Gënjen PD apo Prokuroria për gjurmët e gishtave të Kajmakut?

Ornela

Në reagimin e disa ditëve më parë, Prokuroria njoftoi se Kajmakut nuk i ishin marrë shenjat e gishtave, për të provuar ose jo dosjen penale të hapur në Greqi, për shkak se “ishte ngatërruar adresa e shtëpisë së tij”.

Por Posta Shqiptare deklaroi se më 29 gusht është dorëzuar në zyrën e bashkisë Vorë njoftimi zyrtar për Kajmakun për dorëzimin e gjurmëve daktiloskopike.

Ligji për dekriminalizmin përcakton në nenin 8 se ndaj funksionarit që ka bërë vetëdeklarim dhe nuk dorëzon shenjat e gishtërinjve brenda 5 ditëve, në rast se i kërkohen, zbatohet ndalimi i ushtrimit të detyrës.

“A i keni administruar ju provat që përmend Shërbimi Postar në deklaratën e tij zyrtare dhe që provojnë se Agim Kajmaku e ka marrë njoftimin në datën 29 Gusht? Nëse jo, pse? Nëse po, pse nuk është aplikuar sanksioni i parashikuar në nenin 8 të ligjit?”- thuhet në një reagim të sotëm të PD-së për Prokurorinë.

Deklarata e plotë

Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë dokumentacionin e plotë për çështjen e verifikimit të Agim Kajmakut, i arrestuar dhe i kërkuar në Greqi me emrin  Jorgo Toto për një krim që dënohet me 10 vjet burg.

Duke shfrytëzuar të drejtën që i jep ligji, Partia Demokratike kërkon të njihet me çdo veprim të prokurorisë që nga data e dorëzimit prej saj të kërkesës së verifikimit në 20 Gusht deri në 5 Shtator.

Siç u shpreh prokuroria, shërbimi postar ka ngatërruar adresën e tij dhe ende nuk ka dorëzuar shkresën. Por Posta Shqiptare konfirmoi se dokumenti i prokurorisë është dorëzuar në Bashkinë Vorë, fakt ky që, siç deklaroi Posta, vërtetohet lehtësisht në dy mënyra:

1.Sistemin e dërgesave nga bar kodi përkatës.

2.Prova e dorëzimit e firmosur nga sekretaria e Bashkisë Vorë”.

Shtetasi Agim Kajmaku e ka marrë njoftimin zyrtar për dorëzimin e gjurmëve daktiloskopike më datë 29 Gusht dhe sipas nenit 8 të ligjit të dekriminalizimit, duhet të kishte përmbushur detyrimin e tij deri në datën 3 Shtator 2019.

Çuditërisht,  nga ana juaj më datë 4 Shtator thuhet se subjekti nuk e ka marrë ende shkresën. Ky në fakt duket më shumë si justifikim i paligjshëm nga ana e organit të prokurorisë për të mos zbatuar sanksionin që parashikon ligji në rast se subjekti nuk dorëzon gjurmët daktiloskopike”- thuhet në kërkesën e PD drejtuar Prokurorisë.

o.j / dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *