Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka mbledhur sot në selinë blu krerët e partive të vogla aleate. Tema e diskutimit është protesta që PD ka paralajmëruar për të premten. Në fund të mbledhjes, Basha doli në një prononcim për median, në të cilin u shpreh se opozita është angazhuar në një aksion politik kundër drogës.
“Sot kemi mbledhur tryezën e koalicionit opozitar për të bashkëndarë me ta axhendën qyetarë dhe opozitare të aksionit politik kundër kartelit të drogës. Kemi konkluduar në një mendje për ngritjen dhe institucionalizimin e një Aleance Kombëtare kundër drogës që do jetë në ballë të protestës popullore, aksionit opozitar dhe mbarëqyetarë kundër drogës që do të intensifikohet ditën e premte me protestën para Kryeministrisë, para selisë së njeriut që është sot përgjegjësi numër një për situatën e paprecedentë”, tha Basha.
Javën e kaluar, PD mbajti një protestë para Parlamentit, ndërsa zhvillohej seanca plenare e radhës. Selia blu akuzon qeverinë për përzierje në trafikun e drogës dhe kërkon largimin e kryeministrit Rama. Protesta e të enjtes së kaluar u karakterizua nga një pjesëmarrje e vogël qytetarësh, mes të cilëve ra në sy edhe prania e kryetarit të komunës Lazarat që protestonte gjithashtu kundër trafikut të drogës.
Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Lufter Xhuveli përflitet se do të jetë në ballë të “protestës kundër trafikut të drogës”. Për këtë fakt ka reaguar dhe deputeti i PS-së Erjon Braçe. “Këta kanë mbaruar! Lulzim Basha paska krijuar sot ALEANCEN KUNDER DROGES!! Në krye të saj është LUFTER XHUVELI!! Qenka gjallë!”, shkruan Braçe.
