Me akuzën e shpërdorimit të detyrës, Prokuroria kërkoi shpalljen fajtor të ish-ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj, dhe dënimin e tij me një vit burgim.
Në mbyllje të një gjyqi që zgjati 6 muaj, prokurori Madrid Kullolli tha gjatë pretencës se, ish-ministri ka injoruar vendimin e Këshillit të Akreditimit për moshapjen e 8 programeve në universitetin privat “Vitrina”.
Në kohën kur ky këshill i ka konsideruar negative kriteret e depozituara për të miratuar programet për vitin akademik 2010-2011, ministri ka urdhëruar hapjen e tyre, tha prokurori. Prokuroria konsideroi shkelje edhe faktin se, ndërkohë në këtë universitet, regjistrimet për këto degë ishin kryer një vit më parë, pra në 2009-n.
Por ndërsa e cilësoi si një veprim të paligjshëm të kryer nga ish-ministri, që i ka sjellë përfitime subjektit privat, nga ana tjetër, përfaqësuesi i akuzës nënvizoi se Tafaj e ka kryer këtë veprim nën kushtet e një presioni të fortë.
Për këtë shpjegim, prokurori nuk solli asnjë provë në Gjykatën e Lartë. Sipas akuzës, përmes shpërdorimit të detyrës, Tafaj u ka shkaktuar 1.869 studentëve një dëm ekonomik prej gati një milion eurosh.
Prokurori shtoi se, në shpalljen e vendimit, kolegji duhet të mbajë parasysh si rrethanë lehtësuese, faktin që ish-ministri është akademik dhe, nga ana tjetër, abuzimin me funksionin si rrethanë rënduese.
Në këtë pikë, gjyqtari Artan Broci ironizoi me prokurorin, duke e pyetur se në cilin burg sugjeronte Prokuroria ta vuante dënimin i pandehuri, dhe ai iu përgjigj: “në një burg të sigurisë së zakonshme”.
Avokatja, nga ana e saj, kërkoi shpalljen të pafajshëm të ish-ministrit, aktualisht deputet i Parlamentit, me arsyetimin se fakti nuk ekziston, pasi të gjithë studentët që kishin ndjekur degët e pamiratuara nga Këshilli i Akreditimit kishin kaluar për studime të mëtejshme në universitetet shtetërore.
Gjykata u tërhoq për vendim, të cilin do ta shpallë në datën 14 prill.

KAQ PAK MORE???????!!!!!!!!!!!!!!!!!
Kjo eshte nje tallje me ato deme qe ky person i ka shkaktuar aresimit dhe me parate qe ka vjedhur duke hapur universitet si kepurdha kudo ne shqiperi.Megjithate dhe ky le te jete nje fillim per te gjithe hajdutet ne fuqi qe kane shperdoruar detyren per perfitime personale.