Prokuroria: Grupi donte të rimerrte Lazaratin për t’iu kthyer drogës

Dita

Në përvjetorin e “pushtimit” të Lazaratit nga Policia e Shtetit ishte programuar edhe hakmarrja e grupit të zjarrit, me qëllim dhënien e një mesazhi ndaj shtetit dhe rimarrjen e “kështjellës” përsëri, për ta rikthyer në “republikën e hashashit”. Dhe ky është një konkluzion zyrtar i hetimit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda për ngjarjen e ndodhur mëngjesin e të mërkurës, kur mbeti i vrarë me snajper efektivi i RENEA-s, Ibrahim Basha dhe u plagosën dy kolegët e tij, Perlat Hamitaj dhe Jetmir Isaj. Prokuroria gjithashtu konfirmon se autorët kryesorë të grupit të strukturuar kriminal që akuzohen për vrasje në rrethana cilësuese janë vëllezërit Arbion dhe Alban Aliko. Ndihmës të tyre akuzohen Bervin Basho dhe Edmond Boçi. Ditën e sotme pritet të zhvillohet edhe masa e sigurisë së Xhuliano Malos, të arrestuar, edhe ky i cilësuar si anëtar i grupit të zjarrit.

 

Konkluzioni i Prokurorisë

“Nga hetimet e deritanishme, rezulton se Xhuliano Malo ka qenë pjesë e grupit të armatosur, grup i cili dyshohet se kishin rreth 6 muaj që përgatitej për të sulmuar dhe luftuar forcat e Policisë së Shtetit, me qëllim rikthimin e gjendjes së mëparshme në fshatin Lazarat, ku të krijohej mundësia për kultivuar lëndë narkotike kanabis sativa. Gjithashtu janë krijuar dyshime të arsyeshme se organizatorë të këtij grupi janë shtetasit Arbion Aliko dhe Alban Aliko, 20 dhe 18 vjeç”, thuhet në dosjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ky është edhe konkluzioni final për ngjarjen e 24 qershorit dhe qëllimet e grupit të zjarrit, të riorganizuar. Edhe më herët, vëllezërit Aliko, shoku i tyre Bervin Basho dhe persona nga jashtë Lazaratit, kishin tentuar të sulmonin me armë Patrullat në Lazarat gjatë muajit mars, me qëllim mbjelljen e hashashit. Gjatë kontrollit, policia gjeti makinën nga u qëllua dhe brenda saj armë bujqësore për hapje të gropave të hashashit, gropa të hapura, armatim dhe municion. Dhe në shenjë hakmarrjeje për operacionin e vitit të kaluar dhe kthimin e fshatit në jetën normale, të kërkuarit e grupit të zjarrit janë rikthyer dhe riorganizuar në Lazarat me shokë të tjerë, duke u ndarë në grupe të armatosura dhe thurur planin kurth për të goditur dhe dëbuar policinë. Sulme të ngjashme ka pasur në 1999, 2004, 2007 dhe 2014, po me qëllim ruajtjen e “oazit” të hashashit të paprekur.

 

Dosja për Malon

Prokuroria ka regjistruar dosjen penale për Xhuliano Malon më 24 qershor, fill pas arrestimit. I mituri që është pyetur në prani të një psikologu, ka rrëfyer gjithçka, duke bashkëpunuar. Ndaj tij rëndon akuza “vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, kryer në bashkëpunim, “vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, “prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Por deri tani Malo ka pranuar vetëm akuzën e armëmbajtjes pa leje dhe të drogës. Ai ka mohuar të ketë qëlluar me armë mbi policinë dhe se shërbente vetëm si furnizues i shokëve. Sot në mesditë zhvillohet masa e sigurisë në Gjykatën e Krimeve të Rënda Tiranë, ku kërkohet “arrest me burg”.

 

 

 

 

 

 

Çfarë iu sekuestrua Xhuliano Malos

Gjatë këqyrjes së makinës së 17-vjeçarit Xhuliano Malo, tip “Benz” me ngjyrë të bardhë dhe pa targa, u sekuestruan si prova materiale armatim dhe municion. U bllokuan: Një armë automatike, një pushkë model 63, një pushkë model 56, tre gëzhoja të fishekëve model 56, një ndezës, një granatë e armatosur, një thes “lino” e mbushur me fishek të kalibrave të ndryshëm, një kasetë fishekësh me disa krehra, katër kallëpe tritol, disa fishek 12,7 mm, dy radio komunikimi dhënëse marrëse, tre aparate celulari, si dhe tre qese farmaceutike të dyshuara si lëndë narkotike “Kokainë” dhe disa targa.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *