Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk e ka marrë ende në pyetje të dyshuarin Ilir Karçini, biznesmenin e kompanisë së gazit “Prima Gaz” dhe disa shoqërive të tjera private. Këto ditë pritet që 44-vjeçari të pyetet për konfliktet e tij me rivalin Piro Bare dhe biznesmenë të tjerë, kë ka porositur herën e parë për të bërë atentat në vitin 2011 dhe njohjet me kushërinjtë Mëhillaj, Julian Sinanajn dhe të tjerët. Karçini u arrestua rreth një javë më parë, por nuk është pyetur ende. Ai ka pranuar se kishte konflikte me Baren pse e pengonte në aktivitet, por mohoi të ketë porositur atentat dhe paguar 50 mijë euro dhe premtuar 70 të tjera për Julian Sinanaj. Por i penduari dhe ndihmësi N. Gj., kanë dëshmuar se pikërisht Karçini ishte porositësi dhe ndërmjetësit kushërinjtë Mëhillaj, të shpallur në kërkim. Madje sipas Sinanaj, Mëhillajt mbanin të gjitha lidhjet dhe njohjet politike apo me biznesin. Karçini ka për avokat ish-kryeprokurorin Theodhori Sollaku, një mik të vjetër të tij. Sinanaj ka thënë se kishte takuar 4 herë në zyrë Karçinin, i cili i ka dhënë foton e Piro Bares dhe 50 mijë euro kapar për ekzekutimin që do kryhej më 25 janar, ditën që dhe u arrestua.