Pas tentativave të dështuara për të gjetur trupin e të miturit Julian Çela në vendgrumbullimin e plehrave në Sharrë, prokurorët kanë marrë sërish në pyetje 45-vjeçarin Ardian Prenjasi. Mësohet se ky i fundit vijon të këmbëngulë në versionin e parë të dhënë se e ka vrarë të miturin dhe e ka hedhur atë në Sharrë.
Megjithëse i marrë disa herë në pyetje, pa gjetjen e trupit apo të ndonjë prove që mund të provojë se ato që pretendon i akuzuari për pedofili janë të vërteta, prokuroria nuk mund të ngrejë akuzën për vrasje ndaj Prenjasit.
Pavarësisht se hapësira e kërkimeve në landfillin e Sharrës është zgjeruar krahasuar me pikën e parë që tregoi 45-vjeçari, sërish kërkimet nuk patën rezultat. Ndërkohë, në banesën e Prenjasit nuk u gjet asnjë provë shkencore që mund ta lidhë pedofilin me zhdukjen e të miturit Çela.
Lidhur nga kjo mungesë e provave, prokuroria shprehet se po rikthejnë në vëmendje pistën e mëparshme për një trafikim të mundshëm të 11-vjeçarit.
Ndaj Prenjasit rëndon akuza e marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale me të mitur në rrethana rënduese për rastin e një të mituri 10-vjeçar. Për këtë akuzë parashikohet një dënim deri në 15 vjet burg.
Prenjasi, edhe një pafajësi në vitin 2004
Ndërsa Prokuroria e Elbasanit deklaroi se nuk ka arritur të gjejë asnjë çështje kundër Ardian Prenjasit, edhe pse ka verifikuar me mijëra dosje në arshivën e këtij institucioni. Sipas të njëjtave burime, verifikimi nuk mund të quhet i ezauruar pasi dosjet janë të shumta dhe kërkojnë kohë pasi nuk janë të informatizuara dhe janë me mijëra.
Sa i përket një hetimi të ri për këtë çështje duhet një kallzim për të verifikuar rastet dhe për të vazhduar një hetim të mirëfilltë. Informatizimi është edhe domosdoshmëria më e madhe për këtë institucion që për shkak të shkrirjes së prokurorive të rretheve dhe bashkimit një një institucion të vetëm e ka thuajse të pamundur të kontrollojë dosjet e vjetra.
Edhe pse kanë bërë një kontroll paraprak sekretaritë e prokurorisë nuk kanë arritur në një rezultat pozitiv duke deklaruar se deri tani nuk ka një dosje në ngarkim të Prrenjasit në periudhën për të cilën diskutohet ditët e fundit.
Ndërkohë është verifikuar rasti në policinë e Librazhdit. Bëhet fjalë për një çështje në fund të dhjetorit të vitit 2004 kur Prrenjasi ka rrëmbyer dy fëmijë, ndër të cilët edhe nipin e tij. Në atë kohë çështja është proceduar një rrëmbim dhe policia deklaron se nuk ka abuzim me fëmijët e rrëmbyer edhe pse njëri prej tyre ishte nipi i autorit. Nga verifikimet e para rezulton se Prenjasi është arratisur dhe gjykata ka dalë në përfundimin se fëmijët kanë ikur me dëshirë pas tij dhe e ka deklaruar Ardian Prenjasin të pafajshëm.