Pronari i “BMW”-së: Nuk e njoh Arben Frrokun, dhe as hajdutin e makinës

anazapta

Gjyqi te Gjykata e Krimeve të Rënda ndaj biznesmenit Arben Frroku ka vijuar ditën e djeshme me dëshminë e pronarit të veturës që u përdor për atentatin ndaj kryekomisarit Dritan Lamaj më 24 shkurt 2013 në Tiranë. Në dëshminë e tij, Fatmir Lulaj, nga Durrësi, deklaroi për trupin gjykues se nuk njeh asnjë nga personat për të cilët është pyetur në polici dhe prokurori, Arben Frrokun apo dhe të dyshuarin që i ka vjedhur makinën një ditë para ngjarjes. “Mjetin e kisha parkuar në lagjen ku banoj, afër shtëpisë, në qytetin e Durrësit. Por kur shkova që ta merrja, nuk e gjeta aty. Menjëherë kam denoncuar në Komisariat dhe aty mund të gjeni kohën e denoncimit për vjedhjen e makinës. Nuk i njoh as të pandehurin Arben Frroku dhe as personin që ma ka vjedhur makinën”, ka thënë Lulaj. I pyetur nga gjyqtari se kur e mori vesh se makina iu gjet, Lulaj tha se “ka mësuar nga lajmet një ditë më pas se automjeti i tij ishte përfshirë në një atentat, por nuk njoha asnjë prej tyre”. Dëshmitari tha se këtë fakt e kishte deklaruar edhe kur u shoqërua një vit më parë nga policia. Në procesin ndaj të dyshuarit për vrasjen e Lamajt, ka dëshmuar dhe i afërmi i tij Pjerin Frroku, i cili tha se e ka takuar Arbenin 10 ditë para ngjarjes, por nuk ka vënë re asgjë që të mendojë se kushëriri i tij ka kryer vrasjen.

Seanca e radhës është lënë për të mërkurën e ardhshme, ku pritet të dëshmojnë sërish dëshmitarët e organit të akuzës.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *