Prokuroria çon në Gjykatën e Lartë “baronin” Gëzim Çela

redaktor

Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk dorëzohet, pavarësisht se Gjykata e Apelit i rrëzoi kërkesën e ekstradimit për Gëzim Çelën, që njihet ndryshe edhe si “baroni i drogës”, një ish-oficer policie që u kthye ndër njerëzit më të kërkuar të drejtësisë italiane dhe aktualisht asaj shqiptare. Më parë organi i akuzës kishte humbur betejat në Shkallën e Parë dhe Apel, pasi kërkesa për ekstradim ishte rrëzuar. Vendimi më i fundit u mor më 24 shtator. Por dy ditë më parë, Prokuroria e Apelit ka depozituar edhe rekursin në Gjykatën e Lartë për këtë çështje.

Drejtësia italiane e kërkon me çdo kusht Çelën si të dënuar për trafiqe droge dhe organizata kriminale.
Dosja penale kundër Çelës është dorëzuar në sekretarinë e Gjykatës së Lartë, ku kërkohet pranimi i kërkesës së autoriteteve italiane për ekstradimin në Itali, për disa vepra penale të rënda.
Aktualisht Gëzim Çela ndodhet në kërkim ndërkombëtar nga shteti shqiptar, pasi Prokuroria për Krime të Rënda ka ngritur akuzën e “trafikut të kokainës”, “grupit të strukturuar kriminal” dhe “armëmbajtjes pa lejë”. Sipas Apelit, Çela nuk duhej ekstraduar pasi kishte kryer dënimin në Shqipëri për të njëjtën vepër penale dhe se momentalisht po hetohet po për trafik droge në Shqipëri.

Kurse prokuroria pretendon se dënimi i dhënë nga Italia nuk është për të njëjtat vepra penale dhe ka një dënim të dytë për përsëritje krimi. Kurse për krimin e kryer në Shqipëri, prokuroria pretendon që Çela të vuajë një herë dënimin në Itali dhe më pas të kthehet në Shqipëri. Çela i shpëtoi një operacioni katër muaj më parë në Fushë-Kuqe, teksa policia zbuloi një laborator heroine dhe kokaine në vilën e tij, armatim, valutë të konsiderueshme dhe materiale të tjera.

Në pranga ra vëllai i 42-vjeçarit, ndërsa ai u shpall në kërkim. Çela u arrestua në Tiranë 15 vite më parë, por u lirua nga gjykata pas një ekspertimi fals për sëmundje të pashërueshme, kancer në gjak, në vitin 2003. Prej asaj kohe ka qenë disa herë në kërkim.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *