor ndaj “puçistëve në ushtri”. Dëshmitë e ushtarakëve Naun Kutra, Janul Danga, Jorgji Tako Malaj e dëshmitë e të pandehurve
“Qëllimi: Sabotimi në ushtri, ekonomi e kulturë, me qëllim rrëzimin e sistemit komunist, eliminimin e Enverit e vendosjen e shtetit borgjezo-revizionist”
(Vijon nga numri i kaluar)
Në pretencën në vazhdim lidhur me veprimtarinë e gjeneralëve Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako e Rrahman Parllaku’, të akuzuar për “Tradhti të lartë ndaj Atdheut”, prokurori Murat Kamani sjell dëshmi të tjera lidhur me bashkëpunimin armiqësor të grupit puçist në ushtri, me grupin armiqësor në fushën e kulturës, që kryesohej nga Todi Lubonja e Fadil Paçrami… “Ndonëse ata vepronin në fusha të ndryshme, kishin bashkëpunim të ngushtë me njëri-tjetrin. Qëllimi ishte: Sabotimi në ushtri, ekonomi e kulturë, me qëllim rrëzimin e sistemit komunist, eliminimin e Enverit e vendosjen e shtetit borgjezo-revizionist”, -akuzon mes të tjerave prokurori Kamani…
Prokurori Murat Kamani: -Zotërinj gjyqtarë! Në protokollin e mbledhjes së kolegjiumit të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, lidhur me literaturën e huaj, zhvilluar më datë 3.2.1971, i pandehuri Beqir Balluku midis të tjerave jep dhe këto orientime: “Por duhet edhe të pasurojmë më tej Tezat e Këshillit të Mbrojtjes nga azhurnimi me armiqtë tanë. Drejtoria e Zbulimit më shumë duhet t’i gjurmojë librat që bëjnë fjalë mbi ushtritë e huaja dhe këto të njihen nga shokët tanë, jo vetëm nga Instituti, por nga të gjithë kuadrot tona”. Ndërsa në urdhrin nr. 010 datë 6.3.1972, firmosur nga i pandehuri Petrit Dume, ndërmjet të tjerave urdhërohet: “Studimi i materialeve mbi ushtritë e huaja të armiqve tanë të mundshëm të konsiderohet si një detyrë e rëndësishme dhe e përhershme në të gjithë procesin e përgatitjes së tyre dhe të trupës… Për këtë lëndë (është fjala për lëndën mbi ushtritë e huaja), kursantët dhe dëgjuesit t’i nënshtrohen paraprovimit. Me pedagogë dhe ushtarakë mësimdhënës të organizohen çdo vit paraprovime.” Komplotistët sabotuan Tezat e Këshillit të Mbrojtjes. Ata, në njërën anë frenonin idenë e materialeve të Plenumit të IV të Komitetit Qendror, vunë rregulla rigoroze që Tezat e Këshillit të Mbrojtjes të mos njihen nga kuadrot dhe efektivat e ushtrisë, mbajnë të mbyllura në kasaforta direktivat e Komandantit Suprem Enver Hoxha mbi Shkollën e Lirë Ushtarake, në anën tjetër marin dhe dërgojnë në repartet e ushtrisë me kamionë të tërë literaturën e huaj borgjezo-revizioniste. Ja dëshmitë e të pandehurve për këtë akuzë në gjyq:
Beqir Balluku: -Vendimet e Plenumit të IV të Komitetit Qendror të Partisë u punuan shkarazi në ushtri, sikur vendimet e këtij plenumi të mos kishin të bënin fare me ushtrinë. Këto vendime u sabotuan nga unë, Petriti, Hito e Rrahmani, se ishin në opozicion (kundër) me vijën e Partisë, kishim frikë se do të na dilnin lakrat në shesh.
Naun Kutra(Dëshmitar): -Plenumi i IV i Komitetit Qendror të Partisë në ushtriu minimizua e u errësua. Pas këtij Plenumi u nxorën librat me ideologji borgjezo-revizioniste, të përkthyera e të adoptuara si ‘Psikologjia e ushtarit’, ‘Stategjia ushtarake’, etj…
Zotërinj gjyqtarë!
Komplotistët, me qëllim sabotuan këto vendime të Partisë sepse veprimtaria armiqësore e të pandehurve Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako e Rrahman Parllaku, duke qenë pjesë përbërëse e agresionit ideologjik imperialisto-revizionist që kanë shpërthyer armiqtë e jashtëm kundër vendit tonë, nuk është e shkëputur, por përkundrazi, lidhet ngushtësisht me veprimtarinë armiqësore të zhvilluar nga armiqtë e tjerë, Fadil Paçrami e Todi Lubonja. Të dy këta grupe armiqësore, ecnin në një rrugë të përbashkët, që duke mbështetur agresionin ideologjik imperialisto-revizionist, i hapën rrugë depërtimit të ideologjisë borgjeze e revizioniste në radhët e Partisë, të pushtetit, të ushtrisë… Kjo, siç do vazhdoj më pas, është pranuar dhe nga të akuzuarit…
Hito Çako: -Me Fadil Paçramin e Todi Lubonjën kam qenë i përbashkët në pikëpamjet anti-parti. Pikëpamjet e përbashkëta antiparti unë jam përpjekur t’i realizoj në ushtri, ndërsa Fadil Paçrami e Todi lubonja u përpoqën t’i realizonin në terren. Fadili më thoshte se grupet artistike janë anakronike… Ansambli i ushtrisë mbeti në skenë me pushkë, kazmë e krismë. Shijet e njeriut tonë të ri, përfytyrohen tek pushka…
Petrit Dume: -Rregulloret sovjetike më kishin bërë për vete, isha familjarizuar me to… Unë, në veprimtarinë time, jo vetëm frenova ribërjen e rregulloreve tona, por dhe mbrojta rregulloret sovjetike në shumë drejtime.
Komplotistët me Beqir Ballukun në krye, e injoruan dhe e zbutën luftën e klasave në ushtri. Këta nuk lanë fundërrinë pa futur në radhët e ushtrisë, që nga kursantë me përbërje jo të mirë politike, tek oficerët e fashizmit, që nga rusi i bardhë, e deri tek djali i kriminelit të luftës… Ja dëshmitë e të pandehurve për zbutjen e luftës së klasave në radhët e ushtrisë:
Hito Çako: -E zbutëm, bile e mohuam fare ekzistencën e luftës së klasave, duke i kthyer nënrepartet e punës në nënreparte luftarake të caktuara në buzë të kufirit… Nënvlerësuam rolin e nënoficerëve që përbëjnë gati ¼ e gjithë kuadrove të shërbimit aktiv të ushtrisë. Si rrjedhim, u futën në ushtri njerëz me përbërje të keqe politike, vjedhës dhe imoralë. Çdo vit qiteshin në lirim si të papërshtatshëm gati 60-70 kuadro nënoficerë, ndërsa 20-30 të tjerë i kalonin gjyqit si vjedhës. Nga një studim që bëmë në vitet 1971-1972, na doli se gati 850 vjedhës e vagabondë të dënuar dërgoheshin në reparte të rregullta të ushtrisë dhe si forca të kufirit.
Zotërinj gjyqtarë!
Veprimtari armiqësore, prej kohësh e në mënyrë sistematike kanë zhvilluar këta armiq kundër vijës së politikës ekonomike të Partisë e të shtetit në ushtri e kudo, kanë sabotuar në fushën e legjislacionit, të organizimit e drejtimit me plan e në mënyrë të centralizuar të ekonomisë në ushtri, kanë kryer vjedhje me për pjesëtime të mëdha të pasurisë ushtarake dhe në kundërshtim me detyrat e funksionet që kanë pasur në ushtri, kanë kryer e kanë lejuar veprime që i kanë sjellë ekonomisë ushtarake dëme të rëndësishme…
Kështu, të pandehurit në mënyrë flagrante kanë sabotuar dhe kanë shkelur ligjet e shtetit duke nxjerrë urdhra, urdhëresa, udhëzime dhe rregullore që tërësisht apo pjesërisht kanë qenë në kundërshtim me ligjet dhe me aktet e tjera nënligjore të akteve të tjera shtetërore… Ky krim, është denoncuar në gjyq si nga dëshmitarët, ashtu dhe të pandehurit. Ja çfarë kanë pohuar ata:
Rrahman Parllaku: -Një gjë di, që Petrit Dume dhe Beqir Balluku, në këtë drejtim, nuk kanë pyetur fare për ligjet e shtetit.
Beqir Balluku: -Kemi kultivuar atë që ushtria ka ligjet e veta dhe vetëm me këto ligje mund të orientohet dhe të veprojë, pa pasur parasysh ligjet e shtetit.
Janul Danga(Dëshmitar): -Në sektorin e ekonomisë, në drejtime të ndryshme, nuk janë zbatuar ligjet e shtetit dhe normat e qeverisë, por këta tradhtarë, nxirrnin norma të brendshme të tyre dhe thoshin se ligjet e shtetit dhe normat e qeverisë nuk mund të zbatoheshin njësoj edhe në sektorin ekonomik të ushtrisë, pasi ushtria është strukturë e mbyllur dhe ka specifikën e saj. Kështu, sektori ekonomik në ushtri vepronte kryesisht sipas rregullave që nxirrnin këta tradhtarë.
Shokë gjyqtarë!
Si armiq të popullit dhe Partisë, që i kishin vënë vetes si detyrë eliminimin e fitoreve të revolucionit, të pandehurit zhvilluan një aktivitet të gjerë kriminal duke shkelur rëndë ligjet e shtetit… Para provave e fakteve të shumta të pakundërshtueshme, këtë veprimtari të kundërligjshme dhe tërësisht me qëllime armiqësore, janë të detyruar ta pranojnë dhe vetë të pandehurit Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako dhe Rrahman Parllaku, që po gjykojmë… Ata, të pandehurit, u përpoqën të krijonin një shtet brenda shtetit, jashtë kontrollit dhe drejtimit të Këshillit të ministrave… Ja çfarë pranojnë ata:
Beqir Balluku: -Pranoj se aktet normative të nxjerra nga ana jonë, janë shkelje që u kundërvihen ligjeve të shtetit… Edhe kur sinjalizoheshim për shkelje të ligjshmërisë, nga ana jonë neglizhohej, nuk ndaleshim të thelloheshim, sepse nuk ishim të predispozuar.
Rrahman Parllaku: -Normat me karakter të kundërligjshëm janë nxjerrë për qëllimet e tyre komplotiste e puçiste…
Jorgji Tako(Dëshmitar): -Ndonëse nga Këshilli i Ministrave vinin të gjitha vendimet apo udhëzimet, këto nuk zbatoheshin, sepse nuk u bëheshin të njohura ushtrisë. Asnjë punë e organizuar nuk bëhej për njohjen e tyre, sa edhe kur sinjalizoheshin të pandehurit(Balluku, Dume, Çako, Balluku, Parllaku) për vjedhje, dëmtime apo shkelje të ligjshmërisë, se në kundërshtim me ligjin mbaheshin në vende me përgjegjësi materiale njerëz të dënuar për vjedhje, ata nuk merrnin masa… Kështu, në kundërshtim me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 6 datë 23.03.1966, Beqir Balluku, me urdhrin e tij nr. 182 datë 27.07.1968, oficerëve të transferuar u ka njohur të drejtën e ushqimit pa pagesë derisa të sigurohej strehim për familjet e tyre. Në këtë drejtim janë bërë shpenzime kolosale nga buxheti i shtetit. Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, këta të pandehur u kanë bërë trajtime të kundërligjshme, favorizuese, disa kuadrove të larta në ushtri me qëllim për t’i kompromentuar dhe për t’i tërhequr në qëllimet e tyre.
Hito Çako: -Unë, Beqir Balluku, Petrit Dume dhe Rrahman Parllaku, kemi kultivuar pikëpamje anti-parti se ushtria është një strukturë e mbyllur, ku ligjet e shtetit dhe organeve përkatëse të qeverisë nuk mund të veprojnë si në çdo strukturë tjetër të ndërtimit tonë shtetëror. Ministria e Mbrojtjes Popullore nuk mund të drejtohet e kontrollohet nga Këshilli i Ministrave si të gjithë institucionet e tjera. Ministria e Mbrojtjes Popullore është formalisht është e varur nga Këshilli i Ministrave… Në vitin 1970, kur Kontrolli i Shtetit kontrolloi Korpusin e Fierit dhe zbuloi shumë shpërdorime të bëra për dreka e darka, në mbledhjen e Kolegjumit, Beqiri dhe Petriti thanë: ”Nuk ka pse fut hundër Kontrolli i Shtetit këtu!”.
Beqir Balluku: -Aktet normative që kemi nxjerrë në kundërshtim me ligjet e shtetit e kthejnë ushtrinë një shtet brenda shtetit… Ato të çojnë patjetër në likuidimin e pushtetit.
Hito Çako: -E gjithë kjo veprimtari forcoi konceptin tonë bonopartist se ushtria në miniaturë është shtet brenda shtetit, koncept ky që kultivon në gjithë gamën e tij frymën e aventurizmit ushtarak dhe të puçizmit.
Shokë gjyqtarë!
Veprime të tjera të kundërligjshme të diktuara me shumë urdhra, udhëzime dhe instruksione kanë ndjekur si qëllim jo vetëm injorimin e legjislacionit tonë socialist dhe shkeljen e parimit të ligjshmërisë, jo vetëm sabotimin e zbatimit të këtij legjislacioni dhe futjen e normave me përmbajtje revizioniste, jo vetëm edukimin me helmin e kësaj ideologjie të kuadrove që merreshin me vënien në jetë të akteve të dala prej të pandehurve, por dhe krijimin e kushteve për përfitime personale të jashtëzakonshme, nxitjen e vjedhjeve, etj… Kështu, në kundërshtim me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 88 datë 13.08.1958, janë nxjerrë udhëzimet datë 27.01.1971 dhe nr. 201 datë 29.01.1974 ku në mënyrë të paligjshme janë rritur burimet për fondin e komandantit, duke i kaluar 25% të fitimit të ekonomive ndihmëse të ardhur nga aktivitetet e grupeve të diletantëve, të bilardove e kinemave, në vend që këto të fundit të derdhen në arkën e shtetit.
Sipas llogaritjeve të bëra nga ekspertët kontabël, për periudhën 1971-1974, ekonomitë ushtarake nuk realizuan planin e perimeve në masën 5700 ton me një vlerë 6 milion lekë, të patateve në 10500 ton në një vlerë 15 milion lekë, e çimentos me 12 mijë ton, etj…
Sabotimet në ekonomi të kryera nga të pandehurit Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako dhe Rrahman Parllaku karakterizohen nga një veprimtari e thellë shkatërrimtare, nga një punë me pasoja shumë të rënda si nga pikëpamja politike e ideologjike, ashtu dhe nga ajo ekonomike, organizative dhe edukative…
(Vijon nesër)
NESËR DO TË LEXONI:
-Pretenca (në vazhdim) e prokurorit Murat Kamani lidhur me veprimtarinë armiqësore të të pandehurve Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako e Rrahman Parllaku. Abuzimet e të pandehurve në fushën ekonomike.
-Dokumente dhe dëshmi: Sa është vlera financiare e vjedhur nga secili i pandehur në Ministrinë e Mbrojtjes.
-Kërkesa zyrtare e prokurorit para gjykatës së posaçme për dënimin me vdekje të Beqir Ballukut, Petrit Dumes e Hito Çakos .