Prokuroria e Apelit për Krimet e Rënda bëri dje rekurs në Gjykatën e Lartë, kundër vendimit të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, e cila vendosi prishjen e vendimit të Shkallës së Parë dhe riktheu për rigjykim, me një tjetër trup gjykues, çështjen kundër Dritan Dajtit, i akuzuar për vrasjen e 4 agjentëve specialë të Antidrogës, për të cilat u dënua me katër burgime përjetë në muajin korrik. Gjatë procesit pati rreth 300 seanca gjyqësore të shtyra, ndërsa asnjë avokat nuk merrte përsipër mbrojtjen e Dajtit. Në fund pati edhe një shantazh ndaj gjyqtarit të çështjes, Idriz Mulkurti, derisa u dha edhe verdikti final për të pandehurin. Avokati i Dajtit pretendoi në Apel pafajësi dhe se nuk ishin respektuar të drejtat e një të pandehuri.
Rekursi
Sipas dosjes së depozituar, “Gjykata e Apelit ka marrë vendim në kundërshtim me ligjin procedurial, si edhe nuk ka marrë parasysh praktikën e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në një tjetër çështje, pikërisht në një rast kur një shtetas shqiptar ankohej pranë asaj gjykate për të njëjtin argument”. Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda, në vendimin e saj argumentoi prishjen e vendimit dhe rikthimin e çështjes në shkallë të parë, me argumentin se “konstatohen shkelje të rënda proceduriale në lidhje me sigurimin e mbrojtjes së të pandehurit gjatë zhvillimit të procesit gjyqësor, duke shkelur kërkesat e nenit 49 të Kodit Penal, si dhe përcaktimet e nenit 378, për zhvillimin e diskutimeve përfundimtare”.
Argumenti i parë
Prokuroria e Apelit, në kërkesën e saj drejtuar Gjykatës së Lartë, e shpreh kundërshtimin e saj për vendimin e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda në dy pika:
“Së pari, nga ana e Gjykatës për Krime të Rënda janë ndërmarrë të gjithë hapat ligjorë dhe procedurialë për respektimin e parimit të mbrojtjes së të pandehurit. I pandehuri ka pretenduar se nuk ka pasur mundësi financiare që të paguajë mbrojtës dhe për këtë arsye, nga ana e gjykatës është kërkuar të caktohet avokat kryesisht. Por, pavarësisht se është ezauruar e gjithë lista e avokatëve penalistë të Dhomës së Avokatisë, asnjë prej tyre nuk mori përsipër mbrojtjen e të pandehurit, ku shumica e tyre kanë paraqitur justifikime joligjore, për të cilat gjykata ka vënë në dijeni instancat përkatëse, si Ministrinë e Drejtësisë, KLD, etj”.
Më tej është kërkuar ndërhyrja e Komisionit Shtetëror për Ndihmë Juridike, një strukturë që paguan avokatët e zgjedhur nga të pandehurit, që nuk kanë mundësi financiare. “Kjo alternativë nuk u shfrytëzua nga ana e të pandehurit, i cili nuk zgjodhi asnjë mbrojtës, pavarësisht se avokati do të paguhej nga ana e Komisionit Shtetëror për Ndihmë Juridike”, tha organi i akuzës, që i quajti detyrimet të plotësuara.
Argumenti i dytë
Argumenti i dytë ka qenë precedenti për vendimin e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut (ankimi nr. 74727/01), datë 16 qershor 2005, vendimi i bërë përfundimtar në datë 30.11.2005, në çështjen “Balliu kundër Shqipërisë”. Ankimimi ishte paraqitur me të njëjtat argumente, të cilat ka përdorur Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda për të prishur vendimin dhe për ta rikthyer për rigjykim çështjen kundër të pandehurit Dritan Dajti. “Në vendimin e saj, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, duke argumentuar se në dispozicion të ankuesit kishin qenë mundësitë për të zgjedhur mbrojtësin dhe kjo mundësi nuk ishte shfrytëzuar, ajo gjykatë është shprehur se “Gjykata çmon se në tërësi procesi penal kundër ankuesit nuk mund të konsiderohet si i parregullt”.
- Qoraj
