I ndjeri Kosta Trebicka iku duke marrë të vërtetat me vete, duke hyrë në spiralen e karotës dhe shkopit me Familjen Berisha. Ai denoncoi shumicën e trafikut dhe pastaj tentoi deri në fund të jetës së tij të bënte biznes me dëshminë e tij mbi njerëzit që kishin thirrur Diverolin në një apartament në Tiranë dhe i kishin bërë presion të largonte Trebickën. Ndërkohë që i ndjeri po përpiqej të menaxhonte një sekret që të vret, Familja në pushtet nisi të sillet mirë me bizneset e tij duke përfshirë gruan e tij në një biznes universiteti me gruan e ish-Ministrit të Brendshëm, sot, president, Bujar Nishani, i cili vrapoi ta ngushëllonte i pari partneren e gruas së tij pasi u mor vesh se burri i saj ishte vrarë. I ndjeri Trebicka iku duke e marrë të vërtetën me vete, duke vepruar si një njeri i zakonshëm që tundohej nga ideja e rimarrjes së këtij biznesi përmes mbështetjes politike. Por drejtësia shqiptare nuk ka pse rri mënjanë kësaj historie, sidomos tani që drejtësia amerikane ka provuar krimin. Ekzistojnë borderotë e punës nga pala shqiptare se kush e ka bërë ripaketimin, ekzistojnë dëshmi, dhe ndoshta dhe pamje, se kush ishin njerëzit që bashkonin Gërdecin me trafikun nga Rinasi, ekzistojnë dokumente doganore dhe financiare për përfituesit e këtij biznesi, ndaj dhe hetimi është shumë i thjeshtë. Duke qenë se tani jemi dhe vend i NATO-s, hetimi i këtij krimi i jep më shumë kuptim anëtarësisë sonë në organizatën më të madhe ushtarake, brenda së cilës ne ende nuk kemi dhënë asnjë kontribut real dhe nuk kemi kapitalizuar asgjë prej anëtarësimit në të. Nëse drejtësia jonë nuk është në gjendje t’i tregojë SHBA-ve dhe NATO-s me fakte se cilët ishin shqiptarët që bashkëpunuan me trafikantin amerikan, atëherë ajo bën palë qeverinë Berisha me këtë trafikant duke na ekspozuar si një shoqëri me dy fytyra në raport me ta.
Email nga adresa: [email protected]