Opozita do të zhvillojë sot protestën e radhës para parlamentit kundër qeverisë. Protesta është parashikuar të nisë në orën 9:30, ndërsa në orën 10 do të fillojë edhe seanca parlamentare.
Në terren do të jenë rreth 1000 forca policie. Ndryshe nga herët e tjera në kordon do ketë edhe efektive femra.
Ndërkohë mësohet se grupe policësh do të ketë dhe në ruajtje të institucioneve përveç se tek parlamenti.
Kështu nisur nga protestat e kaluara, do të ketë policë tek Kryesia e Kuvendit, KQZ por edhe tek Drejtoria e policisë së Tiranës.
Kësaj radhe flitet për një numër më të ulët policësh në ruajtje të rendit. Nuk do ketë as bote uji në gatishmëri. Ndërkaq në oborrin e xhamisë së Namazgjasë do të jenë të dislokuara FNSH-të.
Po kështu mësohet se deputetët do të hyjnë nga pedonalja, e cila do të jetë e rrethuar me efektivë të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës.
Godina e Parlamentit do të vijojë të jetë e rrethuar me kamera për të fiksuar të gjithë protestuesit e opozitës që mund të shfaqin shenja dhune. Gjithashtu, dera që lidh selinë e Partisë Demokratike me sallën e Parlamentit do të vijojë të jetë e bllokuar edhe përgjatë ditës së sotme.
Opozita ka paralajmëruar protesta sa herë të ketë seancë plenare për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe një qeveri tranzitore që do të përgatisë vendin për zgjedhje të parakohshme.
o.j/dita

pedonalja e pederave, thuaje shqip shetitorja se na cat trapin me fjale te huaja.