“Një e drejtë demokratike që opozita mund ta shfrytëzojë brenda normave kushtetuese”.
Me këto fjalë e komentoi protestën e së shtunës në mesditë, zv.kryeministri Niko Peleshi, ndërsa shtoi se nuk e kupton çfarë do të thotë kreu i PD me fjalët Republikë e Re.
“Protesta është një e drejtë demokratike, një hapësirë që opozita mund ta shfrytëzojë në çdo kohë, por brenda normave kushtetuese. Nuk e di çfarë nënkupton Basha me termin Republikë e Re, por di t’u them që një program i ri apo një qasje e re politike vjen dhe mandatohet nga populli. Zgjedhjet janë mjeti i vetëm që partitë politikë të vijnë në pushtet. Një Republike e Re nuk mundet të dalë nga mosbindja civile“, tha zv.kryeministri.
Peleshi u bëri apel qytetarëve që të mos lejojnë të sakrifikohen, pas 27 vitesh luftë për demokraci: “Nga Korça dua tu dërgoj një mesazh të gjithë shqiptarëve, foshnja që lindi 27 vite më parë, demokracia, është ende e brishtë. Te mos e sakrifikojmë tani që edhe konteksti në të cilin ndodhet Shqipëria, Ballkani dhe Europa është delikat, për shkak të zhvillimeve që po ndodhin në Rajon. Duhet të ngrihemi ne nivelin e përgjegjësisë historike dhe te jemi të kujdesshëm me mesazhet qe i shpërndajmë popullit”.
Numri 2 i qeverisë theksoi se zgjedhjet e 18 qershorit do të zhvillohen pa opozitën.
“Zgjedhjet nuk mund te komprometohen nga vendimi i asnjë partie. Jemi të keqardhur që në 18 qershor do të shkojmë në zgjedhje pa opozitën, por kjo nuk do të thotë se mospjesëmarrja e opozitës në zgjedhje na pengon ne të kërkojmë votën e qytetarëve në 18 qershor, në datën e dekretuar nga Presidenti dhe në respekt të kuadrit kushtetues”, tha Peleshi.
Në lidhje me zhvillimet që mund të sjellë vizita e ndihmëssekretarit amerikan te shtetit, Peleshi tha se SHBA dhe partnerët europianë kanë inkurajuar partitë politike të marrin pjesë në zgjedhje duke vënë demokracinë mbi çdo skenar partiak.
