Prostitucioni politik

anazapta

Në çdo edicion zgjedhor, kemi patur xhevahire groteske, që të befasojnë por parlamenti i ardhshëm shqiptar, pritet të jetë një arenë cirku. Janë të pranueshme, të gjitha lëvizjet egoiste për pushtet, kur konturohen brenda disa parimeve që kanë sado pak ferment moral. Por, të ikësh nga një forcë politike me bindje të majta, ku je investuar për 20 vjet rresht dhe të futesh në PD, , kjo është një ngjarje ekskluzivisht shqiptare. Ne, përbuzim një prostitute, që del në rrugë për të fituar bukën e gojës për mbijetesë dhe mirë bëjmë në aspektin moral. Por shoqëria shqiptare, duhet së pari të përbuzë e denigrojë prostitucionin politik. Të përjashtuara nga Kuplaraja për imoralitet, këta të gajasin kur thonë që ne erdhëm te e “djathta”, por ne jemi të majtë: ironi, që i kalon kufijtë e groteskes. E vërteta është thjesht që ata, janë të pa ngopur me pushtet dhe me para dhe do përpiqen me çdo mënyrë të mos i ndahen dot politikës së përdalë, deri në fund të jetës së tyre.

Disa nga lëvizjet e fundit, janë lëvizje spektakolare, që disa politikanë shterpë, apo pseudoanalistë, i interpretojnë si një dukuri të natyrshme, që sjell risi në politikën shqiptare (!). Por këtu, nuk përbën problem lufta për të zënë pozicione qeverisëse, se në politikë, çdo ofensivë për pushtet, është e pranueshme. Problemi qëndron ndryshe, që ti je ngjitur në tempullin e legjislativit nëpërmjet një elektorati të caktuar, të një subjekti përfaqësues. Pra, ti je një pjellë e një mjedisi me identitet. Këtu, s’kemi të bëjmë me lëvizje lineare, por me kapërcime spektakolare, para të cilave dorëzohen edhe autorët e përrallave me kapërcim ylberi.

Bëhen pastaj analogjizma vulgare, duke i futur në mentalitetin punisto-monist (!). S’kanë asnjë lidhje shkakësore. Partia, është një organizëm që ka identitetin e vet. Krahasimet që bëhen sot “që kështu ndodhka edhe në vende të tjera” janë një logjikë banale. Partitë dhe çuditë shqiptare, vijnë si vetëtimë në qiell të pastër nuk kanë asnjë lidhje me krahasimet që dëgjojmë sot në ekranet e propagandës qeveritare. Veç në paçin qëllimin që t’u neverisin njerëzve gjithçka dhe këdo që ndotet me politikën – atëherë ia kanë arritur.

“Politika nuk mund të bëjë pa një themel moral” – thotë poeti i madh polak Mickjeviç.

Çdo lojë ka rregullat e saj. Deputeti, është ngjitur në piramidën partiake, jo për meritë të tij, por për kontribut të forcës politike dhe të elektoratit që e ka votuar. Këtë aksiomë, le ta vërtetojë çdonjëri prej deputetëve, duke e provuar të dalë me kandidaturë të pavarur. Përvoja 22 vjeçare e pluralizmit shqiptar, ka provuar qartazi, se kushdo që ka garuar si individ, ka mbetur simbol i vetmisë së humbur, pa lavdi.

Politika, është një profesion, si gjithë të tjerët, që ka mjeshtërinë e vet për t’u përvetësuar dhe për ta ushtruar me efektivitet të lartë. Por, politika e sotme shqiptare, nuk përfaqëson luftë programesh, idesh, normash e parimesh, por luftë interesash, të grupimeve të vogla.

 

 

Share This Article
1 Comment
  • kastriot islami hyn te speciet e habitshme, i lindur me probleme familaje dhe me dhunin ne famijel i vogel ai di mnbeste gjithmone i tredhur. i rrutu ne fshatar e mkulletit i njihur me bajgat elopeve dhe ne obboprin en jj bebeu te rene nga fioku ai nbeti nje plesht nje xhi=uyxh dhe nje spiuni sigurimi ipeshkuar nga ramiz alia. lkur komuniste bene grushtin eshtetit ne rusi ai ka festuar ne paRLEK,NT DUKE PIR ME SHOKET ETIJ, KY ESHTE KACI NJE MEDIOKER POLTIK DHE JNJERIU TE VILIN SHIKU I RRIFTE PER QEF NJEHERE NE JAVE

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *