Prostitucion, trafik armësh dhe vjedhje, 11 në pranga

anazapta

Seksioni Kundër Trafiqeve dhe kundër Vjedhjeve në Elbasan realizoi 3 operacione të ndryshme gjatë 24 orëve të fundit, ku goditi grupe të trafikimit të armëve me 6 të arrestuar, shfrytëzimit të prostitucionit me 3 të arrestuar dhe atë kundër bastisjes së pasqyrave të veturave luksoze “Benz”, me 2 të arrestuar.

 

Trafiku i armëve

Aksioni i parë është koduar “Liqeni”, për shkak të zonës së Pogradecit ku bëhej aktiviteti i trafikut të armëve. Në pranga ranë Florenc Alliu, 29 vjeç, banues në Librazhd, Andi Balliji, 30 vjeç, Armand Musollari, 25 vjeç, Ervis Nastimi, 32 vjeç, Elton Çela, 21 vjeç dhe Astrit Musollari, 29 vjeç, të pesë banues në Pogradec. Arrestimi i tyre u bë pas informacioneve se grupi ishte i përfshirë në trafikun e armëve dhe municionit në aksin Librazhd-Pogradec. Gjatë kontrollit të ushtruar në një lokal në të cilin ndodheshin të dyshuarit gjatë bisedave për pazaret e armëve, u gjetën si prova materiale 2 armë zjarri tip pistoletë, 20 fishekë, u sekuestruan edhe dy mjete. Policia tha se po heton për të zbardhur të plotë aktivitetin e grupit kriminal.

 

Vjedhja e makinave

Rreth orëve të para të mëngjesit të djeshëm, agjentët e komisariatit zhvilluan operacionin e koduar “Mars 2014”, duke arrestuar dy të rinj që dyshohet se janë përfshirë në të paktën 8 vjedhje makinash “Benz” në seri dhe hetohen për të tjera. Të ndaluarit janë Krios Çaraoshi, 26 vjeç, banues në lagjen “Emin Matraxhiu” dhe Ibrahim Musmuça, 27 vjeç, banues në lagjen  “5 Maji”. Kapja u bë në flagrancë teksa në lagjen “Brigada 17 Sulmuese”, po shkulnin xhamat e pasqyrave të mjetit tip “Benz Mercedes”, me targë EL4266C. Nga verifikimi i gjurmëve rezultoi se janë të dyshuar për vjedhje të pasqyrave të “Benz”-ave luksozë më 19 shkurt në 6 raste brenda natës, në lagjen “Emin Matraxhiu”, ku dhe ishin parkuar, dhe një rast tjetër më 2 shkurt. Gjatë kontrollit në makinën e Çaraoshit, në bagazh u gjetën si prova 57 xhama pasqyrash te automjeteve të markës “Benz Mercedes”.

 

Prostitucioni në qytet

Seksioni Kundër Trafiqeve të Paligjshme, njoftoi se arriti të godiste një bazë prostitucioni ditën e djeshme në operacionin e koduar “Pianisti”. Në pranga ranë D. M., 38 vjeç, i njohur edhe si “pianisti” F. A., 59 vjeçe dhe D. S., 23 vjeçe, banues në lagjen “28 Nëntori”. Nga hetimet dhe përgjimet e kryera rezultoi se i dyshuari D. M., në bashkëpunim me 59-vjeçaren, shfrytëzonin me qëllim prostitucioni vajzën me inicialet D. S., në banesën e tij, duke i gjetur klientë të ndryshëm kundrejt pagesës 3500 lekë për çdo akt seksual, përfshirë edhe hotelin brenda. Si prova materiale janë sekuestruar 9 aparate celulari me të cilët komunikohej mes tyre dhe me klientët, 1 lap-top, 3 USB, 200 euro dhe 21700 lekë përfitime nga aktiviteti.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *