Prokuroria e Përgjithshme i bashkangjitet qeverisë në betejën për drejtësi dhe këtë e ka bërë duke marrë shkas nga 3 vendime të dyshimta të gjyqësorit gjatë javëve të fundit për tre persona të shumëkërkuar nga autoritetet italiane, që duhej të ekstradoheshin. Por gjykatat kanë rrëzuar kërkesat e prokurorive, duke liruar 3 të arrestuarit dhe dje organi i akuzës ngriti dyshime zyrtarisht, duke i kërkuar Këshillit të Lartë të Drejtësisë që të verifikojë 3 gjyqtarët Alma Liçaj dhe Laurant Fuçia në Vlorë, dhe Igerta Hysi në Fier, e të marrë masa ndaj tyre. KLD reagoi duke u shprehur se e ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme dhe ia ka kaluar çështjen Ministrisë së Drejtësisë. Kjo e fundit mirëpriti kërkesën e organit qendror të akuzës dhe shtrimin e çështjes për verifikim, duke njoftuar se ka nisur procedurat për vendimin që kanë marrë gjyqtarët.
Deklarata e Prokurorisë
Në një konferencë për mediat, drejtoresha e Kabinetit në Prokurorinë e Përgjithshme, Fjorida Ballauri, bëri të ditur se organi i akuzës i konsideron të pabazuara në prova vendimet e gjykatave për çështjen e biznesmenit fierak Arben Isufaj, i njohur ndryshe si “Ben Qimja”, caktimin e masës së sigurisë për Arben Gropën, i cili rezulton i arratisur dhe çështjen e Erjon Sadikaj. Prokuroria e Përgjithshme thekson se krahas kërkesave drejtuar Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Ministrisë së Drejtësisë, po vijon të ndjekë procedurat ligjore të ankimimit në Gjykatën më të lartë për këto raste. “Prokuroria e Përgjithshme kërkon nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë (KLD) dhe Ministria e Drejtësisë, të vlerësojnë procedurën që është ndjekur për vendimmarrjen e gjyqtarëve në disa gjykata të ndryshme të Shqipërisë, për të cilat, në vlerësimin e institucionit tonë janë tërësisht të pabazuar në ligj, në prova. Për Prokurorinë e Përgjithshme, gjykata, nëpërmjet këtyre vendimeve, ka lejuar shkeljen e ligjit, të cilat sjellin pasoja të pariparueshme. Për më tepër, në vlerësimin e organit të Prokurorisë, këto vendimeve përbëjnë edhe cenim të marrëdhënieve të besimit të mirë dhe reciprocitetit të institucioneve shqiptare me shtetet e huaja, veçanërisht me ato të Bashkimit Europian”, deklaroi Ballauri. Prokuroria vlerëson se në këto tre raste KLD do të ndjekë të njëjtën procedurë si me rastin e gjyqtarit të Beratit, Shyqyri Çobo, ndaj të cilit ka nisur procedimi disiplinor.
Arben Gropa
I pari është vendimi i trupit gjykues të Gjykatës së Apelit Vlorë, datë 20 shkurt 2014, e përbërë nga kryesues Alma Liçaj dhe anëtarë Skënder Damini dhe Gjinovefa Gaba, në caktimin e masës së sigurimit “arrest në shtëpi” për Vangjel Zijaj (allias Arben Gropa), për efekt të shqyrtimit të kërkesës për ekstradim. Fillimisht, ndaj këtij shtetasi ishte vendosur masa e sigurisë “arrest në burg”. Në bazë të këtij vendimi, shtetasit Gropa i është krijuar mundësi t’i shmanget drejtësisë. Më 24 korrik Ministria Drejtësisë ka lejuar ekstradimin për në Itali, ndërsa Gropa është arratisur pas lirimit nga gjykata. Prokuroria e ka rikthyer çështjen më 30 korrik për ndryshim mase. Gjykata e Apelit Romë, Itali, e ka dënuar me 32 vjet burgim (pjesa e mbetur e pavuajtur e dënimit 29 vjet e 5 muaj e 27 ditë burgim), për “prostitucion dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e drogës”.
Arben Isufaj
Me vendimin e datës 15 korrik 2014, të gjyqtares së Gjykatës së Rrethit Fier, Igerta Hysi, është vendosur shuarja e masës së sigurisë “arrest me burg” për efekt ekstradimi, për Arben Isufaj, duke vendosur ndaj tij masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Në vlerësimin e Prokurorisë së Përgjithshme, ky vendim është tërësisht i pabazuar në ligj dhe në prova Isufaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane të drejtësisë, për shkak se Gjykata e Torinos Itali, më 22 qershor 2010, ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, si edhe është lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar për veprat penale të “pjesëmarrjes në organizatën kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.
Erjon Sadikaj
Më 16 korrik, me vendim të gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Vlorë, Laurent Fuçia, është vendosur shuarja e masës së sigurisë “arrest me burg”, për qëllime ekstradimi, duke urdhëruar lirimin e menjëhershëm për të arrestuarin Erjon Sadikaj. Edhe këtë vendim prokuroria e cilëson të pabazuar në ligj dhe në prova. Sadikaj ka përfituar nga kjo masë dhe rezulton i arratisur. Ndaj tij, Gjykata e Leçes, Itali, ka lëshuar urdhër-arrestin më 1 korrik 2011, për veprën penale të “pjesëmarrjes në organizatë kriminale” dhe të “trafikimit të lëndëve narkotike”. Për Sadikajn, organi i akuzës thotë se paralelisht po i zhvillohej një gjykim për armëmbajtje pa leje dhe shitje droge. Ndërsa ishte dënuar me 5 vite burgim, ka vendosur që ta pezullojë atë me vendim prove 4 vjet dhe lirimin e tij të menjëhershëm. Sipas prokurorisë, në asnjë rast një person për të cilin kërkohet ekstradim nga autoritetet e huaja dhe që ka dy vepra të tjera penale në Shqipëri, nuk mund të lihet në periudhë prove.
Ministria e Drejtësisë: “Do ndjekim me vëmendje të 3 rastet, kemi nisur verifikimet”
Ministria e Drejtësisë iu përgjigj dje kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme, duke garantuar se do të ndjekë me vëmendje dinamikën e këtyre rasteve, me qëllim rritjen e transparencës në vendimmarrjen e gjykatave, në drejtim të konsolidimit të shtetit të së drejtës. “Ministria e Drejtësisë, inkurajon Prokurorinë e Përgjithshme në evidentimin e rasteve që përbëjnë shqetësim për sistemin e drejtësisë dhe opinionin publik, dhe e përgëzon atë për interesin e treguar. Ministria e Drejtësisë gjen rastin të informojë se ka ndjekur në vazhdimësi ecurinë e rasteve të përmendura dhe garanton që do të ndërmarrë çdo iniciativë të nevojshme, pas përfundimit të procedurës së gjykimit të tyre në gjykatat më të larta”, thuhet në njoftimin zyrtar të ministrisë. Madje MD inkurajoi më tej Prokurorinë e Përgjithshme në evidentimin e rasteve të tjera.
KLD: “Gjyqtarët do verifikohen për mosrespektim formal të ligjit”
Këshilli i Lartë i Drejtësisë bëri të ditur se Inspektorati i KLD-së sapo është vënë në dijeni të shkresave zyrtare, ka nisur shqyrtimin paraprak në përputhje me aktet ligjore në fuqi. “Në përputhje me procedurat ligjore, nga shqyrtimi paraprak, Inspektorati i KLD-së, ka konkluduar se gjyqtarët Igerta Hysi dhe Laurant Fuçia do verifikohen për mosrespektim formal të ligjit. Ndërsa për gjyqtarët Alma Liçaj dhe anëtarët Skënder Damini dhe Gjinovefa Gaba, në Gjykatën e Apelit Vlorë, nga Inspektorati i KLD-së është konstatuar se ky rast është inspektuar nga Ministria e Drejtësisë në mars 2014, fakt i cili është bërë publik edhe në media. Për pasojë, është konkluduar se ankesa duhet t’i përcillet për trajtim Ministrisë së Drejtësisë, me qëllim shmangien e dublimit të verifikimit”, njoftoi KLD. Gjithashtu Këshilli i Lartë i Drejtësisë “siguron Institucionin e Prokurorisë dhe çdo Institucion tjetër, se çdo kërkesë e përcjellë zyrtarisht në protokollin e Këshillit do shqyrtohet me përparësi në përputhje me aktet ligjore në fuqi, si dhe kurdoherë brenda një afati sa më të shkurtër kohor”.

Prokuroria i kerkon gjerat me peshore farmaceutike, qe do te thote se; kerkon vetem aty kur dikujt i inereson dhe jo se po ben punen apo detyren e saj. Thuhet se para ligjit jemi te barabarte, hipokrizi pa fund. Prokuroria te shqyrtoje dhe ti kerkoje KLD,te pakten vendimet Penale te gjykates apelit Tirane nga periudha 2010-2014 se si jane dhene vendime krejt te pa baza dhe te kundraligjeshme. Shikoni vendimet e gjyqetares Zegjine Sallaku dhe do bindeni se sa korrupsion ka brenda kesaj gjykate.
Drejtesia ketu duhet te funksionoi ne rastin me te pare …dhe sidomos rastin eAlma licos ………eshte turpi i drejtesise ………..eshte elidhur koke ekembe me krimin…..eshte nje familje ordinere e mbeshtetur nga Lsi ……….qe nga kunati i madh Gezimi ….dikur polic rrugor …nga i shoqi nje ordinere qe ben lidhjet …midis krimineleve dhe gruas se tij te famshme ……..dhe nga kunati rrugac qe na i paskan ber edhe drejtor te patentat …ja keto jane gjykatesit tane .Turp per kld dhe ministrin e drejtesise ……….qe na i ben dhe kryetarke te apelit .Turp …….nje thuthuqke …te drejtoj gjykaten …………E O KLD ………mblidhni mendjen ekokes …..boll me me te tilla emerime …………se thoni qe nuk jemi te politizuar ……….por si dije me te pd …dhe sot me te lsi …………………Mos vendosni ngjyra …..vendosni NJEREZ ……..
Llalle , Llalle une shto uje dhe ti prape e bardhe !