Pas dhënies së masës “arrest me burg” për drejtoreshën e Arsimit në Lushnjë, Liza Tabaku, Prokuroria e këtij qyteti jep detaje të tjera të hetimit. Organi i akuzës u bëri thirrje qytetarëve dhe kryesisht mësuesve të dëmtuar, që të denonconin çdo rast të zyrtares së lartë për korrupsionin me emërimet apo mbajtjet në punë, pasi do të vlerësoheshin maksimalisht, edhe duke ruajtur anonimatin dhe ofruar sigurinë. Burime nga organi i akuzës bënë të ditur se gjatë ditës së djeshme kanë mbërritur edhe pesë denoncime të tjera për drejtoreshën.
Mësuesit që kanë denoncuar Tabakun e akuzojnë atë se kërkonte dhe merrte nga 3 mijë euro për transferimet nga njëra shkollë në tjetrën. Bëhet fjalë edhe për 5 denoncime të reja sipas organit të akuzës, që po shqyrtohen për t’u siguruar si prova materiale për procesin hetimor dhe gjyqësor. Në të njëjtën kohë, grupi hetimor ka dhënë edhe detaje se ku i mbante drejtoresha e Arsimit Lushnjë, ryshfetet që merrte në këmbim të punësimit të mësuesve. Nga kontrollet që janë bërë në shtëpinë e saj rezulton se ajo i fshihte lekët në vende të ndryshme, dhe shuma e sekuestruar i është gjetur në rrobat e shtëpisë, në divane dhe në sirtarë. Një pjesë e parave të shpërndara në zarfe, ndërsa iu kap edhe një dokument pronësie apartamenti në Yzberisht të Tiranës, që sapo e kishte blerë.
Gjithashtu si provë u morën edhe 2 mijë eurot që ajo tentoi të hidhte në tualetin e Komisariatit pas arrestimit. Tabaku ka mohuar akuzat, por prokuroria tha se ka prova të siguruara nëpërmjet përgjimeve për “kafet” dhe udhëzimet e saj tek i biri, Xhanluka, po i arrestuar, që “të mos lëshonte pe dhe të mos ulte pazarin” nga 3-5 mijë euro për emërimet. I arrestuar për këtë hetim është edhe mësuesi i fiskulturës në shkollën e mesme Allkaj, Rigert Zeneli, që bënte sekserin. Një ditë më parë u zbulua edhe një ditar që Tabaku mbante ku shënonte emrat e mësuesve dhe shumat që kishte marrë për punësimin e tyre.
