Prokuroria e Mitrovicës kërkon heqjen e imunitetit për punonjësin rus të UNMIK-ut

Edona Llukacaj

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Shyqyri Syla i është drejtuar Departamentit të Protokollit të Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, duke kërkuar heqjen e imunitetit për shtetasin rus M.A., punonjës i UNMIK-ut, i cili u arrestua dhe më pas u lirua dje në Mitrovicë.

Në njoftimin për media të prokurorisë thuhet mes të tjerave për këtë person, si për 7 të tjerë, “ ka filluar hetimet për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprave penale ‘Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare’ nga neni 401 paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 dhe 2 e lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe ‘Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi’ nga neni 403 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.

Kryeprokurori Syla ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës që në bazë të ligjit për Statusin, Imunitetet dhe Privilegjet e Misioneve Diplomatike, Konsullore dhe Personelin e Kosovës dhe Praninë Ndërkombëtare ushtarake dhe personelin e saj (Ligji Nr.03/L-033), që ta procedojë këtë kërkesë tek Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara dhe të kërkojë heqjen e imunitetit të shtetasit rus.

Kujtojmë se punonjësi i Misionit të Kombeve të Bashkuara (UNMIK), u arrestua dje nga policia e Kosovës gjatë një aksioni në veri të vendit por më pas u lirua pasi kishte imunitet diplomatik dhe nuk mund të mbahej apo ndalohej nga policia.

Burimi: Ora News

e.ll./dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *