Prokuroria e Përgjithshme i tha Kolegjit Penal në seancën e djeshme si palë e tretë në proces, se deputeti i LSI-së, Spartak Braho, nuk ka kryer asnjë shkelje penale me letrën që u dërgoi institucioneve për dyshimet e rrezikut të destabilitetit të vendit, si dhe me deklaratën për raportin mjekësor të deputetit Tom Doshi.
Teksa paditësi, deputeti Doshi, i kërkoi dje Gjykatës së Lartë të urdhërojë Prokurorinë e Përgjithshme që të hetojë kreun e Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Spartak Braho, për dyshimet se “ka shpërdoruar detyrën me letrën që u dërgoi institucioneve kryesore, ku i vinte në dijeni për rrezikun e destabilitetit të vendit”.
Organi i akuzës e cilësoi letrën thjesht si një sinjalizim për t’u verifikuar dhe pasi u kryen hetimet e nevojshme nuk u gjet asnjë element penal. Por autori i letrës nuk ka kryer asnjë krim, pasi edhe ai në letër kërkonte që dyshimet e tij të hetoheshin dhe verifikoheshin.
Letra e Brahos vuri në lëvizje institucionet pasi denoncoheshin si destabilizues Prifti-Doshi, si dy njerëzit që i kishin bërë presion bashkëshortes së Kastriot Ismailajt për të dëshmuar kundër Ilir Metës, por prokuroria shpalli mos fillimin e hetimeve. Avokatë e Doshit i thanë Gjykatës së Lartë se prokuroria nuk ka bërë asnjë veprim hetimor, pasi për këtë çështje u vunë në lëvizje krerët e shtetit.
“Prokuroria, thanë avokatët, nuk pyeti asnjë nga anëtarët e komisionit të sigurisë edhe pse prej këtij artikulli u shkaktua panik në vend dhe u cenuan standardet e sigurisë”. Kurse Doshi akuzoi prokurorinë dhe tha se avokati më i mirë i Brahos ishte vetë institucioni i akuzës, teksa kërkoi që Braho të shpallej fajtor edhe për padinë e shpifjes për raportin mjekësor në mars 2015. /Dita/
