PRONA LUGAT

editor

Krimet në Shqipëri sot konsumohen për gjithfarë motivesh të ulëta – grindje banale, xhelozi, zënie rruge në trafik, një kompliment i lëshuar jo në kohën dhe vendin e duhur, një varëse e bukur, radioja e ndezur me zë të lartë, një “ça ke që shef”. Megjithatë, shumë, tepër shumë vrasje dhe lëndime ndodhin për pronat, shpronësimet dhe ripronësimet. Ky institucion social dhe ekonomik themelor – prona – rrezikon të dëmtojë, si gangrenë, komunitetet, bashkëjetesën dhe rendin publik.

Vrasjet, lëndimet dhe përplasjet e hapura, të cilat ndonjëherë vazhdojnë për vite edhe në trajta të gjakmarrjesh dhe hakmarrjesh të tjera, duhen parë vetëm si maja e ajsbergut, e një dukurie që ka futur me qindra mijëra shtetas në konflikt me njëri-tjetrin: vëllezërit kundër vëllezërve, kushërinjtë kundër kushërinjve, komshinjtë kundër komshinjve.

Prona e rehabilituar është duke shkatërruar lidhjet familjare, fqinjësitë e mira dhe, në përgjithësi, indin që i mban shtetasit së bashku dhe që i bën, tek e fundit, qytetarë.

Nuk po dua të flas si marksist, as të përgojoj pronën në private përgjithësi; por vetëm të ftoj për reflektim në lidhje me atë plagë të hapur, që i shoqërohet institucionit të pronësisë mbi truallin.

Për të kuptuar mirë se çfarë po ndodh me këtë pronësi sot, duhet të kemi parasysh (1) se vetë trualli është i kufizuar, nuk mund të shtohet, bie fjala, duke e ndërtuar (në parim) ose duke marrë kredi; dhe (2) vetë institucioni i pronësisë private mbi tokën u shkatërrua me themel gjatë viteve të regjimit komunist, për t’u zëvendësuar nga pronësia shtetërore, shpesh e maskuar si publike.

Natyrisht, shumë konflikte për truallin degradojnë në kronikë të zezë sepse shtetasit nuk kanë besim te drejtësia, madje e konsiderojnë atë si të kapur nga “të fortët”, ose edhe nga pala “e fortë” në konfliktet; sepse shtetasit nuk janë mësuar t’i zgjidhin andralla të tilla duke iu drejtuar gjykatave; sepse shtetasit nuk arrijnë dot të mbijetojnë nëpërmjet punës, por kërkojnë me çdo kusht rentën që të siguron pronësia mbi tokën, etj.

Ky shkrim nuk është gjë disertacion për shkaqet sociale të krimit në konfliktet për pronësinë ndaj truallit dhe as duhet lexuar ashtu; por vetëm dëshiron të vërë në dukje ndonjë aspekt që anashkalohet në analizat publike të dukurisë.

Dhe që lidhet, para së gjithash, me historinë e institucionit të pronës mbi truallin në Shqipëri dhe të vetë shoqërisë ku vepron ky institucion.

Prona mbi truallin sot strukturohet, në thelb, në bazë të pronësisë historike – trualli i përket atij që e ka pasur. Kësisoj, “kthimi i pronave” vjen e shndërrohet në një orvatje madhështore, por patetike, për të restauruar një fotografi pronësie të, së paku, 60-70 vjetëve më parë; duke e marrë atë për të mirëqenë dhe të përsosur.

Mirëpo, edhe sikur struktura e pronësisë mbi truallin të ketë qenë e pacen atëherë, këtu harrohet se vetë prona, si institucion, evoluon së bashku me shoqërinë, duke iu përshtatur zhvillimeve dhe, anasjelltas, duke ndikuar mbi këto zhvillime.

Nëse prona private mbi truallin në thelb pushoi së vepruari gjatë regjimit komunist, atëherë institucioni në thelb “vdiq”; dhe për një institucion të vdekur është e natyrshme të pyesësh nëse mund të ringjallet.

Përpjekjet për të ringjallur institucione të vdekura mund të jenë fisnike në vetvete, por kjo nuk pengon që të japin si rezultat mëkëmbjen e çfarë nuk është veçse një zombie – ose një i zhvdekur.

Ky farë infektimi i shoqërisë shqiptare me zhvdekje nuk kufizohet vetëm me pronësinë ndaj truallit, por i prek edhe fusha të tjera: për shembull, feja ose historia e rishikuar.

Nëse një institucion i vdekur mund të ringjallet, për këtë mund të diskutojmë gjerë e gjatë; çfarë duket jashtë dyshimi, është që ringjallja nuk duhet marrë si e mirëqenë, ose si zhbërje formale, mekanike ose aritmetike e vdekjes. Ashtu ndoshta do t’i vijë radha edhe diskutimit për çfarë krijohet a përftohet vërtet, gjatë përpjekjeve për rikthim dhe ringjallje të institucioneve të vdekura, të vrara ose të varura në litar.

Që pronësia mbi tokën, si institucion, duhej të ishte zhvilluar historikisht së bashku me shoqërinë përkatëse, duhet kuptuar në dy mënyra: (1) vetë institucioni është dobësuar në vetëdijen kolektive, ka humbur nuancat dhe domethënien, për t’u zhndërruar në një zhguall të kalbur të vetvetes; dhe (2) shoqëria shqiptare, gjatë këtyre 60-70 vjetëve është zhvilluar në drejtime të tjera, p.sh. duke kultivuar institucionin e pronës shtetërore (për mirë dhe për keq) dhe, çfarë është më e rëndësishme, duke u shndërruar nga pikëpamja demografike.

Te kjo pikë e fundit mund të ndalem pak më gjatë, meqë nuk e kam fjalën vetëm për trefishimin numerik të popullsisë, por edhe për faktin që harta e pronësisë mbi truallin, qoftë edhe vetëm e dy-tre brezave më parë, nuk i përgjigjet më strukturës së sotme të titullarëve të pronës: familjeve.

Diçka që nuk duhet harruar në këtë mes: trefishimi i popullsisë ka ndodhur mbi bazën e pronësisë kolektive (shtetërore, publike) mbi truallin, fakt që nuk është aq trivial sa ç’mund të duket.

Ajo përshtatje e ngadalshme e pronësisë mbi truallin, që ndodh teksa familja zhvillohet në kohë (p.sh. ndarja mes vëllezërve me testament, ose primogjenitura, atje ku ekziston), në Shqipëri nuk është lejuar të ndodhë.

Kjo do të thotë edhe se trualli, në marrëdhëniet me shtetasin abstrakt, është shndërruar në varrezë të thellë dhe kutërbuese.

Por zhvillimi demografik ka cekur edhe shpërndarjen gjeografike të popullsisë, duke ndryshuar, p.sh. raportet midis atyre që jetojnë në qytet dhe atyre që jetojnë në fshat; pa folur për rastet kur fshatra dhe qyteza të tëra janë ngritur, si komunitete, mbi prona që sot i janë njohur tjetërkujt.

Më tej, natyrë historike nuk ka vetëm institucioni i pronës, por edhe mënyra si zgjidhen konfliktet përkatëse – antropologët duhet ta dinë si i kanë pleqëruar, tradicionalisht, shqiptarët këto konflikte dhe mosmarrëveshje, pikërisht për të siguruar paqen sociale; por këto teknika tradicionale nuk veprojnë më.

Që drejtësia, madje edhe sikur të ishte e përsosur, të mund të ndihmonte drejtpërdrejt në zgjidhjen e konflikteve të tanishme, asaj do t’i duhej një autoritet moral që nuk e ka; dhe jo vetëm ngaqë shihet si “e kapur” dhe “e korruptuar”; por ngaqë shpesh shtetasit nuk presin që këto konflikte mes komunitetit t’ua zgjidhë një palë e tretë e huaj, dhe aq më pak shteti.

E shumta që shtetasi i zakonshëm bën, në raste konfliktesh të tilla, është “të zërë një avokat” – nuk po merrem me rastet, çuditërisht në rritje, kur i kërkohet zgjidhja Brukselit, në thelb Sulltanit.

Pa folur pastaj për koston ekonomike, sociologjike dhe psikologjike të litigation, ose të zgjidhjes së konflikteve të pronësisë me rrugë gjyqësore.

Veç të tjerash, pronësia mbi tokën, e fituar rishtas, ka përftuar dhe vazhdon të përftojë një lloj histerie, të ngjashme me atë që ndodh kur fitohet lotaria – meqë pronarët e rehabilituar mund të gdhihen të pasur brenda ditës, çka është shumë më e frytshme, si mënyrë pasurimi, se biznesi i zakonshëm ose puna.

“U kanë dalë toka” është një shprehje që, së paku në Tiranë, e dëgjon të shqiptohet me të njëjtin intonacion si “kanë fituar miliona në lotari.”

Mirëpo trualli është vetvetiu i fundëm, sipërfaqja e Shqipërisë është ajo që është dhe malet e gërxhet deri më sot nuk ka arritur t’i hekurosë kush, për t’i kthyer në fusha; dhe çfarë i duhet më pak sot shtetit dhe shoqërisë së atjeshme është një konflikt madhor mes atyre që kanë troje dhe atyre që nuk kanë; sepse ky konflikt përfton veç mjerim në rritje.

Natyrisht nuk e kam zgjidhjen për këtë, por vetëm konstatoj anomalinë e një shoqërie e cila po kërkon të orientohet, në mes të stuhisë, sipas një harte e cila nuk i përgjigjet më “territorit.”

Ose më mirë, zgjidhja që përsiat unë mund të përqeshet, dhe në fakt është përqeshur, si naive: shfuqizimi i çdo pronësie ndaj truallit, i cili duhet t’u përkasë, me përkufizim, të gjithë shtetasve të republikës.

Dhe nëse bëhet kjo, atëherë problemet e pronësisë së truallit mund të zbuten, duke u shndërruar në probleme të dhënies në përdorim të truallit; dhe duke shpresuar, ndërkohë, se shtetasit do të heqin dorë nga ëndrra parazitare për t’u pasuruar nëpërmjet rentës.

Ekonomistët, sociologët dhe të gjithë specialistët e tjerë përkatës do të m’i bëjnë kabull gabimet në parashtrimin më lart dhe terminologjinë detyrimisht jo-teknike; do të mirëprisja kontributet e tyre, por jashtë pozicioneve të ftohta dhe, mundësisht, në vazhdën e problematikës së shkrimit tim.

*Peizazhe të Fjalës

Share This Article
8 Comments
  • NE ARSENALIN E MENYRAVE PER TI BERE COPE-COPE SHQIPTARET ME NJERI TJETRIN SALO DJALI SI NJE VEGEL NE DUART E ATYRE QE I DUAN SHQIPTARET TE VRITEN ME NJERI TJETRIN GJITHE JETEN ZBATOI PARIMIN TOKA(PRONA)I TAKON ATIJ QE PRIVATIZON .KY ESHTE NJE PARIM QE E KA BERE DHE DO TA BEJE SHQIPERINE,SHQIPTARET BASHKE ME PRONAT E TYRE “FRAGILE”.ATA QE I KANE SOT KETO PRONA MUND TI HUMBASIN NE CDO MOMENT NE TE ARDHMEN>I VETMI FITIM NGA KJO MENYRE EKZISTENCE ESHTE DALJA PA HASMERI DHE ME BUXHET FINANCIAR POZITIV NGA MENAXHIMI I TYRE>”I PERKOHSHEM”.

  • SHQIPTARET NUK PERFITUAN KONTRIBUTIN E BREZAVE NE SOCIALIZEM PER OBJEKTET QE JANE PRIVATIZUAR.ATO U PRIVATIZUAN NGA PD dhe PS DHE LAKENJTE E TYRE.

  • OBJEKTET E PRIVATIZUAR DUHEN RIVLERESUAR DHE RREMBYESIT DUHET TE KTHEJNE PARATE KONTRIBUESVE NE NDERTIMIN E TYRE

  • Jam 100% dakort me mendimin tend, kjo do te ishte zgjidhja me e mire per shumicem e popullit shqiptar , qe toka te administrohej nga shteti dhe te jepej ne perdorim per ata qe donin nje sasi toke, kjo do te shmangte perplasjet ndermjet familjeve shqiptare dhe korrupsionin e qeveritareve, politikaneve dhe biznesmeneve

  • Ka shume problème me prônant sepse keshtu e deshiroj Ramizi me shoket e tij…-shih mbledhjen e byros ou thot do te bejme llemsh kete Pune e kur pronat nuk do ti marrin- Berisha si kelysh i Ramizit veproj shume mire kunder pronareve,bashke me nderkombtaret te cilet cohen prish kunder kanunit,po kur jo kunder moskthimit te prônés qe na solli aq shume morte…. Kjo sepse edhe ato syrien e Kane tek prônant ton à sidomos ato ne vende ma te bukura….
    Prôna Duhet te shkoje tek pro ari,kjo eshte alpha e oméga e cdo veprim politike per te ardhmen te shqiperise:nuk ka evrope pa kthim te prônés,kete va garantojne….
    pastaj eshte shteti ai qe vé taksa mbi prônant,qe pasuria kombtare mos te mbehtet vetem ne Duarte e pronareve.Sot per shembull shume francez shitin pronen e tyre se nuk perballojne taksat mbi pasurine,edhe ne shqiperi kjo duhet me u zgedhe’ai qe ka shtepia ou nuk banon duhet te tatohet shume,qe mos te kemi parazitizem e te kemi shperdaje te pronave..
    Ato qe Kane perfituar nga privatizimi duhet te tatohen shume kur shesin banesat”nuk eshte normal dikkush me fituar shume vetem sepse ishte ne nje banese ne titane,e dikkush asgje sepse ishte ne burg ne Spac,pra prape ketu shteti duhet te veproje edhe te ndaje njisoj per te gjithe nga prôna publike-edhe ky njesoj sigurohet nepermjet taksave’tatim mbi prônant,tatim mbi bizneset,tatim kur shesish pronen et je et.E JO DUKE shpif prape ligne abrakabranteske ou je pronar i truallit qe ta ka okupuar dikkush tjeter….
    Ligji eshte ai qe ndreq padrejtesite:kush zaptoj pronen e tjeterkujt,le ti zaptohet prôna qe ta shohe pak a qenka mire kjo Pune, edhe qe te pranojetash me e paguar truallin,e jo ai me e fituar vetem pse e zaptoj….
    Kush ka prôna me mija hektare’shteti le te vend os taxa te nalta,keni me la te gjithe Kane me i shit ….Plus qe keshtu as je problèmes nuk do kemi me strasburgun,..

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *