Themeluesi i kompanisë së shitjeve me pakicë në internet Amazon, Jeffrey Bezos, do të blejë një nga gazetat më të njohura në Shtetet e Bashkuara.
Gazeta Washington Post njoftoi të hënën se zoti Bezos do ta blejë gazetën dhe publikimet e saj për 250 milionë dollarë. Sipas gazetës Washington Post kompania Amazon nuk ka asnjë rol në këtë blerje.
Washington Post, e cila është e njohur për zbulimin dhe publikimin e ngjarjeve të mëdha përfshirë skandalin Watergate në kohën e presidentit Richard Nixon, ka qenë në pronësi të familjes Graham për katër breza.
Në një deklaratë të bërë të hënën, drejtuesi i Washington Postit Donald Graham tha se gazeta do të shërbehet më mirë me një tjetër pronar. Ai tha se sfidat në industrinë e shtypit, përfshirë të ardhurat në rënie, detyruan familjen e tij të konsideronte shitjen e gazetës.
Jeffrey Bezos tha në një letër të botuar në faqen e internetit të gazetës Washington Post se gazeta nuk do të ndryshojë rrënjësisht.
Leave a Comment
