Protesta, farmacistët kundër uljes së marzheve të fitimit

anazapta

Farmacistët kundërshtojnë vendimin për uljen e marzheve të fitimit. Një ditë pas daljes së vendimit të Këshillit të Ministrave, në të cilin përcaktohen marzhet e reja që do të aplikohen për tregtimin e barnave, kanë reaguar farmacistët duke paralajmëruar nisjen e protestave masive nëse nuk do të rishikohen përcaktimet e bëra. Në mbledhjen e dy ditëve më parë qeveria vendosi të ulë marzhet e tregtimit të barnave nga 29 në 25 për qind për farmacistët, si dhe nga 14 në 11 për qind për importuesit dhe shpërndarësit e barnave. Ndryshime këto që kanë nxitur pakënaqësinë në radhët e farmacistëve, të cilët gjatë ditës së djeshme kanë dalë në protestë.

Farmacistët deklarojnë se ky vendim është arbitrar pasi nuk është marrë mendimi i grupeve të interesit, teksa pretendojnë që vendosja e marzheve të reja të tregtimit të barnave nuk janë bazuar në një asnjë lloj studimi, duke i cilësuar fitimet e farmacisteve minimale. Përfaqësuesja e Sindikatës së Farmacistëve Denisa Vrapi në një prononcim të dhënë për mediat u shpreh se ky vendim është arbitrar dhe i marrë pa asnjë konsultim me ta. Për këtë arsye sipas saj, nëse qeveria nuk ulet në bisedime me farmacistët, do të organizohen protesta masive në mbarë vendin, deri në mbyllje të farmacive po në shenjë proteste.

Njëkohësisht edhe presidentja e Urdhrit të Farmacistëve, Diana Toma, e ka cilësuar vendimin e qeverisë të paarsyetuar. Sipas saj, urdhri i farmacistët në një mbledhje urgjente me përfaqësinë e farmacistëve e konsideron vendimin për uljen e marzhit të tregtimit tërësisht të pastudiuar, në një kohë kur ky institucion ka kërkuar vetë disa herë pranë Ministrisë së Shëndetësisë që të kryhen studime në tregun farmaceutik për gjetjen e një marzhi real të tregtimit. Nisur nga kërcënimi i farmacistëve për greva të përshkallëzuara në mbarë vendin, presidentja e Urdhrit të Farmacistëve tha se do të kërkojë takim me ministrin e Shëndetësisë për gjetjen e një konsensusi, në të kundërt urdhri do t’i bashkohet vendimit të farmacistëve për nisjen e protestave masive.

Me ndryshimet e marzheve të tregtimit të barnave si për farmacistë ashtu edhe për importuesit parashikon një ulje të çmimit të ilaçeve për qytetarët, të cilët do t’i blejnë barnat me 7 për qind më pak. Ndërkohë që kësaj shifre do t’i shtohet edhe heqja e TVSH-së në masën 10 për qind, vendim i cili do të hyjë në fuqi gjatë muajit prill, kohë në të cilën të jetë bërë publike edhe lista e re e barnave të rimbursimit për 2014. Në këto kushte duke nisur nga muaji maj, blerja e një ilaçi qytetarëve do tu kushtojë 17 për qind më pak nga çmimi që aplikohet sot. Në vendimin e Qeverisë gjithashtu specifikohet që për barnat e listës, që rimbursohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, zbatohen marzhe të diferencuara, të cilat miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave. po sipas vendimit çmimi maksimal i tregtimit të barnave nga fabrikuesit vendas caktohet duke shtuar deri në 20 (njëzet) për qind mbi koston e fabrikimit.  

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *