Fondi i Sigurimeve shëndetësore ka zbardhur gjatë ditës së djeshme propozimet e par lidhur me reduktimin e kontributeve shëndetësore që do të paguhen nga personat e vetëpunësuar në fshat e qytet, si dhe ata që u drejtohen skemës vullnetare. Në draftin e hartuar nga Fondi sqarohet se baza për llogaritjen e kontributit për personat e siguruar të punësuar është paga bruto e të siguruarit. Për personat e vetëpunësuar, si dhe për personat që duan të përfshihen në skemën e sigurimit shëndetësor vullnetar, baza e llogaritjes së kontributit është dyfishi i pagës minimale për efekt të llogaritjes së kontributit. Ky ndryshim është hap i parë drejt reduktimit të kontributit nga të vetëpunësuari në qytet dhe në fshat si dhe për sigurimin vullnetar.
Kujtojmë se në bazë të ligjit që është në fuqi baza për llogaritjen e kontributit për punonjësit e vetëpunësuar dhe për të siguruarit vullnetarë në skemën e sigurimeve shëndetësore, është mesatarja ndërmjet pagës minimale dhe maksimale për efekt të llogaritjes së kontributeve. Në shifra konkrete baza për llogaritjen e kontributit të sigurimit të detyruar shëndetësor është 57 078 lekë në muaj, [(19 026 + 95 130)/2], duke përcaktuar një detyrim mujor për t’u paguar prej 1 941 lekë, nga kjo kategori të siguruarish.
Me ndryshimin e paraqitur, baza për llogaritjen e kontributit për punonjësit e vetëpunësuar dhe për të siguruarit vullnetarë në skemën e sigurimeve shëndetësore, është dyfishi i pagës minimale për efekt të llogaritjes së kontributeve, ose 38 052 lekë (19 026 x 2), duke përcaktuar një detyrim mujor për t’u paguar prej 1 294 lekë, nga kjo kategori të siguruarish. Pra për çdo të siguruar sipas kësaj kategorie do të ketë ulje mujore të detyrimit, prej 647 lekësh. Ndryshimi tjetër i propozuar është heqja e kufirit maksimal të bazës për llogaritjen e kontributeve për të punësuarit. Ky ndryshim konsiston në përcaktimin si bazë të llogaritjes së kontributit prej 3.4%, pagën bruto të personit të siguruar.

zzz