Prokuroria mbyll hetimin ndaj Nazime Vishës. Organi i akuzës ka dorëzuar në gjykatë dosjen në ngarkim të 18-vjeçares, e cila akuzohet për vrasje me paramendim. Në dosje, prokuroria thotë se gjendet sqarimi mbi akuzën e formuluar, në të cilën është arritur duke hedhur dritë mbi disa momente të lidhjes së vajzës me Fiqiri Muçën. Sipas prokurorisë, në foto e gjetura në telefonin e viktimës, tek Nazimja nuk dallohet asnjë element i dhunës apo detyrimit.
“Mes provave të do të dërgohen në Gjykatë ndodhen disa dhjetëra foto, të hedhura në një CD, por disa prej tyre janë printuar nga ana e Prokurorisë. Fotot janë imazhe të fiksuara me kamerën e celularit të Fiqiri Muçës gjatë kohës së qëndrimit me Nazimen në ditët kur e akuzuara kishte ikur nga shtëpia. Fotot e nxjerra nga celulari i Fiqiri Muçës përbëjnë një provë se në momentin e largimit nga banesa, 18- vjeçarja nuk ka qenë e detyruar apo e rrëmbyer”, thonë burimet nga Prokuroria.
Një tjetër pikë kyçe e historisë sipas akuzës është prishja e fejesës së Nazimes me një të ri nga Vaqarri, i cili e mori vendimin për t’u ndarë pasi mori vesh se çfarë kishte ndodhur 18-vjeçares dhe Fiqiri Muçës.
Ndërsa vetë e akuzuara është shprehur se e ka kryer krimin si hakmarrje ndaj abuzimit me të. “Kam vrarë përdhunuesin”, është shprehur ajo.
Ndërkohë, familjarët e saj kanë kërkuar një dënim të lehtë për 28-vjeçaren.
Historia
Nazime Visha vrau me armë zjarri Fiqiri Muçën në 13 gusht 2012. Ajo deklaroi pas krimit se e vrau 45-vjeçarin pasi ai tentoi ta rrëmbente. Nazimja i tha policisë se ai e kishte përdhunuar që në moshë të mitur. Fiqiri Muça ishte vëllai i burrit të motrës së Nazimes, çka bëri që ata të shoqëroheshin për një kohë të gjatë pa ngjallur dyshime. Në dhjetor të 2011, Nazimja u fejua pa dëshirën e saj por me këmbënguljen e familjes. Por fejesa u prish pak kohë më pas. Në deklarimet e saj para hetuesve, Nazimja tha se Fiqiriu e kishte kërcënuar të mos lidhej me asnjeri, çka e detyroi t’i jepte fund fejesës. Një tjetër fakt që prokuroria ka mundur të provojë është mes viktimës dhe Nazimes ka pasur për një kohë relativisht të gjatë marrëdhënie seksuale.
