Prokuroria e Tiranës dërgoi për ekspertizë në policinë shkencore të Ministrisë së Brendshme, aparatin “Oscar Omni Spectral Correlator” që ju bllokua shtetasit grek Iraklis Dragounis, në Rinas.
Sipas akuzës, prokurori Julian Zonja, e ka dërguar për ekspertizë aparatin që dyshohet se gjurmon pajisjet e përgjimit dhe kryente interceptime valësh celular.
Bashkë me aparatin e vendosur në një çantë dorë, prokuroria ka përpiluar edhe disa pyetje specifike për ekspertët, duke u pyetur nëse kjo aparatur kryente përgjime të aparateve celular. Pritet që ky ekspertim të përfundoi shpejt, pasi dyshohet se aparati I bllokuar i shtetasit greke Iraklis Dragounis është I njejti me atë të izraelitit të bllokuar një muaj më parë në Rinas.
Për llogari të këtij hetimi, prokuroria ka marr në pyetje për disa orë 52 vjeçarin Dragounis,i cili ka këmbëngulur se pajisja e tij nuk kryen përgjime por vetëm gjurmon pajisjet e përgjimit dhe mat valet e sinjaleve të antenave. Sipas akuzës, 52 vjeçarit ka pretenduar se ka ardhur në Shqipëri i kontraktuar nga një kompani e telefonisë lëvizëse. Për llogari të kësaj kompanive, ai ka pretenduar se ka hyrë në terrirtorin shqiptar edhe disa herë të tjerë.
Por prokuroria, mësohet se ka verifikuar hyrje daljet e 52 vjeçarit me profesion inxhiner ndërtimi, i cili rezulton se në Shqipëri ka hyrë 24 herë të tjera po me të njejtën pajisje dhe në asnjë rast nuk është ndaluar. Edhe ditën e ardhjes në Shqipëri, thonë burimet, policia dhe doganat nuk e kanë ndaluar pasi edhe vet 52 vjeçari Dragouis nuk e ka deklaruar në doganë aparatin që kishte me vete.
Deri sa kjo çështje të sqarohet nga ekspertët e policisë shkencore, prokuroria i ka bllokuar pasaportën shtetasit greke Iraklis Dragounis, teksa ai po hetohet në gjendje të lirë për akuzën e “keqpërdorimit të pajisjeve”.
