Piramida financiare e Sali Berishës në vitin 2012 mund të arrijë tek dy miliard dollarë, nga 200 milion që ishte në vitin 1997
Shkaku real i kësaj krize të re me energjinë elektrike nuk është mënyra se si ka funksionuar CEZ, por terreni që i ka prodhuar qeveria CEZ-it për të funksionuar. Është një devijim i madh që Berisha po i bën revoltës popullore që duhet të drejtohej mbi të, tek disa çekë anonimë, që as emrat nuk ua dimë, pasi pala shqiptare është e gjithë administratore me militantë të PD-së. Qeveria ka bërë presione të pafundme politike në rastin e CEZ: e ka detyruar të mos ngrejë çmimin në vit zgjedhjesh, e ka detyruar të mos u kërkojë paret kuksianeve apo mirditorëve që nuk paguajnë, e ka detyruar të bëjë pazare me KESH dhe ERE, dhe më në fund do ta flakë në rrugë pasi ka bërë gati një kandidat të ri që do të blejë OSSH-në.
Rasti i CEZ është shembulli se si dështon një qeveri e korruptuar, e cila përmes politikave të privatizimit të saj jo vetëm që nuk e zhvillon ekonominë e vendit, por e kthen atë në piramidë. Sali Berishës nuk i ka mbetur në këmbë asgjë që ka privatizuar, pasi ai nuk ka privatizuar asgjë për të funksionuar si kompani, por për t’i trajtuar si prona private dhe për t’i zhvatur ato sa herë ka nevojë.
Është grabitur një pasuri kombëtare dhe është kthyer në piramidë nga politikat e qeverisë. Gjysma e Shqipërisë nuk paguan energjinë elektrike, Kukësi e ka koeficientin e mbledhjes 1.6 përqind, qeveria pasi ka bërë këto me kompaninë, e ka falimentuar atë dhe e ka hedhur në rrugë të madhe duke i kundërvënë policinë, Financat, ministrinë e Ekonomisë dhe me një frymë të paparë populiste, edhe qytetarët.
Aspekti i dytë skandaloz është raporti që vendos shteti me një kompani private në momente krize. Përfytyroni lajmet e ditës së sotme dhe tregojani një kompanie të huaj që kërkon të investojë apo privatizojë diçka në këtë vend? Është një horror i vërtetë. Dalin publikisht ministra dhe zëvendësministra dhe i bëjnë bilancin një kompanie private, ndërkohë që ka rregulla të qarta dhe mënyra se si bëhet bilanci i një kompanie. Një kompani, nëse i ke lek borxh, nuk të jep më mall dhe nëse të ka lek borxh e hedh në gjyq dhe ia merr me përmbarim. Qeveria shqiptare u ka mbledhur gjithë komunave dhe bashkive të opozitës në mënyrë të dhunshme lekët e grandit me pretekstin që do t’i paguajë CEZ dhe i ka mbajtur për vete, ndërkohë që ka marr përsipër borxhet e kompanisë deri në vitin 2010. Çdo llogari tjetër “ma ke, ta kam” nuk bëhet publikisht, por në gjykatë dhe përmbarim. Ndryshe është një alarm për çdo të huaj që do të shkelë në këtë vend për të investuar.
Përfytyroni sot se si një kompani e huaj, e cila ka qenë palë dhe ndoshta e korruptuar në raporte me Sali Berishën dhe qeverinë e tij, vihet papritur para populizmit, kërcënimeve për zaptime, Ministrit të Brendshëm që sillet si xhandar injorant me pronën e tyre, zëvendësministrit të Financave, që ngjan si një gjobaxhi ordiner, dhe të gjithë kërkojnë ta përdhunojnë pse ajo kërkon lekët që i kanë borxh. Këtu çështja është e thjeshtë, ose ia kanë lekët borxh ose nuk ia kanë. Nëse ia kanë ose duhet t’ia paguajnë, ose duhet të japin dorëheqje, nëse nuk ia kanë, i dërgojnë përmbarimin, e falimentojnë dhe rinxjerrin në shitje aksionet. Përpjekja për të mbuluar korrupsionin me populizëm dhe politikë është kriminale.
Por kryearsyeja përse kjo sjellje është skandaloze, ka të bëjë me faktin se “kompetentët” e privatizimit dhe gjithë privatizimeve në Shqipëri, i kanë përdorur privatizimet jo për të zhvilluar ekonominë dhe për të zhdukur korrupsionin, por për të krijuar skema financiare piramidale të maskuara. Vetëm piramida financiare e qeverisë me CEZ-in po shkon 300 milion euro, aq sa ishin gjithë piramidat e vitit ‘97 së bashku, ndërsa privatizimet e tjera dhe ato në proces janë të gjitha në krizë. Piramida financiare e Sali Berishës në vitin 2012 mund të arrijë tek dy miliard dollarë, nga 200 milion që ishte në vitin 1997.